Conference League/ Tirana shkëlqen, ditë feste dhe zero incidente serioze gjithë ditën! Valle dhe muzikë në rrugët e kryeqytetit! Mijëra tifozë shijuan finalen e parë evropiane në Shqipëri (VIDEO)

TIRANË- Tirana ishte për dy ditë kryeqendra e futbollit Europian, pasi u zhvillua në stadiumin 'Air Albania' finalja historike e 'Conference League', në të cilën triumfoi ekipi italian i Romës kundrejt atij holandez të Feyenordit. Kryeqyteti i vendit, hapi sot dyert për të mirëpritur mijëra tifozë, ndërsa autoritetet në vend e shpallën ditë pushimi zyrtare dhe pa makina, ku akset kryesore u bllokuan dhe pjesa qendrore e qytetit u kthye në pedonale, në mënyrë që situata të ishte nën kontroll.

Pas trazirave dhe përplasjeve ndërmjet dy tifozerive ultrase mbrëmjen e kaluar, dita e sotme kaloi shumë qetë duke mos shënuar asnjë incident, ndërsa tifozët mbajtën gjatë gjithë ditës atmosferën ndezur. Të vënë në alarm nga ngjarjet e një dite më parë, mijëra uniforma blu zbarkuan në terren, për mbarëvajtjen e kësaj finalje europaine, duke treguar një organizim të shkëlqyer deri në përfundimin e ndeshjes. Hyrja e tifozëve në stadium u bë e ndarë me grupe dhe procedurat u zhvilluan pa vonesa, ndërsa efektivët kryen një kontroll të rreptë mbi tifozët.

Përplasjet e vetme që u shënuan, ishin në fillim të ndeshjes, ku disa tifozë të Romës ngatërruan vendin në stadium dhe përfunduan tek tifozët e Feyenoordit. Këto të fundit i sulmuan duke i goditur me grushte. Ndërsa jashtë ambienteve të stadiumit, një ultras holandez u prangos nga efektivët, pasi tentoi të çjaë kordonin e efektivëve, duke ju shmangur kontrollit.

Ndërsa tifozeritë e të dyja palëve harruan tensionet e një nate me parë dhe manifestuan gjatë gjithë ditën së sotme të qetë në zonat e përcaktuara për ta dhe në baret e qytetit deri në mbrëmje. Edhe tifozët e Feyenoordit, e pranuan paqësisht humbjen dhe u larguan të qetë nga kryeqyteti i vendit, duke ndjekur itinerarin e parashikuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:52
Mbyllet ndeshja, tifozët shpërndahen qetësisht në rrugët e Tiranës

 

Pas mbylljes së finales se Conference League, situata në Tiranë paraqitet e qetë. Tifozët po shpërndahen në rrugët e kryeqytetit qetësisht, ndërsa deri më tani nuk raportohet për incidente.  

Ora 20:24
I mbushur në çdo cep, atmosfera në Sheshin ‘Skënderbej’ është e jashtëzakonshme

 

Atmosfera në Sheshin ‘Skënderbej’ është e jashtëzakonshme. Pamjet të siguruara nga Report Tv  tregojnë mijëra tifozë të mbledhur për të parë ndeshjen, të veshura me ngjyrat e ekipeve të tyre.

Ora 20:06
Rama: Mbresat e shprehura nga UEFA janë të shkëlqyera

1653486365_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se UEFA ka vlerësuar maksimalisht Shqipërinë për organizimin.

" Fluturime rekord në aeroportin "Nënë Tereza", ku janë procesuar mbi 20 mijë vizitorë në më pak se 48 orë dhe ku mbresat e shprehura nga UEFA janë të shkëlqyera, pas shqetësimit se mund të kishte probleme nga mbingarkesa e jashtëzakonshme", shkruan Rama.

Ora 19:53
Ultrasit e Feyenoordit përplasen me policinë, efektivët shtrijnë barkas tifozin holadez dhe i vënë prangat

 

Pa nisur ende ndeshja, po shënohen incidentet e para të kësaj mbrëmje. Ultrasit e Fejnordit janë përplasur me policinë, ndërkohë që efektivët kanë prangosur një prej tyre duke e shtrirë në barkas.

Ora 19:27
Mbërrin ekipi i Feyenoord në 'Air Albania', duartrokiten nga tifozët

 

Pas ekipit të Romës, ka mbërritur edhe autobusi i Feyenoord në stadium. Të shumtë kanë qenë tifozët që i kanë duartrokitur.

Ora 19:20
Mbërrin autobusi me ekipin e Romës në 'Air Albania', tifozët u japin zemër

 

Mbërrin autobusi me ekipin e Romës në 'Air Albania', tifozët u japin zemër. 

Ora 19:12
'Erdhëm ne barbarët', Report Tv sjell pamje me dron nga Bulevardi 'Dëshmorët e Kombit', nuk mungojnë flakadanët! Kuptimi i veçantë i banderolës (VIDEO)

Report Tv sjell pamje me dron, ku tregojnë nga lart pamjet e tifozëve të Feyenord, teksa valëvisin flamurin e tyre, por nuk kanë munguar as flakadanët. Shihet që tifozët kanë në duar edhe një banderolë të madhe ku shkruan "I Barbaro", që ka kuptimin "Erdhëm ne barbarët". Kjo sepse kështu i quajtën nga mediat italiane në 2015 pas ndeshjes që bënë në Romë, e ku shkatërruan qytetin.

