Lokucionet e gjuhës shqipe
“flasin” anglisht

Lokucionet e gjuhës shqipe<br />“flasin” anglisht
Një libër i rëndësishëm për gjuhësinë shqiptare bëhet pjesë e rrjetit të botimeve shkencore ndërkombëtare. Scholar’s Press, një nga botuesit e njohur në fushën e shkencës dhe të arsimit me seli në Gjermani, ka botuar disa muaj më parë monografinë shkencore “Lokucionet në gjuhën shqipe” të prof. Haredin Xhaferit. Libri është rezultat i një studimi të plotë, të shtrirë në disa vite kërkimi shkencor plot pasion dhe dashuri për gjuhën shqipe. 

Lokucionet janë një fushë e veçantë studimi në gjuhën shqipe, me problemet dhe çështjet e shumta e të ndërlikuara, disa prej të cilave janë ende të pazgjidhura. Prej specialistëve të gjuhësisë ato konsiderohen si njësitë gjuhësore më pak të studiuara deri në ditët e sotme.

Duke treguar përpjekjet e shumta për të arritur deri tek ky botim interesant me vlera të spikatura, autori Xhaferi thotë se gjuhësisë shqiptare i ka munguar një trajtim i plotë dhe tërësor i këtyre njësive gjuhësore, prandaj nuk pati asnjë mëdyshje kur vendosi t’i hynte një pune të lodhshme për hartimin e kësaj monografie.

Sipas autorit, synimet në vepër lidhen me trajtimin më të gjerë të konceptit mbi lokucionin; me dallimin nga njësitë e tjera të afërta me të (fjalët e përbëra e të përngjitura, togfjalëshat e lirë, togfjalëshat e qëndrueshëm frazeologjikë gjuhësorë dhe ata letrarë); me identifikimin dhe përcaktimin e kufijve të tyre. Ndërsa objektivi kryesor ka qenë trajtimi sa më i plotë strukturor i lokucioneve, duke u mbështetur në struktura analitike të njohura në gjuhën shqipe. Krahas analizës strukturore, pasqyrohet edhe vlera e tyre kuptimore, sipas sinonimisë me pjesët e ligjëratës.

Në monografi trajtohen grupet e lokucioneve sipas barazvlerës kuptimore me një kategori të caktuar leksiko - gramatikore. Disa nga këto grupe nuk janë trajtuar në literaturën tonë gjuhësore ose janë trajtuar në mënyrë jo të plotë. Lokucionet e secilit grup mund të bëhen objekt i një studimi të veçantë më të hollësishëm.

Lënda që trajtohet në libër, është grumbulluar nga gjuha e folur, nga literatura e shkruar artistike e publicistike dhe nga fjalorë të ndryshëm, duke pasqyruar, në radhë të parë, lokucionet me përdorim më të përgjithshëm dhe me shtrirje mbidialektore, pa lënë mënjanë edhe ato me përdorim dialektor. Në monografi janë dhënë edhe shembuj të përdorimit të lokucioneve në fjali, për të zbuluar më qartë vlerat e tyre kuptimore nëpërmjet lidhjeve me njësitë e tjera.

Në vlerësimin e recensentëve prof. dr. A. Duro dhe prof. dr. A. Lamaj, monografia konsiderohet si një hap më tej i arritjeve të deritanishme për studimin e lokucioneve në gjuhën shqipe dhe shërben si mbështetje për studime të tjera më të thelluara për lokucionet në përgjithësi ose për grupe të veçanta të tyre.

Ky botim i plotë, i pari në anglisht i autorit Xhaferi vjen pas shumë studimesh të tjera me interes nga fusha e leksikut, dialektologjisë dhe e gramatikës së gjuhës shqipe. Ai ka hartuar disa monografi dhe disa tekste për shkollat e larta, si: Tomorica në vështrimin gjuhësor, Formimi i fjalëve të leksikut dialektor bimor dhe shtazor, Fjalorth toponimik i Tomoricës, Gramatika shqipe 2 (Koncepte dhe ushtrime), Morfologji e gjuhës shqipe, Sintaksë e gjuhës shqipe etj.

Prof. as. dr. Haredin Xhaferi ka një përvojë pune të gjatë si pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë dhe, së fundi, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Për të gjithë të interesuarit, libri shitet në amazon dhe mund të gjendet duke klikuar në linkun: 
http://ëëë.amazon.com/Locutions-Albanian-language-Xhaferi-Haredin/dp/3639763483/ref=sr_1_1?s=books&ie=UTF8&qid=1441883541&sr=1-1&keyëords=Locutions+in+Albanian+language.
 
 
SKEDA E LIBRIT
Locutions in Albanian language
by Xhaferi Haredin (Author)
Paperback: 144 pages
Publisher: Scholar’s Press
Language: English
 


Libri i ri, “Vetëvrasja e ëndrrës”, një uniuvers që krijohet nga një ëndërr

Romani “Vetëvrasja e hënës” përshkruan një univers që krijohet nga një ëndërr. Dhjetëra hollësi të kësaj ëndrre shpalosen përgjatë tekstit që nën veshjen syrealiste ka një substancë realiste. Ngjarja zhvillohet në një dhomë shtëpie, natën. Hëna, mysafire e rastit, e shpirtëzuar dhe e metamorfozuar në grua, është personazhi kryesor. Referencat e ndryshme kulturologjike ndërtojnë me tekstin një enciklopedi të vogël, e cila luan me të vërtetën përballë realiteteve të ndryshme të perceptimit.

Letërsia sot, thotë Jean Ricardou, nuk është thjesht “Përshkrimi i një aventure, por aventura e një shkrimi”. Romani Vetëvrasja e hënës përpiqet ta  sendërtojë këtë ide në të gjithë elementet e përmbajtjes dhe formës, me gjendjet e veçanta, me imazhet, me ligjërimet e rralla e të papritura që e mbajnë gjallë bisedën e çuditshme natore e që komunikojnë një estetikë të re.

Ai paraqet edhe një risi shkrimore në transmetimin e përvojës letrare, me prova të ndryshme ligjërimore e me elemente të tjera që futen natyrshëm në tekst. Nga ana tjetër ky është një realitet që e ruan nënvetëdija, është metafizika e shpirtërores. Një libër i tillë përmban epërsinë e një subjekti fragmentar që shpesh i kumton lexuesit se tekstet e hapura janë të pafundme. 
Haredin Xhaferit

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Rezultati u vendos me fotofinish, Noah Lyles njeriu më i shpejtë në botë

Paris 2024/ Rezultati u vendos me fotofinish, Noah Lyles njeriu më i shpejtë në botë