Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku, ka akuzuar dje kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë vëllait të tij monopolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit. Tabaku iu referuar ndryshimeve në ligj në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojërave të fatit.
“Katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë të vëllait, Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet koncesionit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit. Në shkelje të çdo ligji, kontrata e koncesionit nuk është bërë asnjëherë publike dhe Ministria e Financave vazhdon të fshehë sesa do ta rëndojë buxhetin ulja e taksave për bixhozin. Ajo që dihet deri tani është se me ligjin e vitit 2015, Edi Rama detyron pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit jo në shtet, por tek kompania koncesionare."
Sipas saj, Rama që, dikur përbetohej për mbylljen e pikave të basteve dhe mashtronte shqiptarët se ishte kundër bixhozit, e ka përdorur pushtetin për t’i dhënë të vëllait monopolin e tregut të bixhozit.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
“Kjo do të thotë se sa më shumë pika bastesh të operojnë në Shqipëri, aq më i madh është fitimi i kompanisë konçesionare që, zyrtarisht, operon në emër të ortakut të vëllait të kryeministrit. Kjo është arsyeja pse në treg, në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katërfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh. Nga njëra anë ligji përcakton se asnjë qindarkë nga tarifa e mirëmbajtjes së pikave të basteve nuk shkon në buxhetin e shtetit dhe nuk përdoret për interes publik, por mbush me miliona euro llogarinë e vëllait të kryeministrit. Nga ana tjetër, ligji i jep Olsi Ramës monopolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit, duke e dhënë me konçesion shërbimin tek një kompani e vetme, e cila, sipas ligjit korruptiv të vitit 2015 do ta ketë këtë të drejtë për 30 vjet”, pohoi Tabaku.
Deputetja e PD shtoi se me ligjin e 2015-ës për lojërat e fatit, Edi Rama jo vetëm nuk i largoi pikat e bixhozit nga qytetet dhe nga shkollat, por u uli atyre taksat në mënyrë të ndjeshme.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)