Shkrim i mediave italiane në 2015
Ora 19:03
Tentoi që të kalonte kordonin e policisë, arrestohet tifozi i Feyenoordit para hyrjes në stadium

Forcat e sigurisë kanë kontrolluar rreptësisht të gjithë ata që kanë bileta dhe duan të shikojnë nga afër sfidën. Ndërkohë një tifoz i Feyenoordit është prangosur nga forcat e sigurisë. Kjo pasi përveç sendeve të ndryshme të hedhura poshtë, një tifoz holandez e ka tepruar disi me shfrenimin e imagjinatës, teksa tentoi të thyente kordonet policore për të hyrë në stadium.

Ora 18:44
Pamje fantastike nga brenda stadiumit 'Air Albania', si duket impianti modern para finales

Në orën 21:00 pritet të nis finalja e madhe europiane mes Romës dhe Feyenoord që do të luhet në 'Air Albania'. Tifozët e parë janë futur në stadium, teksa siç shihet në pamje fusha duket në gjendje të mirë.

  

Ora 18:32
E turpshme/ Tifozët e Feyenoord urinojnë në mes të rrugës, vetëm 3 metra më tutje janë tualetet publike (FOTOLAJM)

1653496334_WhatsAppImage20220525at6.31.12PM.jpeg

Duke lënë pas atmosferën festive, në zonën e Pedonale, ku po qëndron tifozët e Feyenoord, është regjistruar në pamje aspak e bukur, e turpshme dhe që i shëmton gjithë bukurinë kësaj dite.

Disa tifozë janë parë duke urinuar në "murin" metalik, ku ka qenë Teatri. Ajo që e bën më të turpshme është fakti që vetëm 2-3 metra në tutje janë tualetet publike të vendosura nga Bashkia.  

Ora 18:29
Tifozët e Romës dhe Feyenoord lënë pas rivalitetin, gjejnë ‘gjuhën e paqes’! Meta: Të përcjellim mesazhin se futbolli bashkon

Mbrëmjen e kaluar pati trazira ndërmjet tifozëve të Romës dhe Feyenoordit në Tiranë.  Kjo, pasi incidentet ishin të shumta, duke krijuar një kaos tërësisht të panevojshëm për vendin tonë.

Ndërsa sot duket se kanë gjetur rrugën e paqes, pasi kanë pozuar bashkë. Për këtë ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, i cili kërkon që të përcjellë mesazhin se futbolli bashkon.

‘Një foto sa një mijë fjalë nga Tirana në prag të finales së madhe të Uefa Europa Conference League! Futbolli bashkon njerëzit e kombet dhe promovon vlerat më të mira sportive! Ky mesazh uroj të përcillet edhe sot në këtë mbrëmje të mrekullueshme që po afron.’- shkruan Meta.

Ora 18:22
FOTO/ Holandezët në Tiranë provokojnë italianët: Më puth prap*nicën Roma

Tifozët e Feyenoord kanë zgjedhur që të mos jenë aq të zakonshëm në këtë përballje me Romën. Disa prej tyere janë parë në rrugët e Durrësit me disa bluze ku shkruan “Kiss my AS (s) Roma”, që përkthehet “Më puth prapanicën Roma”.

Ora 18:06
Conference League në Tiranë, nis hyrja e tifozëve në stadium, kontrolle të rrepta

 

Teksa kanë mbetur pak orë nga nisja e finales së madhe, ka nisur hyrja e tifozëve në stadiume. Siç shikohet në pamjet që sjell Report Tv, tifozët i janë nënshtruar kontrollet të rrepta të sigurisë.

Ora 17:59
Finalja e Conference League në Tiranë do të transmetohet në 155 vende të botës

Finalja e Conference League, e para e këtij lloji nga UEFA e cila do të zhvillohet në Tiranë, do të transmetohet në 155 vende të botës. Një risi që e konfirmoi drejtori i komunikimit në FSHF.

Ora 17:47
VIDEOLAJM/ Pak para se të futen në stadium, tifozët holandez kërcejnë me muzikë popullore shqiptare

Pak orë para se të futen në stadium, tifozët holandez po marrin "zemër" dhe po kërcejnë me motivet popullore shqiptare. Kjo nuk është hera e parë, pasi edhe një ditë më parë ky çift ka zhvilluar "spektakël" në Pedonale.

Ora 17:25
Pak orë përpara finales së Conference League, kupa ende në sheshin ‘Skënderbej’

 

Pak orë përpara finales së Conference League, imitimi i kupës ndodhet ende në sheshin ‘Skënderbej’. Report Tv sjell pamje nga sheshi ku tifozët janë ende duke e parë.

Ora 17:09
Pak orë para se të nisë finalja e madhe, atmosferë elektrizuese në Pedonale, tifozi shqiptar që jeton në Holandë: Po fituan, s'ka incidente

 

Pak minura para se të nis ndeshja e finales, tifozët e Feyenoord është elektizuese. Report Tv me gazetarin Ernest Koçi është zhvendosur në pedonale aty ku është 'Fan Zone' .

"Po më duket super, do e shikoj ndeshjen në stadium, janë super fantastik tifozët", tha një shqiptare.

"E pëlqejmë Shqipërinë dhe njerëzit", tha njw tjetwr tifoz.

 "Atmosferë fantastike, unë jetoj në Holand, por unë jam shqiptar. Kanë pirë dhe kanë ngrënë pak, janë çmendur, po fituan nuk kanë për të pasur asnjë incident. Çmimet shumë mirë", tha ai.

Ora 16:20
Media italiane: Tifozët e Romës kanë vjedhur thikat nëpër restorantet në Shqipëri për tu bërë gati për përleshje

1653488668_romas.jpg

Tifozët e Romës po vjedhin thika nëpër restorantet në Shqipëri dhe më pas do të jenë gati për tu përleshur me grupet e tifozëve të Feyenoord-it! Kështu shkruajnë mediat italiane, duke ju referuar burimeve të tyrë nga kryeqyteti shqiptar. Sipas mediave italiane, tifozët e Romës kanë vjedhur thikat e mishit nëpër restorante që më pas do t’i përdorin për përleshje.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, u plagosën 10 efektivë e 4 tifozë dhe u dëmtua një automjet policie. Në Spitalin e Traumës u paraqitën 30 të lënduar, nga të cilët 20 ishin policë. Pasi morën trajtim mjekësor, të gjithë dolën nga spitali. Nga ana tjetër, 80 tifozë janë kthyer në Itali, me anije nga Durrësi, për shkak të sjelljeve të dhunshme.

Ora 16:04
Foto-Video/ Totti shijon byrekun me fasule! Dreka "VIP" në Pallatin e Brigadave, kuzhinierët nga Lezha gatuajnë për kryesinë e UEFA-s

Mesditën e sotme është shtruar një drekë në Pallatin e Brigadave për miqtë e Romës dhe Feynoord, ku ka marrë pjesë dhe Kryeministri Edi Rama. Të ftuar të Federatës së Futbollit janë kryesia e UEFA-s dhe futbollistë të njohur si Francesco Totti.

Shefi i njohur i kuzhinës, Altin Prenga thotë se ka qenë sot mes shefave që kanë gatuar për Kryesinë e UEFA-s në Tiranë dhe finalistët e ekipeve të Conference League. Altini ndan një foto me legjendën e Romës Francesco Totti dhe shkruan se italiani ka provuar sot byrek me fasule.

Kjo drekë e rëndësishme u është besuar shefave lezhjanë, Altin dhe Anton Prenga nga Mrizi i Zanave, shef Alfred Markut nga Rapsodia dhe shefit Sebastian Biba.

"Të ftuarit ishin organizatorët e eventit, personalitete dhe futbolliste. Me sa kuptuam u ndane shume te kënaqur sepse pjatat u kthyen bosh", thotë me shaka Altin Prenga në një prononcim të shkurtër për Shqiptarja.com.

Menuja me produkte shqiptare që u servir në dreken VIP

- Levrek dhe açuke nga Lezha

- Krap nga Shkodra

- Byrek me fasule Kallmeti dhe kërpurdha Puke

- Pule me jufka të Dibrës

- Tavë kosi me mish qengji dhe shafran nga Elbasani

- Embëlsira tradicionale me fruta pylli

Ora 15:03
Zbulohet arsyeja përse u hoq posteri i Murinjo-s te Politekniku

Finalja e Ligës së Konferencës po afron dhe në ditën e ndeshjes, përtej preferencave personale, qyteti i Tiranës duhet të jetë neutral për tifozeritë e skuadrave të Romës dhe Fejnord. Kjo është erdhe arsyeja pse është hequr edhe posteri i madh te Politekniku ku Murinjo shfaqej mbi një Vespa.

Ora 14:49
Trazirat mbrëmë në Tiranë, mes tifozëve të dëbuar kishte edhe italianë që u larguan nga frika

1653470181_1653426818HOLANERX.jpg

Pas trazirave të mbrëmjes së djeshme, së bashku me 51 tifozët e Romës që u dëbuan nga Tirana, u larguan 30 tifozë të tjerë. Ata duket se u frikësuan nga situata dhe preferuan të largoheshin nga Tirana.

Ndonëse ditën e sotme nuk ka pasur asnjë incident apo përplasje me policinë, tifozët zgjodhën që të ktheheshin në vendin e tyre. Disa prej tifozëve nuk kishin biletë për stadium, por donin të shihnin ndeshjen në Tiranë për të qenë sa më pranë skuadrës së zemrës.

Ora 14:45
Me birra në dorë, gjysmë të zhveshur...atmosfera në Tiranë nëpërmjet FOTOGALERISË

Me birra në dorë, djem gjysmë të zhveshur, atmosfera në Tiranë është shumë festive, kur na ndajnë dhe pak orë nga finalja e madhe Europiane e Conference League. Report Tv sjell një fotogaleri të e tregon më së miri atë që ndodh në Tiranë.

Ora 14:24
Tifozët e Romës ‘i vënë flakën’ avionit rrugës për në Tiranë (VIDEO)

 

Nga Italia janë të shumtë charterat që janë nisur me destinacion Tiranën.  Tifozët kanë mbushur avionët për të fluturuar drejt kryeqytetit shqiptar për të shijuar finalen e madhe të Conference League. Në këto pamje shikoni se ç’bëjnë ata në bordin e avionit, duke festuar gjatë gjithë fluturimit.

 

Ora 13:34
Të tjerë tifozë të Romës mbërrijnë në Rinas: Po gjeta një vajzë të mirë këtu, pse jo do qëndroj

 

Në Aeroportin e Rinasit janë 3 ndarje të tifozëve, një për Romën, një për tifozët "problematik dhe për një pjesë tjetër për qytetarët e thjeshtë.  Report Tv kontaktoi me disa tifozë të cilët shprehen shumë entuziast për ditën e sotme, por nuk e thonë me siguri nëse do të fitojnë ose jo.

