Lorenc Vangjeli: Tre mitet e rreme në PD dhe pse kura e Doktorit do ta vrasë partinë

Lorenc Vangjeli: Tre mitet e rreme në PD dhe pse kura e Doktorit do ta vrasë partinë

Sali Berisha

Çfarë ndodh në sy të të gjithëve, zakonisht është shumë më ndryshe nga sa sugjeron shikimi i parë. Për krizën në PD është folur më shumë sesa për zgjedhjet e prillit që e lanë sërish PD-në në opozitë. Ky është një nga rastet klasike kur, pavarësisht se janë debatuar mijëra orë ndeshjesh verbale, faqe të shkruara dhe rrjedha të pafundme në rrjetet sociale, sërish thelbi i asaj që po ndodh, vazhdon të jetë i fshehur në disa të pavërteta ulëritëse. Në ndeshje të tilla që kushtëzojnë shëndetin e gjithë shoqërisë, që ndikojnë jo vetëm në opozitën e sotme, por edhe në tipologjinë e qeverisjes së nesërme, ka një nevojë të dëshpëruar për të dekoduar mitet që krijohen në mënyrë të frikshme. Miti kryesor, me autor Doktor Berishën është se ai po lufton dy beteja; të parën për të çliruar partinë e tij nga kryetari i saj legal dhe të dytën, për të çliruar kryetarin e saj legal nga kryeministri. Nëse gjithçka po ndodh sot, do të kishte nisur në mesnatën e 25 prillit, ndeshja e Berishës do të ishte reale, por zgjimi i tij mbas shpalljes non grata nga SHBA dhe sidomos, mbas pezullimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së, dëshmon betejë personale dhe do të mjaftonte qoftë dhe si fakt i vetëm për të përmbysur këtë mit të krijuar në sytë të të gjithëve, por që pakkush e sheh. Si në fabulën e hershme me ujk të trembur e luan ndëshkues, Doktori që u godit nga SHBA, ankohet se puçin ja ka bërë Sorosi, Rama e Basha.

Miti i dytë është se Lulzim Basha po kërcënohet në legjitimitetin e tij në krye të partisë për shkak të aksionit politik të Doktorit. Fiks të njeriut me të cilin ai po mbyll një cikël shumëvjeçar dashurie që po përfundon në urrejtje, një udhëtim në viset e interesit të përbashkët që po shndërrohet në armiqësi reciproke. Basha ka rënë në kuotat e tij më të ulta politike dhe të paktën për momentin, duket se të vetmin shpëtim e ka nga “drejtësia e kontrolluar nga Rama”, siç e quan vetë, por jo për shkak të Berishës. Berisha është vetëm mekanizmi që duket sepse nevoja për të larguar Bashën është firmosur po në mesnatën e 25 prillit dhe është shkruar ditë mbas dite, së paku që nga viti i largët 2017, kur ai gaboi rëndë në strategji dhe taktikë politike. Politikanët nuk mund të jenë ndryshe nga virgjëreshat: atyre ju lejohet të gabojnë vetëm njëherë, kurse Basha pretendon se është i virgjër edhe mbas katër-pesë mëkatesh të njëpasnjëshëm. Basha po ikën jo se po e largon Doktori, por sepse nuk i afroi dot demokratët në pushtet. Nëse do të kishte qenë ndryshe, nëse sot ai do të ishte kryeministër i vendit, Berisha do të ndante të njëjtën lloj vetmie si Fatos Nano më parë dhe Edi Rama më pas.

Miti i tretë është raporti i forcave mes dy B-ve të PD-së. Në shtator, sipas sondazheve të besueshëm, që së paku shprehnin dinamikën e raporteve në shifra, Basha ishte superior ndaj Berishës. Vërtet demokratët nuk e përkrahnin atë në masën 97 për qind, siç gënjente edhe veten Basha, por të paktën ata ishin pothuaj dy me një përballë mbështetësve të Doktorit. Por ndërkohë që Doktori nisi foltoren duke prekur nervin e zbuluar të demokratëve të mbetur në opozitë, Basha i këshilluar keq, priste me durim me Gridën dhe Joridën, me Fredin dhe Enkelejdin, i bindur njëlloj si Gazi, se koha dhe jo ata, do ta mundtte vetvetiu Doktorin. Sondazhet e fundit, nxjerrin po të njëjtin raport të forcave mes dy B-ve, por kësaj here të përmbysur, me Doktorin në avantazh. Kush mbështet Berishën, nuk është automatikisht me të. Faltoret dhe stadiumin nuk i bëri bashkë dashuria, besnikëria, nostalgjia apo besimi tek Doktori, por urrejtja, frustrimi dhe mosbesimi i thellë tek Basha. Në një shumicë ende të paimagjinueshme, ata që sot luten për fitoren e Berishës, në fakt presin humbjen e Bashës. Të gjithë ata që heshtën kur Basha spastronte partinë sipas shijes së vet, të gjithë ata që mjaftoheshin vetëm që të ishin në shijen sezonale të Bashës, sot kanë një pyetje të përbashkët: “Kur ja bëri Doktorit këtë gjëmë, cfarë mund të bëjë me secilin prej nesh?”

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës