Fitorja 2-0 e Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 nuk solli vetëm tre pikët e para të turneut. Përballja e zhvilluar në stadiumin legjendar 'Azteca' hyri në histori për disa statistika dhe rekorde të veçanta që mund t’u kenë shpëtuar shumë tifozëve.

1. Një ndeshje hapëse që u përsërit pas 16 vitesh

Meksika dhe Afrika e Jugut rikrijuan skenarin e Kupës së Botës 2010, kur dy kombëtaret u përballën në ndeshjen hapëse në Johannesburg dhe barazuan 1-1. Plot 16 vite më vonë, ky duel u përsërit, duke u bërë rasti i parë në historinë e Botërorëve që një ndeshje hapëse luhet sërish mes të njëjtave skuadra.

2. 'Azteca' vendos një rekord historik

Arena ikonike e Mexico Cityt konfirmoi edhe një herë statusin e saj legjendar. Ndeshja mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut ishte e 20-ta e luajtur në këtë stadium në historinë e Kupës së Botës, më shumë se çdo impiant tjetër në planet. 'Azteca' kryeson listën me pesë ndeshje më shumë se stadiumi ndjekës.

3. Meksika vazhdon të shkruajë histori pa prekur trofeun

Përfaqësuesja vendase regjistroi pjesëmarrjen e saj të 18-të në një Kupë Bote, rekord absolut për vendet e zonës CONCACAF. Megjithatë, meksikanët mbeten edhe kombëtarja me më shumë ndeshje të zhvilluara në histori të turneut pa arritur të fitojnë trofeun, duke numëruar tashmë 60 takime.

4. Gilberto Mora, simboli i brezit të ri

Një moment historik u regjistrua edhe në aspektin e brezave. Talenti meksikan Gilberto Mora u bë futbollisti i parë i lindur pas finales së Kupës së Botës 2006 që aktivizohet në një ndeshje të këtij Botërori, duke shënuar hyrjen e një gjenerate të re në skenën më të madhe të futbollit.

5. Tre kartonë të kuq dhe një rekord i pazakontë

Përballja ishte e mbushur me tension dhe emocione, aq sa arbitri nxori plot tre kartonë të kuq. Kjo bëri që ndeshja të kishte më shumë përjashtime sesa gola, një statistikë tepër e rrallë në historinë e kompeticionit. Afrika e Jugut u bë gjithashtu skuadra e parë që merr dy kartonë të kuq në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 2006, kur Portugalia dhe Holanda përjetuan përplasjen e famshme të njohur si 'Beteja e Nurembergut'.


Lajmi kryesor:

Meksika e nis me festë Botërorin, mposht pastër Afrikën e Jugut para tifozëve të vet! Ndeshja me 3 të kuq