"Unë jam shumë mirë dhe mendoj se do të fitojmë, është hera e parë që vijmë në Shqipëri, kemi ardhur me një grup shoqërorë. Jam gati për parti se do të fitojmë ndeshje, 3 ditë party".

"Ne do të fitojmë, jam i sigurt".  

"Nuk e dimë nëse do të fitojmë"

"Shpresoj që të jetë një ndeshje e mire, nuk e di nëse do të fitojmë. Është hera e parë në Shqipëri, jam bashkë me familje. Forca Roma".

"Jam pak i frikësuar se është finale, jam shumë i emocionuar, kemi punuar shumë fort për të gjithë sezonin, do të kthehemi pas ndeshjes, hera e parë në Shqipëri".

"Nëse do të gjesh një vajzë të mirë, do të rrije në Shqipëri? Pse jo", tregojnë tifozët,

Ora 13:04
Temperaturat e larta s'ndalin tifozët e Romës, 'ndezin' atmosferën te 'Amfiteatri': Të rrimë të qetë dhe të shpresojmë për fitoren

 

Gjithçka është gati. Në sfond është muzika "Roma, Roma" që e bën lehtësisht të kuptueshme që aty do të jenë të pozicionuar tifozët italian që kanë ardhur për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.

Report Tv me gazetarin Arsen Rusta kanë përcjellë atmosferën në Amfiteatrin te Liqeni Artificial, teksa tifozët kanë "zbuluar" edhe disa sekret. Pikë së pari, nuk bëjnë parashikime se si do të dalë kjo finale, pasi u ndjell ters, por na kanë rrëfyer edhe zanafillën e kësaj "armiqësie" me skuadrën e Feyenord.

 Sa i përket incidenteve të ndodhur një ditë më parë, një pjesë e tyre thanë se nuk kanë lexuar lajme, teksa një tjetër e cilëson si të zakonshme.

"Kemi mbërritur sonë, do ikim sot Përplasjet e ditës së djeshme? Edhe ndodhin", u shpreh tifozi.

"Shpresojmë, do shkojmë sot në Romë pas ndeshjes, kemi ardhur sot me charter, dhe do ikim sot sërish E kemi një biletë të ofruar nga klubi i Romës. 10-15 mijë tifozë kanë mbërritur.

"Ka ndodhur se disa vite më parë kanë ardhur në Romë për Europa League, dolën 1-1 dhe patën incidente dhe tifozët e Feyenoord kanë dëmtuar qytetin.  Mesazhi është  të rrinë të qetë dhe "Forca Roma", tregon tifozi.

"Është një ndeshje e vështirë, 50-50. Kemi mbërritur dje" , shprehet një tjetër.

"Nuk kemi parë asgjë në lajme, është një atmosfere e bukur, e qetë, kemi ndjerë që ka ndodhur diçka, por nuk e kemi parë. Kemi pasur edhe një udhëzim të qetë dhe shallin e Romës nuk e kemi vendosur rrugës, por kur kemi ardhur në Fun Zone. Jam tifoz i Romës që ku kemi lindur", tregon një tifoz.

"Kam që 12 vjeç që ndjek Romën. Sapo të mbarojë ndeshja do rikthehen sërish. Kush do fitojë? Është e vështirë, kam parë 2 finalet e tjerën një me Inter dhe një me Liverpool", tha tifozi.

"Nuk bëjnë asnjëherë parahsikim se u ndjell ters. Është një ditë historike, do ketë personazhe të klubit që ka bërë histori", tregon organizatori i festës të Amfiteatri.

Ora 13:03
Lorik Cana flet për mediat italiane për finalen e Conference League: Jam krenar! Duam të lëmë përshtypje të mirë, shpresoj që tifozët të respektojnë vendin

1653477276_607c8e84597fc4f92daa57df2100cf701036395723157c8ebcac4750156d2b21ac04e.jpeg

Ambasadori i finales së Conference League në Tiranë, Lorik Cana ka folur për ndeshjen Roma-Feyenoord duke thënë se është krenar që e organizon këtë event. Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, tha se ndeshja që do të mbahet në Tiranë tregon zhvillimin e vendit, shoqërisë dhe infrastrukturës. Sa i përket stadiumit “Air Albania”, Cana e cilësoi si një nga më modernet në Evropë megjithëse nuk pati fatin që të luante pasi zgjodhi të linte futbollin në vitin 2016.

“Nuk pata fatin ta luaja, pasi u ndala më 2016. Është një objekt spektakolar, i ndërtuar në vendin historik të stadiumit kombëtar. Puna e arkitektit Casamonti ishte diçka e pabesueshme, është një nga stadiumet më moderne në Evropë dhe kjo na bën edhe më krenarë. Është një objekt modern dhe i veçantë arkitekturor dhe ndeshja shihet shumë mirë nga çdo pikë e stadiumit. Ndodhet në qendër të qytetit, ideal për të shijuar finalen . Nuk është shumë i madh, por për lojtarët, standardet e vendosura nga UEFA janë në rregull”, tha Cana.

Ndër të tjera shtoi se nuk mendon se do të ketë problem me sigurinë, ndonëse mbrëmjen e kaluar pati përplasje mes tifozëve dhe policisë. Sipas ish kapitenit të Kombëtares shqiptare, duhet lënë përshtypje e mirë pasi është hera e parë që organizohet një event kaq i madh në vendin tonë.

