Ambasadori i finales së Conference League në Tiranë, Lorik Cana ka folur për ndeshjen Roma-Feyenoord duke thënë se është krenar që e organizon këtë event. Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, tha se ndeshja që do të mbahet në Tiranë tregon zhvillimin e vendit, shoqërisë dhe infrastrukturës. Sa i përket stadiumit “Air Albania”, Cana e cilësoi si një nga më modernet në Evropë megjithëse nuk pati fatin që të luante pasi zgjodhi të linte futbollin në vitin 2016.
“Nuk pata fatin ta luaja, pasi u ndala më 2016. Është një objekt spektakolar, i ndërtuar në vendin historik të stadiumit kombëtar. Puna e arkitektit Casamonti ishte diçka e pabesueshme, është një nga stadiumet më moderne në Evropë dhe kjo na bën edhe më krenarë. Është një objekt modern dhe i veçantë arkitekturor dhe ndeshja shihet shumë mirë nga çdo pikë e stadiumit. Ndodhet në qendër të qytetit, ideal për të shijuar finalen . Nuk është shumë i madh, por për lojtarët, standardet e vendosura nga UEFA janë në rregull”, tha Cana.
Ndër të tjera shtoi se nuk mendon se do të ketë problem me sigurinë, ndonëse mbrëmjen e kaluar pati përplasje mes tifozëve dhe policisë. Sipas ish kapitenit të Kombëtares shqiptare, duhet lënë përshtypje e mirë pasi është hera e parë që organizohet një event kaq i madh në vendin tonë.
“Shqipëria është super mikpritëse dhe e sigurt. Sigurisht që nuk do të ketë asnjë problem sigurie, ne e dimë rëndësinë e ngjarjes. Tifozët e Romës dhe Feyenoord do të gjejnë njerëz mikpritës dhe do të kenë përvojën më të mirë të mundshme. Nga ana tjetër, si kur shkojnë në shtëpinë e dikujt padyshim që pres që vendi të respektohet, por nuk kam asnjë dyshim se do të ketë respekt të ndërsjellë. Ne duam të lëmë përshtypje të mirë, duke qenë hera e parë që organizojmë një ngjarje të këtyre përmasash. Ndoshta jo gjithçka do të jetë perfekte, por është duke u punuar shumë”, tha Cana.
Cana theksoi se në këtë ndeshje do të mbështesë Romën.
“Si tifoz i Marsejës, më vjen keq që nuk e pashë në finale, më vjen keq. Për pjesën tjetër them se Roma dhe Feyenoord e merituan të vinin këtu dhe mendoj se Giallorossi, edhe për afrimitetin mes Shqipërisë dhe Italisë, do të kenë simpati më të mëdha në Tiranë”, përfundoi Cana.
Lajmi kryesor: