LONDËR, 12 mars /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik, David Cameron ka vendosur të refuzojë ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin për të marrë pjesë në ceremoninë me rastin e 70-vjetorit të fitores mbi nazizmin, më 9 maj në Moskë, njoftoi sot Downing Street.
"Ne nuk parashikojmë që kryeministri të marrë pjesë në këto ceremoni", deklaroi një zëdhënës duke e lidhur këtë vendim me krizën ukrainase.
Downing Street nuk përjashtoi gjithashtu faktin e dërgimit nga Britania e Madhe të një përfaqësuesi të rangut të dytë.
"Ne do të studiojmë përfaqësimin tonë duke parë diskutimet që do të vazhdojnë me Rusinë dhe shqetësimin tonë përsa i përket reagimeve të saj", theksoi ai duke kujtuar se së fundi nuk ka pasur vizita ministeriale.
Parada ushtarake parashikuar në Sheshin e Kuq në Moskë do të zhvillohet dy ditë pas zgjedhjeve legjislative në Britaninë e Madhe, rezultati i të cilave është pak i sigurt për Cameron.
E përditshmja britanike "Daily Telegraph" nënvizoi në artikullin e saj në internet se ishte e pazakontë për Downing Street të përjashtojë një pjesëmarrje në një ceremoni shumë kohë përpara, ndërkohë që ajo do të zhvillohet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 7 majit, që nënkupton se Cameron nuk mund jetë më në funksion.
E përditshmja e gjykoi gjithashtu të pazakontë që Downing Street jep një justifikim politik për mungesën e kryeministrit në një ceremoni kaq të rëndësishme./
/ec/












