Ky grup, që vepronte në Londër dhe Anglinë jugore, udhëhiqej nga shtetasi Lulëzim Zefi, 36 vjeç, i cili përdorte korrierë profesionistë, të cilët përmes makinave të modifikuara transportonin drogën.
I gjithë grupi u vu nën survejim për dy muaj nga oficerët e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar, NCA. Katër prej korrierëvë të Zefit u kapën më 27 prill 2017 teksa po dërgonin 9 kg kokainë në një parkim në zonën Brentford.
Kokaina iu kap shtetasve Admir Simeqi, Gjergji Marku, Admir Bici dhe Ramadan Doçi. Droga e sekuestruar kapte vlerën e 720.000 stërlinave.
Pak pas arrestimit të katër korrierëve do të prangosej edhe lideri i këtij grupi kriminal, Lulzim Zefi, së bashku me Valon Bajgorën dhe Valentin Malocajn, në një restorant në lagjen West Hampsted.
Kamel Safieddine, pjesë e grupit do të arrestohej pasi Zefi dhe Bajgora i dorëzuan 153.000 stërlina. Këtij grupi iu sekuestruan edhe 110.000 stërlina gjatë një kontrolli në një nga banesat e përdorura prej tyre.
Gjithashtu u kap edhe korrieri i parave, një shofer maqedonas i cili i fshihte paratë në gomën e kamionit. Atij iu kapën 212,000 euro, në të cilët u gjetën shenja të gishtërinjve të Valon Bajgorës.
Ky grup kriminal mori këto dënime:
Lulëzim Zefi, 12 vite burg;
Valentin Malocaj, 8 vite burg;
Valon Bajgora, 8 vite burg;
Gjergji Marku, 6 vite burg;
Ramadan Doçi, 6 vite burg;
Admir Simeqi, 6 vite burg;
Admir Bici, 2 vite e 8 muaj burg;
Kamel Safieddine, 2 vite e 8 muaj burg.
G.F / Shqiptarja.com










