Turistët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjatë periudhës janar-korrik 2026, monumentet, muzetë dhe parqet arkeologjike në vend u vizituan nga 824.340 persona, vendas dhe të huaj, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, numri i vizitorëve është 80% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Krahasuar me vitin 2024, rritja është 26,4%, ndërsa në raport me vitin 2025 është 6,3%.

Edhe këtë vit, Kalaja e Gjirokastrës dhe Parku Kombëtar i Butrintit mbajnë vendin e parë si destinacionet më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Kalaja e Gjirokastrës regjistroi 161.274 vizitorë, ndërsa Butrinti u vizitua nga 158.612 persona.

Në listën e destinacioneve më të frekuentuara renditen edhe Parku Arkeologjik i Shkodrës me 108.150 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 84.177 vizitorë, Parku Arkeologjik i Apolonisë me 77.402 vizitorë dhe Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” me 57.372 vizitorë.