Lorenc Vangjeli: Ca pak orë luftë për të 'pushtuar' Athinën me degë ulliri

Lorenc Vangjeli: Ca pak orë luftë për të 'pushtuar' Athinën me degë ulliri

Rama në Athinë

Është e pabesueshme lehtësia marramendëse me të cilën ballkanasit luajnë aktet e tyre më serioze. Ato që kushtojnë jetë dhe kushtëzojnë jetë. Që përpara se “Migjeni” i Air Albania-s të ngrihej në ajër nga Nënë Tereza, si për të vërtetuar se në këtë skaj të Evropës, pushtuesit më të mëdhenj kanë qenë poetët, fjalori luftarak kishte përmbytur bisedën e një aradhe të çuditshme udhëtarësh. Ishte një çetë “ushtarake” e veshur me xhinse që po udhëtonte nga pika e mëngjesit në një pikë të panjohur të Athinës, në të parin takim të një kryeministri me diasporën shqiptare në Greqi. Po fluturonte nga ndoshta i vetmi vend që kurrë nuk kishte nisur ndonjë ushtri pushtuese ndaj ndonjë vendi tjetër. Me plan kthimi mbrëmjen, çeta po mësynte vendin që e mban ende në arkiva, që prej agimit të Luftës së Dytë Botërore, ligjin e luftës me Shqipërinë dhe plot një vit mbasi një pikë e vetme helmi, helmoi dashuriurrejtjen reciproke mes dy vendeve. .

Një çetë plot dilema

Fillimisht u shpërnda dilema nëse Migjeni do të mund të zbriste deri në aeroportin Eleftherios Venizelos, dhe më pas, në rast shpërthimi në ajër, ku do të shpërndaheshin rrënojat e tij të shkaktuara nga një bombë në bord. Nuk kishte dilema për vajin dhe gazin që do të shpërthente në Tiranë dhe rijetimin e bindjes se plot të tjerë do të thoshin se bomba i kishte dhënë Shqipërisë atë që nuk ja jepte dot vota që prej 11 vjetësh. Madje as pas një viti tjetër, në 2025-ën. Rënia e mundshme e avionit do të zgjidhte njëherësh jo vetëm raporte të ngurtësuara politike në vend, ku shkërmoqja e PS-së ishte basti me koifiçientin më të ulët se do të ndodhte, por ai do t’i jepte udhë e zgjedhje dhe një numri të pabesueshëm konkurencash mediatike me lënien e kësaj bote nga disa prej protagonistëve më të zhurmshëm të botës së vogël shqiptare. Pa Ramën mbi kokë, të paktën deri në zgjedhjet e parakohshme, qeverinë do të synonte ta drejtonte fituesi i sherrit deri më tani të padukshëm brenda PS-së, kurse pa Elisën në parlament, opozita e parlamentit do të ishte shumë më e qetë. Pa Fevziun dhe Meron, do të humbte Opinioni dhe TemA, ndërsa Batonin, meqë Ikja pakthim i bën të gjithë të mirë, edhe armiqtë e tij laramanë, edhe armiqtë e maskuar si miq, do ta quanin burrë të mirë. Pavarësisht parashikimeve ogurzeza, Anila vazhdonte e paepur të fliste për temën më të vjetër të bisedave njerëzore duke marrë rob edhe vëmendjen e Indritit dhe Ilirit që bënin si të pandjeshëm nga lloj bisede. Rudina ishte ulur fatkeqësisht disa sedilje më pas dhe dremitja i hoqi protagonizmin në ajër që nuk ka dëshirë ta lerë mangut në tokë. U zgjua vetëm kur Rama bëri një shëtitje duarshtrënguese me bashkudhëtarët, i ndjekur nga Linda dhe Endri i tij. Rama më pak, Endri më shumë se Rama dhe Linda më shumë se të dy së bashku, ndenji në këmbë duke folur me pothuaj secilin nga “luftëtarët” e çetës shqiptare. Me nga një batutë për secilin dhe me një “Na vaftë mbarë!”, prej gjithkujt, fati i përbashkët i secilit në ajër, e bënte çdonjërin nga udhëtarët më të dashur me tjetrin në krah, edhe nëse bashkurrehen pastërtisht siç dinë vetëm shqiptarët ta bëjnë me njëri-tjetrin.

