Lojrat e fatit, kërkohet
shtyrja e ligjit edhe dy vjet

Lojrat e fatit, kërkohet<br />shtyrja e ligjit edhe dy vjet
Një grup deputetësh të mazhorancës kanë kërkuar shtyrjen edhe me dy vjet të tjerë të efekteve të ligjit të ri për lojrat e fatit. Synimi duket se është që të mos zbatohen rregullat e reja, të paktën edhe në periudhën e Botërorit të Futbollit 2018.

Gjashtë deputetë të maxhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit, duke ndryshuar datën e zbatimit të dispozitave kalimtare, nga 31 dhjetori 2016, në 31 dhjetor 2018.

Deputetët Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini kanë dhënë argumentat e tyre lidhur me këtë kërkesë.
 
Problematika
Ligji i ri i lojërave të fatit përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.

Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licensohen, janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”.

Ligji nr.155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2016.

Sa u takon kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, ligji i ri parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licensës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.

Sipas ligjit, ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Sipas deputetëve, ky parashikim është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar, janë për një afat kohor më të gjatë. Shtyrja e afatit, gjithnjë sipas tyre, ndikon edhe në shmangien konfliktet gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore.
 
Aktet nënligjore
Ndër problemet që kanë hasur subjektet e këtij sektori, përmendet edhe fakti që vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose në rastin më të keq bllokimin e veprimtarisë së tyre. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit