Britani e Madhe- Terrorizmi godet përsëri Londrën. Një makinë tip “Ford Fiesta” ngjyrë gri, goditi barrierat mbrojtëse në hyrje të parlamentit anglez në orës 7:30 të mëngjesit të së martës. Si pasojë disa kalimtarë në trotuar janë plagosur. E gjithë zona u rrethua menjëherë nga forca të shumta policore të armatosur ndërkohë një helikopter monitoronte situatën gjatë të gjithë kohës nga ajri.
Policia londineze thotë se ky sulm është duke u trajtuar si një akt terrorizmi. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar shoferi automjetit një 20 vjeçar i cili banonte në zonën Midlands. Ai nuk ka pranuar ti përgjigjet pyetjeve të oficerëve të anti terrorit britanik që po udhëheqin hetimet.
Burime policore i thanë televizionit Sky News se autori sulmit nuk ishte i njohur për autoritetet e sigurisë por i skeduar vetëm nga policia lokale në Midlands ku ai banonte.
Vetëm disa orë pas incidentit është hequr kordoni rrethues i policisë dhe ka nisur lëvizja normale.
Po ecja në anën tjetër të rrugës kur dëgjova disa zhurma dhe dikë që bërtiste, u ktheva dhe pashë një makinë gri që u përplas. Personi që ngiste makinën nuk po dilte nga ajo.
Është shprehur një dëshmitar okular
Kryeministri Tereza May tha se i uronte shërim të shpejtë të lënduarve në këtë incident dhe falenderoi ekipet e policisë dhe shërbimeve te emergjencës për të vepruarin me shpejtësi dhe kurajo.
Ngjarjen përmes një toni të ashpër e komentoi përmes një statusi në Twitter edhe Presidenti amerikan Donald Trump ku thotë: Një tjetër sulm terrorist në Londër. Këta kafshë dhe të çmendur duhen trajtuar me dorë të fortë dhe vendosmëri.
E gjithë zona Westminster prej më shumë se 18 muajsh është në gjendje alarmi pas sulmit të fundit terrorist, ku mbetën të vdekur 5 persona dhe 50 të tjerë u plagosën.