Masat kundër covid-19 duket se po harrohen edhe pse rastet e të prekurve po shtohen çdo ditë. Në Vlorë, Inspektorati Shëndetësor paralajmëroi gjoba dhe deri në mbyllje të subjekteve që nuk respektojnë protokollin e sigurisë.

Baret dhe kafenetë përgjatë Lungomares janë tejet të frekuentuara. Si në një ditë të zakonshme, qytetarët qëndrojnë të grupuar dhe pa masa mbrojtëse, si maska e doreza. Inspektorati Shëndetësor po ushtron kontrolle për zbatimin e masave, teksa në Vlorë u raportua një i prekur me covid-19.

Drejtori Lorenc Rexho paralajmëron subjektet private se nuk do të ketë më këshillime, por gjoba.

"Në periudhën e fundit jemi fokusuar tek baret dhe restorantet janë bërë 1600 inspektime në total, ku 930 inspektime janë bërë në bar-restorante. Është kërkuar të merren masat, por tani nuk do të ketë më këshillime. Nga nesër do të ketë masa administrative, gjoba dhe deri në mbyllje të subjekteve që nuk respektojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë", tha Rexho.

Qyteti bregdetar pritet të ketë një fluks të shtuar gjatë sezonit veror, ndaj edhe frika e përhapjes së virusit Covid-19 është më e madhe. Sot Ministria e Shëndetësisë raportoi 44 raste të reja në gjithë vendin, mes tyre një 40 vjeçar nga Vlora.