“Shqipëria është super mikpritëse dhe e sigurt. Sigurisht që nuk do të ketë asnjë problem sigurie, ne e dimë rëndësinë e ngjarjes. Tifozët e Romës dhe Feyenoord do të gjejnë njerëz mikpritës dhe do të kenë përvojën më të mirë të mundshme. Nga ana tjetër, si kur shkojnë në shtëpinë e dikujt padyshim që pres që vendi të respektohet, por nuk kam asnjë dyshim se do të ketë respekt të ndërsjellë. Ne duam të lëmë përshtypje të mirë, duke qenë hera e parë që organizojmë një ngjarje të këtyre përmasash. Ndoshta jo gjithçka do të jetë perfekte, por është duke u punuar shumë”, tha Cana.

Cana theksoi se në këtë ndeshje do të mbështesë Romën.

“Si tifoz i Marsejës, më vjen keq që nuk e pashë në finale, më vjen keq. Për pjesën tjetër them se Roma dhe Feyenoord e merituan të vinin këtu dhe mendoj se Giallorossi, edhe për afrimitetin mes Shqipërisë dhe Italisë, do të kenë simpati më të mëdha në Tiranë”, përfundoi Cana.

 

Ora 12:40
Shtohen furnizimet në kioskat e ngritura për të pritur tifozët, dyfishohen çmimet: Birra 3-5 euro dhe ushqime me 2 euro

Nuk e kishin menduar ndonjëherë se do të kishin një fluks të tillë klientësh. Lokalet në Tiranë janë të tejmbushur me tifozë që festojnë në prag të finales Roma-Feyenoord.

Fatlumë në një ditë të tillë përveç lokaleve ndihen edhe stendat e improvizuara të ngritura vetëm për këtë rast, që fitimin e kanë të garantuar pasi sheshin pa faturë tatimore.

 “Dolëm që dje në darkë, ka disa stenda të vendosura në disa pika në Tiranë, do qëndrojmë pas ndeshjes. Do shërbejmë Uji, birra, sanduiç dhe të gjitha ato më të kërkuara. Do të qëndrojmë deri pas përfundimit të ndeshjes”, thotë një nga shitëset në stendat e ngritura.

Një birrë 0.5 litër sportdashësit e marrin nga 3 deri në 5 euro, ndërsa në kushte normale në lokale i gjen deri në 200 lekë.

Ndryshe nga sa u munduan të shfrytëzojnë hotelet, bizneset janë treguar më racional me çmimet duke përfituar nga numri i madh i tifozëve klientë.

Skemë për të fituar më shumë kanë menduar edhe kioskat 24 orëshe me pije e cigare duke shtuar furnizimet për të përballuar numrin e madh të tifozëve.

 “E kemi vendosur që të qëndrojmë 3 turne. Pijet do ecin më shumë, kemi marrë mjaftueshëm furnizim”, tha shitësja.

Krejt e kundërta ndodh për bizneset ushqimore, markete e dyqane.

“Do rri si në ditë normale se tifozët do të jenë andej matanë nga i caktuar bashkia dhe pinë birra e ruhen me policë”, thotë një pronarë dyqani në Bllok.

Ora 12:25
Ndeshja Roma-Feyenoord, efektivët mblidhen para stadiumit për të ndarë detyrat! Vijnë edhe nga rrethet

 

Vetëm 8 orë na ndajnë nga ndeshja mes Romës dhe Feyenoordit, ndërsa efektivët nga rrethet janë mbledhur para stadiumit për të bërë instruktazhin në mënyrë që të ketë siguri dhe të shmangen përplasjet mes tifozëve.

Ora 12:14
Finalja e Conference League, terminali i Durrësit dhe aeroporti i Rinasit mbushet plot me tifozë

 

Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga finalja e madhe mes Romës dhe Feyenoord, tifozët po vijnë për të parë ndeshjen. Në pamjet e publikuara nga kryeministri Edi Rama duket se si është mbushur plot terminali i Durrësit dhe aeroportin e Rinasit. Ndërkohë, Rama shton se priten të vijnë edhe mbi 20 mijë vizitorë të tjerë.

Ora 11:52
Tifozët e Romës festojnë në terminalin e Durrësit: Do të kthehemi pas ndeshjes, shpresojmë të mos lëndohet askush! Biletat i siguruam në shorteun e skuadrës

 

Mijëra tifozë të Romës kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të mërkure në portin e Durrës për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës në finalen e UEFA Conference League. Me flamuj në duar, ata kanë nisur festën në dalje të terminalit.

"Biletën e kam siguruar gjatë një shorteu të skuadrës. Është e vështirë të gjesh një biletë gratis, por unë e ndjek gjithnjë ndeshjet e Romës, e kështu u bëra pjesë e shorteut. Do flemë në Durrës sonte dhe do të kthehemi shpejt pas festës. Për rezultatin, shpresojmë për mirë".

"Këto situata janë normale kur ka ndeshje të rëndësishme, por duhet të tregojmë civilizim ne e ndjekim gjithmonë skuadrën tonë, shpresojmë të shkojë mirë e të fitojmë. Forca Roma!"

"Violenca është normale është pjesë e lojës, shpresoj të mos lëndohet askush! Nesër në darkë ikim shpresojmë të shkojë mirë. Forca Roma!"