Dilemat e tjera që nuk po i zgjidhte dot askush vinin dhe nga padakortësia nëse do të kishte më shumë gaz apo vaj në Tiranë kur të merrej vesh tragjedia ajrore. Natyrisht, edhe mbasi secili bënte nekrologjinë vetjake, asgjë e tillë nuk ndodhi. Madje edhe çeta luftarake, me një komandant kryeministër në krye, por që për të tillë e njihnin vetëm tre-katër rreshtat e para të sediljeve të avionit, ministrat e tij, ishte pa armë. Në këtë kategori hynte vetëm fjalimi sekret i Ramës dhe fjalët që do të mbanin anëtarët e kabinetit, Elisa, Majlinda, Romina, por edhe Klosi. Të tjerë ishin mjaftuar vetëm me celularët si armë dhe me kureshtjen e asaj që pritej të ndodhte: reporterë dhe disa analistë të studiove të mbrëmjes po vinin të shihnin me sytë e tyre se çfarë do të ndodhte në Greqi, ku niste turi i Ramës me diasporën.

Si zakonisht, në Ballkan mitet kanë më shumë peshë se e vërteta e thjeshtë. Besohet më shumë çfarë është e pamundur sesa ajo që ndodh përpara syve të secilit. Dhe gjithë ajo lavë e nxehtë kundërshtuese që kishte ardhur në greqisht kundër mitingut të pritshëm, vetëm sa i kishte dhënë në mënyrë të pamerituar, shijen e mitit të kërcënuar një të vërtete fare të thjeshtë. Madje edhe ndeshjen me një mit. Për ditë të tëra, me një uniformitet si pika që i ngjan pikës dhe që duhet të ngjallë zili në Tiranë, Athina zyrtare, pozita dhe opozita, por edhe media në një korr pa asnjë zë që të stononte, e kishte refuzuar mitingun, e kishte konsideruar provokim dhe të papranueshëm. Madje, nën tryezë ishin vënë edhe hile të vockla fare-fare, të llojit nuk kemi ku gjejmë sallën e duhur, nuk afrojmë dot sigurinë e duhur dhe nuk është e duhur as koha për miting me emigrantë. Nuk e ka thënë ende njeri dhe nuk dihet se deri ku shkon e vërteta, por ndërsa kryetarit të bashkisë i hidhnin demokratët molotov tek dera dhe të majtët helm Ramës tek veshi, ai me homologun e tij grek të Athinës takohej një muaj më parë po në Athinë, dy javë më parë në Paris e plus me telefon deri minutën e fundit për sallën, siç “akuzonin” vetë grekët se sallën jua morri Veliaj e të tjerë nga Tirana. Bashkë me grekët e frontit e në korr me ta, edhe opozita refraktare shqiptare, edhe media pranë saj, luanin fiks të njëjtin avaz, të të njëjtit pentagram. Të mësuar t’i dhurojnë dashuri qelepir kujtdo për hir të urrejtjes ndaj Ramës, mbi idenë e Ramës për tur në diasporë, u hodhën shumë më shumë gurë sesa do të pranonte logjika e më shumë baltë sesa do të pranonte dhe vetë balta. Duke bërë në të dy rastet, efektin e përkundërt: duke reklamuar mitingun nga Athina, po me çmim badiava dhe duke ngritur një mur ndarës mes atdhedashësit dhe atdheshitësit me gurë falas nga Tirana. Në fakt, pa qenë askush pronar i dashurisë për atdheun, së paku një palë e bëri një copë betejë si asqer gratis për kundërofensivën greke.

Në më pak se një orë fluturim dhe përpara se avioni të ulej në aeroport pa ndodhur natyrisht asgjë, të gjitha problemet me ekuipazhin e tij luftarak ishin zgjidhur në mënyrën më të lehtë të mundshme dhe me municionin tipik shqiptar që i jep fund çdo dileme. Arma sekrete, prodhim vendas, “Vari tr…pin!”, shpërtheu me sukses të plotë dhe çeta u ngrit padurimthi në këmbë përpara se avioni të kishte ndaluar plotësist në pistë.

Policë me automatikë në pistë dhe një helikopter në ajër

Avioni ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarake. Me automatikë në duar. E vetmja shenjë e mirë ishte se rrinin me kurriz nga avioni, çka bindi dhe më skeptikët që vazhdonin të bënin humor se me të gjitha gjasat nuk do të kishte të shtëna dhe atentat të shumëfishtë në aeroport. “Kaq ushtri kam parë në Afganistan”, tha Anila. “Kështu ishte në Kenia, Fevzi”, tha Batoni. Sa më i madh në numër armiku, aq më e madhe është edhe lavdia e atij që ndeshet me të; ndaj kaq mjaftoi që krenaria kombëtare të merrte qiellin sërish.

Gazetarët zbritën të parët nga avioni dhe ndërkohë që shumica e tyre nisën të bëjnë selphie me avion në sfond, kolegët e tyre grekë ishin bërë gardh me kamera. Nëse i shihje pa shumë vëmendje dhe pa hapur gojën që secili të fliste në gjuhën e vet, nuk dalloje asnjë diferencë mes tyre dhe kolegëve shqiptarë. E njëjta fizionomi, i njëjti stil veshjeje, edhe pse ata ishin gjithashtu “armiku” i çetës. Trupa mediatike nga atdheu u nda në dy autobuzë me shoferë që flisnin shqip dhe pak përpara tyre, eskorta e Ramës, me një shpurë makinash dhe furgonësh të zinj u nisën përpara drejt befasisë së parë. Autostrada që të çonte drejt stadiumit të mitingut ishte bosh, si në kohën e pandemisë. Në çdo dalje të saj qëndronte një makinë policie që bllokonte trafikun. “Vetëm për Bushin e kanë bërë kështu”, tha Fevziu, më i shëtituri ndër gjithë gazetarët dhe që po për këtë fakt, ka dhe armiqësitë më të mëdha të fshehura me gazetarë të sërës së tij, por jo të stilit të tij. Helikopteri që fillimisht u shenjua si pjesë eskorte kishte hallin e vet. Ishte civil dhe u zhduk shpejt nga vështrimi. Të paktën kështu besoi vëmendja e të gjithëve që tashmë ishte përqëndruar gjetkë. Gjithë ai organizim sigurie, kishte përkëdhelur sedrën e gjithësecilit, që nuk besuan më as shifrën prej 1500 punonjësish policie që ishin angazhuar në operacionin e sigurisë. “Ka shumë më shumë civilë”, shkëmbenin opinione strategësh shqipot që po turreshin në vendin që e njihnin mirë. Që e njihnin mirë nga letërsia antike, nga muzika, nga afërmit, plazhet, buzuqet, kazinot, dashuritë apo edhe emigracioni i pjesshëm vetjak. “Unë kam qenë 17 ditë emigrant në Athinë”, tha Mero.

Nga brenda arenës Galatsi ku shqiptarët kishin proftasur që në sabah herët, kishin ardhur prej kohësh fotot e para. “Esht’ mush tumllas!”, ishte tashmë bindja e parë, e cila nuk kishte të krahasuar me atë që do të shihnin sytë e të gjithëve gjysëm ore e kusur më vonë. “O Lenc, është plot jo thjesht me njerëz, por me entuziazëm! As në mitingjet mbas zgjedhjeve nuk e kam parë këtë frymë”, bërtiste, por nuk dëgjohej në telefon Damiani që kishte gdhirë ndërkohë disa netë greke në Athinë përpara ditës së takimit. Por as fotot dhe as Damiani vetë nuk ishin në gjendje të tregonin çfarë po ndodhte brenda asaj salle vibrante me nerv, mezipritje, pasion, revansh, dhembje, dashuri, urrejtje e mall të robit për robin dhe me më shumë mall akoma për dinjitetin e dikurshkelur dhe tanigjetur. “Postoblloku” i parë drejt sallës ishte krjuar nga një grup protestuesish që mallkonin Ramën. Në atë atë atmosferë të ndezur ata ishin fiks në vendin që duhej, por ngjanin si një tufë me hudhra të thatë mbi kremin e një torte. Ishte hera e parë dhe e fundit që u përmend Bejleri. Zërat që thoshin emrin e tij nuk dëgjoheshin, por një pankartë e madhe, një beze e bardhë me gërma blu,që e quante Ramën autokrat, ishte qartësisht e dukshme. Ashtu siç e vizatojnë në bllok kundërshtarët e tij dhe siç e kanë pranuar pa fjalë si efekt anësor të pushtetit që ju dhuron, përkrahësit e tij. Edhe njëherë, sa më i gjigant Bajlozi, aq më i madh heroizmi i atyre që presin ta mundin mbas 11 vjetësh lëngatë në opozitë.

Plot, plot, sa plot, more!

Mbasi ishin refuzuar shumë opsione, mbasi ishin bërë shumë oferta dhe kundëroferta, mbasi kishin qarkulluar shumë legjenda urbane në segmentin Tiranë-Athinë, e diela e dytë e majit, fiks mbas një viti kur Adamët nga Tirana e Athina, këputën mollën e ndaluar nga pema e helmuar në mes të Himarës, çeta e “pushtuesve” kishte zbarkuar në stadium. Për ditë të tëra, Greqia zyrtare, mediatike dhe ajo informale u sollën si ato vajzat e bukura që bëjnë të vështirën deri në minutën e fundit, pa kuptuar se kjo gjë e bën edhe më të fortë ekstazën në çastin e triumfit. Që në këtë rast, zgjati nja dy orë të mira, mes frymës së Erës dhe zhurmës së Noizit. Njëra me të kuqe kokë e këmbë, tjetri me të zeza dhe të dy bashkë, veshur kuq e zi si dhjetra flamuj kombëtarë që valëviteshin në një sallë me disa mijëra shpirtëra të eksituar nga magjia e herës së parë. Në skenë ishte një flamur dixhital gjak e shkabë, kurse anash tij ishin ngritur në shtizë flamuri i Evropës së Bashkuar, i Greqisë dhe flamuri shqiptar në mes. Fillimisht të gjithë u ngritën në këmbë për himnin kombëtar. Eshtë e pabesueshme sesa ndryshe tingëllon muzika më e njohur në Shqipëri kur dëgjohet jashtë Shqipërisë. Shumë më fort, më drithëruese dhe ngjethëse. Pasoi Odea e Gëzimit dhe shpërthimi i Bethovenit, që pikturoi ëndrrën si Evropë përpara se ajo vetë të bëhej Evropë e Bashkuar. Dukej gjithashtu si himn shqip në Athinë. Me të gjitha gjasat, do të kishte qenë shumë më mirë, që nëse organizatorët do të kishin idenë se për çfarë do të fliste Rama një orë më pas, të kishin ftuar në sallë edhe muzikën e Mantzarosit dhe tekstin e Dionysios Solomosit për “…eshtrat e shenjta të helenëve që u ngritën përsëri trimërisht për të përshëndetur lirinë”.

Dhe vazhdoi ajo që kishte filluar. Akti i parë i dramës që në Ballkan e luajnë gjithmonë me tone tragjike, kishte ngritur perden e rëndë të saj. Në Athinën me aromë jargavanësh nga Argirosi dhe dashurinë plot lot e psherëtima të Dalarës, nën hijen e përjetshme të Akropolit, nga AlbA në Mbrëmje për dy mijë vjet rresht, kishte ardhur një grusht luftëtarësh shqiptarë me degë ulliri në duar. Athina mou sepse Athina është për të gjithë!

Vala e para e sulmit, nisin zonjat të parat

Fjalimet patën rradhë. E para ambasadorja shqiptare në Athinë me mbiemër të rëndë nga ati dhe me një emër që e futi ndershmërisht në kronikat e ditës, Luela Hajdaraga Gila, pastaj Romina e Majlinda, secila me një histori familjare greke në gjak si për të treguar se edhe pse jemi të zemëruar me njëri-tjetrin, edhe pse nuk jemi vëllezër me njëri-tjetrin, duam apo nuk duam dhe më mirë të duam se mos duam, jemi kushërinj dhe krushqi e gjerë me grekët.

Elisa nuk i shpëtoi tundimit të rrëfente dhe ajo lidhjen e dikurshme të familjes së saj me Greqinë. Me një regji e tekst që me të gjitha gjasat e kishte paradhënë vetë Rama si prolog të asaj që ai vetë do të deklamonte më pas, Elisa tha se gjente copëza Shqipërie në Athinë dhe gjithë Greqinë, se vinte me mall zemre për zemrat që flisnin shqip, duke kujtuar kohën kur shqiptarët ishin viktima të një sistemi kriminal si komunizmi dhe me krimin e të qenit të varfër dhe të pangrënë shkuan në Greqi ku gjetën strehë, bukë, por dhe dhembje dhe poshtërim. Por me kohët që ndryshuan dhe me Shqipërinë e rritur që ka për kryeministër një ish-emigrant, qeveritarët e nesërm të Shqipërisë mund të vijnë dhe nga emigracioni në Itakën e tyre të përjetshme, i tha Elisa një turme që më shumë se dëgjonte çfarë thuhej, priste të thoshte se ç’po ndodhte.

Klosi ishte i lodhur. Edhe pse puna e tij normalisht kishte mbaruar mbasi bashkë me Damianin, Ad Çelën dhe dhjetra të tjerë nga Tirana kishin mbushur sallën, atij ju desh sërish të thoshte dy fjalë të duartrokitura. Me tutje Gledisi ishte “stari” i një grupi maramendës elbasanasish nga Selaniku.

Një plumb për një luftë të madhe, një fjalim për pak paqe qoftë dhe të vogël

Nuk ishte i qetë. Pesha e turmës që priste diçka të veçantë përpara tij ishte pothuaj e pamundur të mbahej bashkë me ato mijëra orë që kishin kaluar që nga 12 maji i vitit të shkuar me nisjen e gripit vjetor, krizës ciklike mes dy vendeve, mes lumenjve të mallkimeve pa adresë dhe bekimeve të pamerituara nga nacionalistët e të dy palëve, mes sojit të gomerëve të panumërt që vazhdojnë të hedhin shkelma dhe mizave që nuk mungojnë kurrë në funeralet e tyre, mes pushtetit të traditës që sheh armik tek i ndryshmi dhe me trashëgiminë e qindra mijëra fateve të leckosur dikur, në një botë të egër, që krim më të madh dhe të paapelueshëm quan varfërinë. Vetëm duke qenë në Galatsi, Rama si individ kishte fituar një betejë, por triumfi i luftës së tij nuk ishte as entuziazmi i bashkatdhetarëve, as rrëmeti që i kishin parapërgatitur bashkëqytetarët e tij opozitarë në Tiranë, as rreshti i vartësve të tij, që do ta duartrokiste njëlloj dhe madje as se çfarë do të thoshte Micotaqis në zyrën e tij apo burokratët e Evropës me kokëdhembje nga sherret e pakuptueshme ballkanike që shpiken për hiçmosgjë dhe mbesin shtatazanë me hiçmosgjënë çdo herë që marrin frymë dhe marrin frymë veçse për sherr. Njëlloj siç ka bërë prej vitesh në Tiranë, ai donte t’i çonte një mesazh historisë së nesërme që ai është njeriu i premtuar që një fat i bardhë ja fali Tiranës, njëlloj siç kanë menduar tre-katër shqiptarë të tjerë përpara tij dhe fiks njëlloj si çdo shqiptar tjetër i zakonshëm që është i bindur se po të ishte mbret vetëm për 24 orë, do të shpëtonte gjithë botën. Pa dyshuar asnjë çast se vlen më shumë se hapësira e ngushtë e Shqipërisë, fiks ashtu siç përshkruan gjeniu Kadare paraardhësit e tij krenarë që qeverisnin dynjanë nën flamurin e dikurshëm të ish-perandorisë otomane, ky ishte edhe keqkuptimi i tij ndoshta në çdo ditë qeverisjeje në Tiranë, por realizuar si nga askush tjetër më parë si ai, të dielën e dytë të majit 2024 në Athinë. Duke nisur me atë që e dinë të gjithë, por vetëm pakkush, tmerrësisht pak njerëz e kanë thënë më parë nga Tirana: Së paku në Greqi, të varfërit dhe të pangrënët e djeshëm, tani janë një realitet i paprekshëm. Që nesër, mund të jenë edhe një faktor elektoral. Kush nuk kupton këtë gjë, është ose budalla, ose maskara! Ose është Dora Bakojanis që mendon ndryshe. Së paku në Tiranë, lista e maskarenjve budallenj zgjat sa një numerator i dikushëm telefonash.

“…nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, i tha Rama një publiku inkandeshent nga pozita e vëllait të madh, bashkëzotërve të shtëpisë ku kishte shkuar si mik. Pjesa tjetër ishte politikë. Ishte emocion. Ishte populizëm pragmatik dhe pragmatizëm politik. Ishte degë ulliri dhe thupër thane, ishte lutje dhe ofertë, ishte miqësi për Athinën duke menduar Tiranën politike dhe ishte përballje me grekët si pjesë e planit për përballjen e nesërme elektorale në Tiranë, ishte aktrim në shkallën kur vetë pjesa që deklamon vret aktorin dhe e bën atë më të vërtetë se maska që rasti, fati, sjellja dhe vetëndjerja e vendosin në fytyrën e politikanit. Rama ishte në atë orë të së vërtetës së tij, ai që do të donte të ishte dhe ai që duhej në të vërtetë të ishte. Ishte individi i sjellë nga Migjeni në Athinë i mbajtur jo nga këmbët e veta, por nga detyrimi për të qenë ashtu siç e lyp interesi i shqipove për të pasur kryeministrat e tyre. Mbas eskursioneve nga viset e thata e të mërzitshme për shifra shkëmbimesh tregtare, Rama u yrysh tek skutat e ndriçuara në mënyra të ndryshme të historisë, nga lufta mes Athinës dhe Spartës shkaktuar nga sherret në Dyrrah, sipas tij dhe u shpërngul tek çadra e përbashkët e NATO-s. Rama herë bubulliu për Bubulinën dhe herë linte pa emër laskarët e shumtë këtej e andej kufirit që shpikin sherr për hir të sherrit dhe që i rrinë pantallonave të atdheut si p..rdhët në shtratin e seksit.

Mbas çdo pyetjeje, një ofertë, mbas çdo kërcënim, një rrethrrotullim balerine, mbas çdo helmi, kundërhelmin, deri në aksiomën e krenarisë helene, që kush desh e kuptoi siç duhej: Grek lind, por nuk bëhesh, por të jesh grek, nuk është kusht i vetëm dhe i mjaftueshëm që të jesh evropian!

Në përroin e fjalëve që derdhi Rama për rreth një orë, mbi të gjitha dallohej ftesa për reciprocitet mes dy vendeve. Duke kujtuar se cilat janë sfidat reale të kësaj kohe me rrezikun e ngrohjes globale e mos-o-Zot, apokalipsin bërthamor, sherret shqiptaro-greke ngjajnë si një pikë helmi në një oqean halli. Edhe ai ligj absurd lufte që fle në arkiva, por që le rrugëve probleme fatesh njerëzorë dhe pronash të shenjta, është pjesë e një marrëzie mizorisht të vogël përballë halleve vërtet të mëdha të një dynjaje që pak do t’ja dijë për hallet e përbashkëta shqiptaro-greke.

Një plumb i vetëm mund të nisë dhe një luftë botërore. Ishte një plumb serb në trupin e një perandori austriak që e çoi botën në luftë. Mund të ndodhë që edhe një fjalim shqiptari në Athinë, të jetë draft i parë për një traktat paqeje. Me një kusht të vetëm: të ndryshëm, por të barabartë.

Dhe kaq, pastaj është kthimi

Aty ku fiton një burrë, me shumë gjasë ka triumfuar më parë një grua. Me përqafimin e Lindës së tij, Rama la skenën ku edhe nëse për skeptikun e fundit nuk bëri atë që duhej, të paktën ishte i pari që e bëri aty ku duhej! Dhe ju ra në gjunjë njerëzve të duhur.

Pjesa tjetër ishte prozë. Nga ajo e zakonshmja që luhet rëndom edhe në Tiranë, por atmosfera ishte kaq e ndezur sa edhe servilët e panumërt që nuk mungojnë kurrsesi rrotull pushtetit në ditët e tij të mira, atë drekë athiniote tingëllonin të sinqertë dhe të vërtetë.

Buka e ndarë në një restorant grek, vera e vendit, uzoja dhe tsipouroja e shuar me akull, edhe pse të derdhura lumë nuk mjaftonin për të penguar helmin që kishte nisur të derdhej në Tiranë. “Mua më quanin Spiro në Greqi”, tregonte Mero, si për të parashikuar se pavarësisht emrit të ndryshëm, ai është i njëjti individ. Njëlloj si ata shqiptarë që e shohin krejt ndryshe një të vërtetë të vetme që ndodhi në disa orë flakëruese në Athinë dhe që ndryshe e shihnin njerëz të mëritur në Tiranë.

Kamarierët shkonin e vinin dhe paranoja e trimëruar nga alkooli shpejt vuri re se “ata maskarenjtë kanë hequr edhe kamarieret shqiptarë sot nga lokali”. Ato ishin njëra më simpatike se tjetra, për hir të së vërtetës së votuar unanimisht, edhe pse askush nuk kishte halle estetike në atë harbim emocional, por vetëm shqetësime etnike. Fatmirësisht, më “kingia” tyre e mohoi në shqip paranojën. “Jam shqiptare nga Vlora”, i tha ajo Ermalit, kryetar bashkie në Vlorë. Dy vajza të tjera përshëndetën gjithashtu shqip, njëra me krahë, tjetra deri në gushë të tatuazhuara në Athinë

Kryepersonazhi

E megjithatë kryepersonazh i atyre ca pak orëve greke në Athinë nuk ishte kryeminstri. Dhe aq më pak ekuipazhi i Migjenit, ministra dhe gazetarë. Kryepersonazh ishte shqiptari i ardhur nga Athina dhe gjetkë nga Greqia, edhe ata që kishin kapërcyer kufirin ndonjë ditë më parë e që në mos vetë, e njihnin në fis lëkurën e emigrantit; ishte shqiptari pa emër i brezit te parë Vasili e Ladi, ishte brezi i dytë me Forin, Anxhelikinë e Marien e deri brezi i tretë me Kostandinin e Emilinë, Rebekën e Dhespinën, Dhanain e Natalinë, që i duan shqip baballarët e tyre grekë në krushqitë e përzjera që kërcejnë njëlloj edhe Pogonishten e vallen e Tropojës, edhe Zembelikon dhe qajnë për Pariosin. Pak, shumë pak nga ta, ndoshta edhe vetë Rama dikur emigrant, kujtojnë se varianti i parë televiziv i Odiseas të Homerit, realizuar nga italianët, kishte për Penelopë një Irenë Papas shqiptare të Greqisë dhe Odise, një Bekim Fehmi, shqiptarin e Kosovës nga ish-Jugosllavia. Se në mos vëllezër të mëritur, padyshim kushërinj të parë e krushq shqiptaro-grekët janë patjetër.

Ky kryepersonazh i heshtur e brohoritës, kjo turmë e stërmadhe shpesh me dy emra dhe dy pasaporta, shumica dërmuese e të cilëve, një histori suksesi individësh që tashmë dinë të qeshin e të këndojnë në mënyrë perfekte në greqisht, por vazhdojnë të qajnë sërish në shqipen e nënës, ishte thelbi dhe kyçi për të kuptuar çfarë ndodhi realisht. Njerëz që kanë ngrënë bukë gjaku dhe bij të një vendi që ka derdhur më shumë lot sesa janë lagur nga shiu, ata tashmë duhen ndihmuar të bëhen komunitet. Të bëhen një shoqëri ku të kuptohet se interesi i individit çmohet edhe më shumë, kur interesi i grupit i vihet në funksion reciprok; që trimfon në vetmi, por është disfatë e rrokopujshme kur bëhen tre për të mos lënë dy gurë bashkë. Ndryshe nga shqiptari i njëjtë nga gjaku që bashkon, por i ndryshëm nga interesi që beson kur ja do interesi, se pulat urinojnë nga sqetullat.

Në ngrysje e sipër, në bordin e avionit sërish, me temat më të vjetra të njerëzimit për të ridiskutuar, çeta e degës së ullirit nga Shqipëria po linte pas Athinën. Për të mbërritur në Tiranë aty ku bota e madhe fillon e ngushtohet pafund në halle të çastit, në çaste që shiten për përjetësi, për pisllëqe që shiten në tezga puritanësh dhe prostitutash që betohen për virgjërinë. Në Tiranë, qytetin e vetëm në botë ku kuptohet se nuk ka armik më të lig të shqiptarit se vetë shqiptari i xhindosur me vëllanë për punë gardhi. Paasardhës i një race krenare që di të shkëlqejë si individ, por që për të pasur sukses, i duhet të gjejë me domosdo një armik, që t’i bëjë bashkë. Për të qenë ndoshta përjashtim në familjen e madhe të kombeve me rregullin paradoksal që e ndjek nga pas si fatkeqësi: anëtarë të një kombi që është i aftë që çfarë fiton me gjak e sakrificë në luftë, e humb regullisht nga marrëzia në paqe.

Biseda më e hershme e njerëzimit po shtynte Migjenin drejt Tiranës. Bindja e dikurshme e propagandës komuniste për vetëmjaftueshmëri, se shqiptari e ka çarë rrugën e historisë më shpatë në dorë, ngriti krye si arma më e rëndësishme në dorën e shqiptarit të sotëm në këtë kohë, kur të jesh vend i vogël, është gjithashtu krim. Rikthimi i shqiptarëve në shpatën origjinale të Adamit është dhe shpëtimi i tyre i vërtetë. Në fund të fund, është demografi, budallenjtë e mi, mund të thoshte dikush pa diplomaci, në një miting të nesërm elektoral. Në Tiranë apo Athinë, në Korçë apo në Prizren, në Podgoricë apo Sarandë, në Milano apo Stamboll, në Elbasan apo në Gaza, në Durrës apo në Jeruzalemin e përjetshëm. Mund ta thoshte kudo dhe kushdo pa u mbuluar e as mburrur me gjethen religjoze të fikut!/ Java

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë