Lonely Planet: Në Shqipëri ndodhet parku i parë kombëtar në Europë kushtuar një lumi 'të egër'

Lonely Planet: Në Shqipëri ndodhet parku i parë kombëtar në Europë kushtuar një lumi 'të egër'

Lumi Vjosa

Platforma e njohur e udhëtimit Lonely Planet, ka shkruar për shpalljen e lumit Vjosa si park kombëtar, duke vlerësuar punën e palodhur të ambjentalistëve për të bindur autoritetet shqiptare.

Shqipëria, ku prezenca turistike pothuajse u dyfishua vitin e kaluar në krahasim me atë të mëparshëm, prej disa kohësh ka pasur një forcë të shtuar: një nga lumenjtë e saj është shpallur park kombëtar.

Puna e palodhshme e ambientalistëve ka bindur përfundimisht autoritetet shqiptare, që të vënë nën mbrojtje lumin Vjosa, i cili buron në veriperëndim të Greqisë, kalon nëpër Shqipëri dhe derdhet në det në Vlorë.

Kjo rrugë ujore 270 km e gjatë, vërtet e egër me një rrymë të vrullshme – gjë e rrallë në Europë – është gati të mirëpresë vizitorët në kërkim të aventurës, duke përfshirë ecje, kamping, rafting dhe aktivitete të tjera.

Mbi 1110 lloje shtazore dhe bimore jetojnë në ujërat e Vjosës dhe në territorin, që përshkohet nga lumi. Atje ndodhen dy specie bimore dhe 13 kafshë të rrezikuara: kategoria e fundit përfshin rrëqebullin ballkanik (prej të cilit thuhet se kanë mbetur vetëm 15 ekzemplarë), vidrën dhe shqiponjën egjiptiane.

Krijimi i parkut të ri përfaqëson një rezultat të madh për sektorin e turizmit shqiptar: vendi fiton prestigj dhe atraktivitet dhe udhëtarët e vëmendshëm ndaj çështjeve mjedisore kanë një destinacion të ri të përshtatur sipas dëshirave të tyre.

Për të zbuluar Vjosën, udhëtoni përgjatë autostradës SH4 nga qyteti jugor i Sarandës, në bregdetin Jon të Shqipërisë së Jugut, në qytetet e Tepelenës dhe Memaliajt, një rrugë që kalon nëpër peizazhe të mrekullueshme.

Vendet më të mira për të parë parkun e ri kombëtar të lumit Vjosa

Vjosa konsiderohet nga shumëkush si “lumi i fundit i egër në Europë”, ku i egër do të thotë pa argjinatura dhe diga përgjatë gjithë rrjedhës së tij.

Një nga mënyrat më të mira për të vlerësuar plotësisht fuqinë e Vjosës është të bëni rafting në ujërat e saj. Lonely Planet rekomandon të merrni pjesë në një turne aventure, që niset nga qyteti i Përmetit; kohëzgjatja mund të ndryshojë nga dy orë në disa ditë, në varësi të preferencave të pjesmarrësve.

Atyre që nuk u pëlqejnë shumë aktivitetet, mund të eksplorojnë Përmetin, një nga vendet më të gjelbra dhe më të ruajtura në të gjithë vendin (i njohur si “Qyteti i Luleve”). Relaksohuni në banjat termale në Bënjë ose shijoni ushqimet dhe verërat e shijshme, që gjenden vetëm në këtë zonë të Shqipërisë.

Nëse doni të bëni një foto perfekte të Vjosës, shkoni në kthesën e lumit, që është gjysmë ore me makinë nga Përmeti. Me peizazhe përrallore malore, ky vend do t’ju lërë pa fjalë në çdo kohë të vitit që vendosni ta vizitoni.

Një tjetër destinacion, që vlen të merret në konsideratë është qyteti i vogël i Tepelenës, i cili ndodhet në Vjosë. Në breg të lumit ka disa kafene dhe restorante, ideale për t’u çlodhur dhe për të shijuar pamjen duke pirë një pije ose duke darkuar me ushqim të shkëlqyer.

Jashtë Tepelenës ka disa burime natyrore në shkëmbinj me ujë të pijshëm të freskët. Për të parë lumin nga afër mund të ecni edhe nëpër urën e Ali Pashës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

Buxheti për 2025, Veliaj: Transport falas për të gjithë pensionistët në Tiranë, ja si do bëhet regjistrimi për abonenë

Buxheti për 2025, Veliaj: Transport falas për të gjithë pensionistët në Tiranë, ja si do bëhet regjistrimi për abonenë