Lorenc Vangjeli: Leksioni i Breçanit, banditët nuk dalin kurrë në pension!

Lorenc Vangjeli: Leksioni i Breçanit, banditët nuk dalin kurrë në pension!

Erzen Breçani

Nuk ishte paralajmërimi i atit për birin, por instikti i një polici të vjetër që e di se ku përfundon rruga e krimit. Erzen Breçani mund të kishte humbur jetën së paku disa herë në përpjekje me krimit. Ai ka marrë pjesë si polic direkt në aksione të rrezikshme ndaj profileve të lartë të njerëzve të krimit. Më shumë i automatikut se i fjalës në fillim dhe më pas, kur i hoqën kapelën dhe automatikun e shtetit, u njehsua shpesh me punëtorët e fjalës si opinionist, Breçani pati një trajektore tejet të veçantë jete: në prologun e jetës nga njëra anë e barrikadës dhe në thinjat e tij, në anën tjetër të saj. I dërmuar si baba që detyrohet të thotë në sallën e gjyqit se është në burg prej të birit. Në një nga përgjimet që i atribuohen atij, instikti i tij është gati profetik: “Askush që ka shit shumë si ju, kurrë nuk ka shpëtuar pa humbur pasurinë e familjes dhe familjen e vet”, i shkruan ai të birit. Droga dhe pafuqia për ta ndalur apo kompromisi për ta lënë të provojë suksesin me krim, e çoi në qeli Breçanin dhe në kërkim të birin.

E megjithatë kjo nuk është thjesht një sagë familjare. Kjo është vetëm një pjesë, vetëm një segment i dukshëm i një drame të jashtëzakonshme që po jeton shoqëria shqiptare. Që ka vite që jeton me të dhe brenda saj, por që vetëm tani po dalin në dritë provat që e vërtetojnë thellësinë e ekzistencës së saj.

Nguti drejt pasurisë së shpejtë dhe të menjehershme, pavarësisht rrugës dhe mjeteve, me drogë apo korrupsion është gati i papërballueshëm. Janë të pafundme historitë e njerëzve që të ardhur nga hiçi dhe askundi, nga bota e bujshme të politikës apo ajo e heshtur e krimit, që shfaqen papritur në Tiranë me statusin e pasanikut dhe virtytin e parasë. Me vila në zona rezidenciale në periferi apo në plazhe eskluzive – këto rimishërime të shumëfishuara të Bllokut të famshëm të komunistëve të dikurshëm – kjo kategori triumfuesish janë konsideruar si model suksesi. Edhe pse asnjë aritmetikë nuk provon dot pasurimin e tyre marramendës, edhe pse të gjithë e dinë që janë grabitës në politikë apo njerëz të krimit, paratë që kanë ju japin shkëlqimin e tyre. Madje duke turpëruar atë shumicë dërmuese që është e ndershme vetëm sepse nuk ka pasur mundësi të bëjë mëkate dhe duke konsideruar të paaftë atë pakicë tronditëse që nuk i tundohet mëkatit.

Drama e familjes Breçani nuk është dramë vetjake, por pasqyrë e një shoqërie në krizë të thellë, të kapur peng nga amoku i parasë, me hierarki morale të përmbysura, me akademikë me biçikleta që respektohen më pak se analfabetët me makina me cilindratë të madhe.

E bashkë me ta, në një sistem kapilar që zbret në mënyrë vertikale që nga kryeministri që firmos për shtatë milliard euro buxhet vjetor e deri tek fatorinoja në autobuzin e unazës që nuk të jep biletën, nga deputeti që hyn në sallë me mijëra euro veshje në trup, por nuk njeh as alfabetin e shqipes e deri tek i papuni kronik që udhëton me Mercedes e kalon fundjava të çmendura në Bllok, nga biznesmeni që punon vetëm me para publike që i jep me nënkontraktim e deri tek studiot televizive që mbushen me moralistë mëkatarë, nga zonjusha që i veshin rrobat e banjos që në janar dhe nuk i heqin deri në janarin tjetër e deri tek zonjat që rinovojnë respektin për veten me bisturitë e kirurgëve plastikë, nga vrasës me pagesë tek paratë që duket se blejnë edhe jetën e vdekjen, shoqëria shqiptare po dëshmon portretin e saj hipokrit përballë vlerave minimaliste të moralit. Një shoqëri e trullosur që krim konsideron vetëm varfërinë. Dhe që nuk fal vetëm varfërinë. Një shoqëri që i lutet vetëm parasë si Zot dhe që nuk pranon Zot tjetër veç parasë. Një shoqëri që ende nuk e ka kuptuar se ajo është aq e fortë sa është hallka e saj më e dobët!

Ky është një model që duket eskluzivisht shqiptar, por në fakt nuk është kështu. Ka ndodhur kudo dhe Shqipëria po provon të njëjtin fat me shumë shoqëri njerëzore që kanë kaluar po në të njëjtin cikël dhjetra vite më parë, atëherë kur pasanikët e rinj nuk pranonin të tregonin vetëm milionin e parë të fituar, por mund të shpjegonin çdo qindarkë të qindra milionëve të më pasëm. E vetmja gjë e pandryshueshme është që asnjëherë dhe askurrë, askund dhe pa përjashtime, banditët nuk dalin në pension. Asnjëherë njerëzit e krimit nuk bëhen gjyshër. Ata jetojnë si fluturat në drita plot shkëlqim, por e kanë jetën e shkurtër. Njëlloj si ata që kanë keqkuptimin e madh të quhen politikanë, por kanë lidhje me politikën sa dhitë me librat e gjuhës shqipe. Vijnë e ikin të shplarë nga galixhanti i kohës pa u kujtuar nga askush. Edhe ne kohën e thinjave.

Erzen Breçani, të cilit i ka falur jetën pushka e krimit disa herë, pati fatin e lig të jetë prova e fundit se krimi dhe marrëdhëniet me të, herët a vonë përfundojnë keq. Shumë të tjerë do ta ndjekin pas në atë fat. Do të ketë gjithmonë e më shumë personazhe, që njëlloj si Gregor Zamza, personazhi i famshëm i Kafkës, do të pësojnë metamorfozën e frikshme të shndërrimit: nga dritat e lavdisë që jep paraja, tek paratë e pamjafta për të blerë lirinë për të shkuar në tualet pa orar. Sidomos ata që e presin të nesërmen në saraje ku duket se dielli nuk lind më. Sikur presin të mësohen me pamjet e qiellit të ndarë në kuadrate nga hekurat e qelisë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Anonim: 30/11/2023 22:14

    Shumë I saktë shkrimi.

    Përgjigju
  • CaBone: 27/11/2023 17:43

    Respekt per shkrimin Z. Vangjeli.

    Përgjigju
  • Shaban: 27/11/2023 16:53

    Dardha bie nen dardhe. Biri i ngjau te jatit.

    Përgjigju
  • Anglezja: 27/11/2023 16:01

    Kenaqesi qe te lexoj Lencin e dikurshem!Identitetin i qenies shqiptare ashtu sic jemi shnderruar ne metamorfozen e "demokracise" - Një shoqëri e trullosur që krim konsideron vetëm varfërinë! Nu ka vend per te shtuar asnje gje tjeter!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia