ITALI - Dje (e premte) u zhvillua cermonia e hapjes së Lojërave Mesdhetare 2026 në Taranto të Italisë. Shqipëria do të përfaqësohet në eventin e 20-të të Lojërave me 71 sportistë në 21 disiplina të ndryshme sportive, përfshi edhe futbollin.

Ekipi U-21 i futbollit, i drejtuar nga Alban Bushi do të zbresë këtë mbrëmje në fushë ku do të ketë përballë Italinë U-21. Sfida do të luhet në stadiumin 'Ettore Giardiniero' të Lecces me fillim nga ora 21:00. Në grup kuqezinjtë do të sfidohen edhe nga Kosova dhe Algjeria.

Në historinë e saj, Shqipëria ka fituar 49 medalje në Lojërat Mesdhetare, 11 të arta, 19 të argjendta dhe 19 të bronzta, duke u renditur në vendin e 17-të në klasifikimin historik të medaljeve.

Disiplina me të cilin Shqipëria ka fituar më shumë medalje në Lojërat Mesdhetare është peshëngritja, me 26 medalje. Pas saj vijnë atletika dhe qitja, me nga 7 medalje. Sportistja më e suksesshme shqiptare në historinë e Lojërave Mesdhetare është Luiza Gega, me dy medalje të arta dhe një të argjendtë.

Pas saj renditen peshëngritësit Daniel Godelli, me dy medalje të arta, Romela Begaj, me një të artë, një të argjendtë dhe dy të bronzta, si dhe Erkand Qerimaj, me një të artë dhe një të argjendtë.

Këtë vit vendi ynë do të përfaqësohet me numrin më të lartë të sportistëve, teksa në ceremoninë hapëse të së premtes të pranishëm ishin edhe kreu i shtetit, Bajram Begaj, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si edhe kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli.

Në lojërat kolektive vendi ynë prezantohet me futbollin, ku kuqezinjtë e Alban Bushit janë në grup me Italinë, Kosovën dhe Algjerinë. Atletika vjen me emra prestigjiozë si Markelio Mema e Gipsi Moreno në hedhje çekiçi, si dhe Franko Burraj në 200 e 400 metra. Pa harruar dy nënkampionët e Evropës për vitin 2026 në mundje, Zelimkan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilëve u shtohet dhe kampioni i Evropës dhe nënkampioni i Botës për vitin 2025, Chermen Valiev. Në peshëngritje, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj përkrahen nga të rinjtë e talentuar si Enkilejda Carja dhe Ertian Kofsha. Rikthehet në gjimnastikë artistike Matvei Petrov.

Në boks Alban Beqiri, Amar Koçi dhe Arion Zeneli premtojnë shumë, sikurse Kampioni i Ballkanit në xhudo, Indrid Çullhaj, apo dhe Orges Arifi e Melos Gashi në Karate. Pa lënë mënjanë Ernest Merdanajn në taekwondo e Henri Rrufën e Manjola Koninin në qitje. Për herë të parë në këto Lojëra, Shqipëria do të jetë në not zhytje, skermë e triatlon. Në not pritet shumë nga dy talente si Arla Dermishi e Luna Djarmati.

E veçanta e këtij edicioni është se sportistët u vendosën në kroçerën gjigante 'AROYA', e cila është shndërruar në një fshat modern për delegacionet e 26 shteteve pjesëmarrëse.

Lojërat Mesdhetare dhe Taranto 2026

Organizatorët e konsiderojnë këtë si edicionin më të madh të Lojërave Mesdhetare që nga viti 1951, kur u zhvillua për herë të parë kjo ngjarje sportive. Rreth 100 mijë bileta janë shitur tashmë për të ndjekur garat, tregues i interesit të madh që ka ngjallur aktiviteti në të gjithë Puglian.

Komiteti organizativ ka bërë të ditur se aktiviteti do të shtrihet në katër provinca dhe 13 qytete. Garat do të zgjasin 15 ditë, deri më 3 shtator.

Në total, do të zhvillohen 33 disiplina sportive, të shpërndara në 28 impiante sportive. Në Lojërat Mesdhetare 2026 do të marrin pjesë 26 shtete, ndërsa pjesëmarrjes i shtohet edhe delegacioni i Vatikanit.

Në total do të ndahen 1853 medalje, 588 të arta, 588 të argjendta dhe 677 të bronzta. Janë parashikuar gjithashtu 273 finale. Dy disiplina do të bëjnë debutimin historik në Lojërat Mesdhetare, patinazhi me rrota dhe padeli.

Numri i sportistëve të regjistruar arrin në 3803, prej të cilëve 2189 janë meshkuj dhe 1614 femra. San Marino është i vetmi delegacion ku numri i sportisteve femra është më i lartë se ai i meshkujve.

Italia është vendi me numrin më të madh të pjesëmarrësve, me 497 sportistë, e ndjekur nga Turqia me 335. Atletika është disiplina me numrin më të madh të sportistëve të regjistruar, 435, si dhe ajo në të cilën do të shpërndahet numri më i madh i medaljeve, gjithsej 132.

Rreth 3000 vullnetarë do të angazhohen në organizimin e Lojërave, pasi janë përzgjedhur mes më shumë se 11 mijë kandidatëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
‘Taranto 2026’/ Ministri Gonxhja publikon pamje nga ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare: Krenar për ngjyrat kuqezi! (VIDEO)

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka publikuar pamje nga ceremonia e hapjes së Lojërave Medhetare Taranto 2026, ku Shqipëria është e përfaqësuar nga 71 sportistë.

Krahas videos, Gonxhja ka shkruar se është krenar për ngjyrat kuqezi dhe çdo sportist që sipas tij ngre lartë emrin e Shqipërisë.

“Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, në mbështetje të Team Albania dhe sportistëve tanë që përfaqësojnë me krenari Shqipërinë në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.

Krenarë për ngjyrat kuqezi dhe për çdo sportist që, me përkushtim, pasion dhe shpirt gare, ngre lart emrin e Shqipërisë”, ka shkruar Gonxhja.