Është organizuar një  grup i gatshëm patrullimi Polici - Doganë dhe Siguri Portuale për këto tre ditë në Durrës. Kemi një flote autobusash nga Porti i Durrësit që do bëjnë sot transportin e tifozëve që vijnë nga Bari, deri në Zonat përkatëse në Tiranë dhe anasjelltas në mbrëmje.

Trageti për në Bari është parashikuar të niset në 03:00 të datës 26 Maj për t’i dhënë mundësinë tifozëve që të largohen me traget pas ndeshjes. Gjithashtu mbrëmë, Autoriteti Portual Durrës dhe Policia e Shtetit mundësuan largimin e rreth 70 tifozëve të përfshirë në skena dhune përgjatë ditës së djeshme në Tiranë të cilët u nisën për në Bari në orët e para të mëngjesit.

Të dhënat për hyrjen mëngjesin e sotëm, 25.5.2022:

"Af Francesca" 613 pasagjerë, "Rigel 2" 488 pasagjerë, "Claudia" 214 pasagjerë.

Ora 11:43
Tifozët e Feyenoord atmosferë në doganën e Morinës: Mezi presim finalen! Mes udhëtarëve edhe shqiptarë të Kosovës që vijnë në Tiranë për atmosferën festive

 

Dhjetëra tifozë holandezë të Feyenoord po vijnë përmes rrugës tokësoreduke kaluar në doganën e Morinës. Për mikrofonin e Report Tv ata thanë se kanë siguruar biletat me vështirësi dhe mezi po presin finalen. Po në Morinë nuk mungojnë as tifozët e skuadrës italiane asaj të Romës, këta janë shqiptarët e Kosovës që po dynden drejt kryeqytetit.

Edhe pse nuk kanë biletë për ndeshjen dëshirojnë të bëhen pjesë e atmosferës festive në kryeqytet. Një tifoz shqiptar i Feyenoord tha se po vjen në Tiranë për të takuar dhe festuar me miqtë holandez. Sipas të dhënave të marra në P.K.K Morinë gjatë orëve të para te ditës se sotme kanë hyrë në territorin shqiptarë nga Morina 5094 shtetas të huaj me 2410 automjete, krahasuar me ditët e tjera numri është dyfishuar.

Ora 10:41
Veliaj mirëpret në Tiranë kryebashkiakun e Roterdamit, thirrje tifozëve të dy skuadrave: Festoni në paqe, në respekt të qytetit

 

Kryebashkiaku i Roterdamit Ahmed Aboutaleb ka mbërritur në Tiranë për finalen mes Romës dhe Feynoord që do të mbahet ditën e nesërme në Air Albania. Ka qenë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ai që ka ndarë një foto teksa shtrëngon duart me Aboutaleb. Veliaj u kërkon tifozëve të festojnë në paqe në respekt të qytetit dhe ekipeve që do të luajnë në finale.

“Mirë se erdhe në Tiranë për ndeshjen Roma-Feynoord miku im, Ahmed Aboutaleb – kryebashkiak i Rotterdamit!
 U kërkojmë të gjithë tifozëve të festojnë në paqe, në respekt të qytetit dhe ekipeve që do të luajnë në finale.
 Mezi pres nesër ardhjen e kryetarit të Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri”, shkruan Veliaj.

Ora 09:52
Tifozët italianë nisin festën sapo mbërrijnë në Durrës, këndojnë në kor për Romën

 

Tifozët e ekipit të Romës që kanë mbërritur ditën e sotme në Durrës kanë nisur festën ndërsa shpresojnë që skuadra e tyre e zemrës të marrë fitoren në ndeshjen me Feyenoord.

Ata këndojnë në kor për Romën dhe shpalosin flamurin e skuadrës së tyre.

Ora 09:44
Trazirat në Tiranë, trageti nuk u nis derisa mbërritën tifozët italianë që u dëbuan nga Shqipëria

Pas përplasjeve dhe trazirave që shkaktuan mbrëmë në kryeqytet, rreth 70 tifozë italianë u kthyen mbrapsht në Itali. Me urdhër të autoriteteve shqiptare dhe italiane, trageti AF Marina nuk u nis derisa mbërritën tifozët nga Tirana, të cilët u dëbuan sepse shkaktuan incidente.

Në pamje duket se dy autobusë me tifozë, të rrethuar nga forcat e policisë janë në pritje që të largohen nga Shqipëria duke humbur kështu finalen e Conference League, për të cilën kishin ardhur në Shqipëri.

Sot është finalja Europiane e Conference League. Roma-Feyenoord do të përballen në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane. Sot priten të vijnë mbi 70 mijë tifozë të tjerë, ndërsa mbrëmja e kaluar ishte e vështirë pasi pati incidente dhe tensione në të gjithë kryeqytetin.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, u plagosën 10 efektivë e 4 tifozë dhe u dëmtua një automjet policie. Ndërkohë u shoqëruan 60 persona, 48 tifozë të  Romës 12 të Feyenoord.

Ora 09:15
Finalja, Veliaj takohet me Presidentin e UEFA-s Ceferin: Një mik dhe promovues i madh i Tiranës

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Čeferin, i cili prej ditës së djeshme ndodhet në Tiranë për të ndjekur finalen e Konferencë Ligës, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj e falenderon zyrtarin e lartë të UEFA-s që bëri të mundur që sot në Tiranë të ndeshen dy skuadra të mëdha europiane.

“I lumtur që takova një mik dhe një promovues të madh të Tiranës, si Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Čeferin. Ideja e tij për të krijuar Europa Conference League solli dy skuadra të mëdha, si AS Roma dhe Feyenoord Rotterdam, në finalen e shumëpritur. Me shpresë që gjithçka të ecë mbarë, si për skuadrat, edhe për qytetin tonë,” shkruan Veliaj.

Ora 08:38
Finalja e Conference League, Rama: Kemi bërë një nga stadiumet më të bukur të Europës, ishte kalbësirë urbane! Njësoj do të bëhet edhe Teatri i ri Kombëtar

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me pamje nga stadiumi ‘Air Albania’ ku do të luhet finalja europiane Roma-Feyenoord. Rama tregon se e ka mbajtur premtimin duke bërë një nga stadiumet më të bukur të Europës ndërsa më parë ishte thjesht ‘kalbësirë urbane’ në zemër të kryeqytetit.

Rama thekson se njësoj si stadiumi i finales së sotme, që do të jetë një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, do të bëhet edhe Teatri i Ri Kombëtar. Ndërsa asnjë koment nuk pati për përplasjen e tifozëve me policinë gjatë mbrëmjes së shkuar, ku mbetën të plagosur 10 efektivë dhe 4 tifozë.

“Mirmëngjes dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shkruan Rama.

Roma-Feyenoord do të përballen në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane. Sot priten të vijnë mbi 70 mijë tifozë të tjerë, ndërsa mbrëmja e kaluar ishte e vështirë pasi pati incidente dhe tensione në të gjithë kryeqytetin.

Ora 07:45
Tirana ‘e blinduar’ për ndeshjen, rrugët ku do të jetë ndalim qarkullimi! Si duhet të veprojnë në rast emergjencash

Policia ka marrë masa që të bllokojë rrugët për garantimin e sigurisë gjatë finales mes Romës dhe Feyenoordit. Ndeshja do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” dhe rrugët do të jenë të hapura vetëm për tifozët.

Akses në rrugë do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe të policisë ndërsa ka ndalim qarkullimi në disa rrugë. Në rast emergjencash, qytetarët duhet të marrin urë ndërlidhëse në mënyrë që të mos ngarkojnë trafiku.

  • •Kufizimet më të mëdha do të jenë në rrugët nga do të vijnë tifozët, pra Rinas - Tiranë, Durrës - Tiranë, Fushë Krujë - Tiranë dhe Elbasan - Tiranë.
  • •Këto akse do të jenë të dedikuara vetëm për automjetet që do të transportojnë tifozët e të 2 skuadrave sportive.
  • •Unaza e mesme do të jetë në dispozicion të automjeteve të tifozëve.
  • •Në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës janë përcaktuar edhe vendet e parkimit për këto automjete.
  • •Unaza e vogël do të jetë e bllokuar. Të gjitha rrugët që lidhin unazën e mesme me unazën e vogël do të jenë të bllokuara.
  • •Për 2 orë do të lejohen të qarkullojnë vetëm mjetet e Policisë, mjetet e përfaqësuesve të UEFA-s, automjetet e medias dhe të tifozëve që kanë bileta për parkim në parkimin e stadiumit.
  • •Për raste emergjencash të ndryshme, qytetarët duhet të përdorin rrugë ndërlidhëse, që të mos ngarkojnë trafikun.
  • •Mjetet e tonazhit të rëndë do të lejohen të kalojnë deri në orën 07:00 të ditës së nesërme.
  • •Lejohen të udhëtojnë në drejtim të Rinasit, vetëm ata qytetarë që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit.
  • •Qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim në veriut, duhet të kalojnë në aksin Tiranë - Vorë - Fushë Krujë dhe jo në aksin Tiranë - Rinas - Fushë Krujë.
  • •Nuk lejohet qarkullimi nga Fushë Kruja në drejtim të Rinasit, me qëllim për të kaluar në Tiranë. Lëvizja në këtë aks lejohet vetëm për ata që kanë biletë për udhëtim jashtë vendit.
  • •Nuk lejohet qarkullimi në aksin Vorë - Tiranë.
  • •Qytetarët që do të vijnë nga jashtë shtetit, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, lejohet të qarkullojnë në drejtim të Tiranës.
/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 25/05/2022 17:24

    Per ju komentues patronazhishte mbas ndeshjes do hani sufllaqe pa limit

    Përgjigju
  • Ani: 25/05/2022 15:01

    Turp i zotit na llashte me kto gjera

    Përgjigju
  • Zaku: 25/05/2022 13:35

    Eshte e lodhshme dhe bajate kjo lloj propogande tipike sovjetike: erdhi ky apo ai nga "jashte", erdhen mijra tifoze per ndeshje, dhe vrap media dhe fotografe, analiste te skaduar dhe pseudo shtetare, kendojne ison e vjeter si nje radio e prishur. Pa dinjitet fare.

    Përgjigju
  • Jorgo: 25/05/2022 12:11

    Nje super stadium ku do te luajne dy klube me histori ne futboll duhet te jemi krenare

    Përgjigju
  • Olsi: 25/05/2022 11:26

    Stadiumi ka dal nje kryeveper super i bukur ka lezet ta shikosh

    Përgjigju
  • Bujar: 25/05/2022 11:19

    Ky stadium eshte nje nder projektet te cilat i jep teper vlere Shqiperise e kryesisht Tiranes. Koha kalon dhe ne shohim se premtimet e dhena po ecin teper pozitivisht. Besimi ndaj qeverise dita dites po perforcohet akoma me shume me ane te puneve kaq te bukura. Po presim qe dhe Teatri te finalizohet e te dale nje perle tjeter

    Përgjigju
  • Kadri: 25/05/2022 11:16

    Me pas qejf me e pa stadiumin kaq te bukur . Nje arkitekture e cila te len mbresa te pfundme.

    Përgjigju
  • Aldi: 25/05/2022 11:13

    Nje stadium qe sot me shum se kurr na ben te ndihemi krenar. Le ti plasin syt te gjith ata skeptiket qe e shan dhe jam i sigut qe e njetja gje do ndodhe me teatrin dhe gjithe projektet e tjera

    Përgjigju
  • Luani: 25/05/2022 11:10

    Nese bejme nje fare krahasimi me periudhen e Berishes ndryshimi eshte si nata me diten! Jemi teper te bindur qe ashtu sic realizuat nje projekt kaq te madhe te tille do veprini dhe ne mdertimin e Teatrit!

    Përgjigju
  • Sueli: 25/05/2022 11:06

    Syte e gjith europes sonte donte jene nga vendi yne i bukur

    Përgjigju
  • Fatma: 25/05/2022 11:02

    Nje nga premtimet e shumta qe ju keni mbajtur zoti rama. Ky stadium eshte nje nga investimet me te mira qe ju keni bere. Kam besim se dhe teatri i ri kombetar do te na lej pa fjale dhe do te behet shume here me i mire dhe me bashkekohor.

    Përgjigju
  • Redi: 25/05/2022 10:57

    Sot nje nga ndeshjet me te bukura do te luhet ne nje nga stadiumet me te bukura ne Europe.Stadiumi yne ka standartet e duhura per cdo ndeshje qe do te luaj ne vendin tone.Urime kryeministrit per kete mundesi te mire per vendin tone.

    Përgjigju
  • Rea: 25/05/2022 10:56

    Nuk e kishim menduar kurre qe ne vendin tone do te behej nje ndeshje kaq e rendesishme si kjo.Ne nuk kemi pasur nje fushe te sakte ne kohen e Saliut jo me nje stadium te ketyre permasave e te miratuar nga UEFA per te bere ndeshje ekipe te medha si Roma.Na krenove Edi.

    Përgjigju
  • koli: 25/05/2022 10:55

    normale qe me i bukuri ne ballkan dhe jo vetem , finalja e pare e konference lig behet ne tirane

    Përgjigju
  • Petrit: 25/05/2022 10:51

    Fale ketij stadiumi me te gjithe standartet e nevojshme eshte bere e mundur te zhvillohet kjo ndeshje kaq e rendesishme ne vendin tone. Me keto pune te mira vendi yne po merr zhvillimin qe meriton

    Përgjigju
  • Fabio: 25/05/2022 10:51

    Puna e palodhur gjithmon shperblehet dhe kjo ndeshje eshte shperblimi jone per punen kolosale te bere er tranformimin e stadiumit

    Përgjigju
  • Altin: 25/05/2022 10:49

    Sot do jete nje super ndeshje dhe jam shum i sigurte qe te gjithe tifozet do jene te kenaqur dhe do kalojne bukur. Shpresoj te fitoje me i miri

    Përgjigju
  • Romario: 25/05/2022 10:45

    Ka qene vertet nje vend i mjeruar stadiumi i meparshem. Shyqyr qe iu dha rendesia e duhur nga qeveria juaj dhe arritet te ndertoni kete stadium me kushte europiane. Tani edhe ne mund te shofim ekipet me te njohura qe luajne ne vendin tone

    Përgjigju
  • Eva: 25/05/2022 10:43

    Erdhi me ne fund dhe dita ku ne te behemi nje qender qe te luhet nje ndeshje kaq e rendeshishme futbolli. Me behet shume qefi qe fal z Rama vendi yn po zhvillohet ne cdo drejtim

    Përgjigju
  • Luli: 25/05/2022 10:43

    Nje pune e merkullueshme eshte bere nga ju si qeveri ndihem shume i lumter qe vendi jone per here te pare perfshihet ne nje evet te keti lloji

    Përgjigju
  • Klesja: 25/05/2022 10:42

    Me fat qe kjo ndeshje do luhet ne vendin tone

    Përgjigju
  • Elizabeta: 25/05/2022 10:41

    Normale qe do behet per cdo projekt qe keni marr persiper ka dalur me sukses dhe nje kryeveper une kam besim shume qe teatri do dali nje sukses i vertet dhe i mrekullueshem shembull per teatrat e tjera ne europ

    Përgjigju
  • Klajdi: 25/05/2022 10:41

    Stadiumi i ri eshte bere me standarte europiane ashtu siç i ka hije nje stadiumi te denje . Mezi pres te behet edhe teatri i ri qe ta shikojme se bukur do behet .

    Përgjigju
  • Kristiana vokrri: 25/05/2022 10:40

    Bravoo zoti rama keni ber nje pune fantastike per organizimin e ketij eventi dhe per ndertimin e nje stadiumi te standarteve europiane

    Përgjigju
  • Une: 25/05/2022 10:32

    Jane boshatis getot e Roterdamit, kane ardhe te gjithe ne Tirane mbushur barkun me birra dhe hundet me droge. Do zoti ju fut nja 5 petulla Roma te ikin nga kane ardhe barbonat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë

Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë