Vendimi i presidentit Donald Trump për të sulmuar Iranin ka pasur një shtysë të fortë nga Rijadi. Sipas Ëashington Post, që citon katër burime anonime, këshilla e princit saudit Mohammed bin Salman ka qenë vendimtare.
Zyrtarisht, princi i kurorës, që është edhe lideri de fakto i Arabisë Saudite, deklaronte se mbështeste një zgjidhje diplomatike me Iranin. Madje, pas një telefonate me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, ai kishte thënë se nuk do të lejonte përdorimin e territorit saudit për të sulmuar Iranin.
Por prapa kuintave, sipas të njëjtave burime, Mohammed bin Salman kishte zhvilluar disa telefonata private me president Donald Trump gjatë muajit të fundit, duke u shprehur në favor të një sulmi. Në bisedat me Trump dhe me figura të tjera të qeverisë amerikane, ai kishte paralajmëruar se nëse SHBA nuk do të godiste Iranin ndërsa kishte dislokuar praninë më të madhe ushtarake në rajon që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, Teherani do të dilte më i fortë dhe më i rrezikshëm nga një marrëveshje.
Edhe vëllai i tij, ministri i Mbrojtjes Khalid bin Salman, në janar kishte zhvilluar një seri takimesh me dyer të mbyllura në Uashington me anëtarë të administratës Trump, ku kishte dhënë të njëjtin paralajmërim: mosgoditja e Republikës Islamike mund të kishte pasoja negative.
Sipas pretendimeve të burimeve të cituara nga mediat, qëndrimi i dyfishtë i Mohammed bin Salman. në publik për diplomacinë, në privat për sulmin, pasqyronte përpjekjen për të shmangur hakmarrje iraniane ndaj Arabisë Saudite, veçanërisht ndaj infrastrukturave të saj të naftës.
Megjithatë, shumë ekspertë të fushës vlerësonin se Rijadi do të preferonte stabilitetin e një Irani të dobësuar përballë, sesa pasigurinë që mund të sillte një ndryshim regjimi.
Rivaliteti mes Arabisë Saudite sunnite dhe Iranit shiit është i hershëm dhe ka sjellë luftëra me ndërmjetës në rajon, si edhe ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në të kaluarën.
Pas sulmit të përbashkët izraelito-amerikan ndaj Iranit të premten në mbrëmje, Arabia Saudite ishte mes objektivave të kundërpërgjigjes iraniane. Qeveria në Rijad reagoi me një deklaratë të ashpër, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të marrë “të gjitha masat e nevojshme” ndaj Teheranit./CorrieredellaSera
Komente











