TIRANË- "Sistemi i maturës shtetërore nuk e zhduku korrupsionin. Ai i shpërndau metastazat e infektoi gjithë shoqërinë". Ndaj ky sistem, sipas dekanit të Fakultetit të Histori-Filologji, Shezai Rrokaj "duhet të ndryshojë e çështja të zgjidhet".
Matura shtetërore dhe problemet e saj ka qenë çështja e shtruar për diskutim në një tryezë të mbajtur mbasditen e sotme në Tiranë nga Lëvizja Rinore për Integrim.

Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi me gjimnazistët e Tiranës me titull “Matura Shtetërore kërkon zgjidhje. Barazi, meritokraci, transparencë” ishin edhe zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili, zëvendës ministrja e Arsimit, Nora Malaj, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj.

Sipas Rrokajt, ky problem duhej të ishte zgjidhur që para pesë muajsh.
“Duhej ta kishim këtë bërë që pesë muaj më parë. Kemi kurajon megjithatë të themi sot se edhe në qeverisjen e djeshme, LRI e ka ngritur këtë problem. Sot jemi me përfaqësim më të madh, ndaj zëri ynë do të dëgjohet. Edhe në parlament është çështje numrash ndaj do të dëgjohemi”, u shpreh Rrokaj.
Sipas tij, sistemi i maturës shtetërore “E ktheu mësuesin në polic. Ai nuk është polic”.

“Sistemi ka probleme shumë të mëdha. Është çështje shumë themelore për maturantët tanë dhe ata që e kanë kaluar.  Por më shumë se kaq është e nevojshme edhe për shkak të një angazhimi politik që secili prej nesh ka. Nëse e ka pësuar njëherë, të mos rreshtë së kërkuari që beteja të jetë për të ardhmen. Këto janë idetë e mia. Më vjen keq për maturantët që sivjet do t’i nënshtrohen kësaj mature. Nuk ngurroj të flas hapur e të them troç se kishim gjithë kohën e duhur të bënim riparimet”, ritheksoi Rrokaj.
 
RROKAJ: TË RINJTË, TË PËRDORUR SI KAVIE EKSPERIMENTALE
Rrokaj vijoi se “Një sistem që zgjati 7 vjet duke u riparuar çdo vit, ai sistem nuk qëndron. Nuk ka nevojë të dish shumë për këtë. Asnjëherë nuk u thurr çfarë të drejtash e detyrash kishin maturantët tanë. Ç’janë këta që i përdorin të rinjtë si kavie eksperimentale?!”, theksoi dekani.

“Sistemet e pranimit studiohen, rregullohen, zgjidhen. Matura shtetërore u ngrit si sistem që të zgjidhte dy gjëra. Së pari, të zhdukte korrupsionin që ishte vënë re me të drejtë edhe në universistet. Së dyti, të drejtonte një sistem kombëtar kontrolli të barabartë për të gjithë.  A e zhduku kjo korrupsionin?
Më 2008, 18 vetë nga Fushë- Kruja u pranuan në mjekësi. U përçudnua sistemi. Sistemi nuk e zhduku korrupsionin.  Por i shpërndau metastazat e infektoi gjithë shoqërinë. E ktheu mësuesin në polic. Ai nuk është polic. Kjo do të thotë se sistemi ka probleme shumë të mëdha.”, vërejti Rrokaj.

“Ajo që duhet të bëjmë është që: E para, tre vitet e studimit duhet të marrin jo më pak se 50 pikë; E dyta, grup-lëndët sipas degës që preferon mund të shihet deri në 30 pikë; E treta, konkurrim vetëm aty ku kërkesa është më e lartë se oferta. Liberalizim në të gjitha degët e tjera, ku çdo maturant aplikon vetë në bazë të pikëve që ka marrë në Maturën Shtetërore. Pra, duhet thjeshtuar sistemi”, tha ai.
 
VASILI: KENI MBËSHTETJEN TIME
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, shprehu mbështetjen e plotë jo vetëm të forcës politike që përfaqëson por edhe atë personale, për të përkrahur “zgjidhjen e problemit të Maturës Shetërore”.

“Duke dashur të konkludoj fjalën time me të njëjtën ndjeshmëri që po bie këtu është ndjeshmëria e secilit prej deputetëtve tanë. Keni një favor jo të vogël që brenda grupit tonë kemi një deputete si Kejdi Mehmetaj, se ajo bie atje kredon e disa brezave që e kanë kaluar maturën shtetërore dhe na mobilizon të gjithëve ta çojmë përpara. Besojmë se duke përdorur eksperiencën shumë të vyer të njerëzve me peshë, siç është z. Rrokaj dhe znj. Malaj, që përfaqësojnë edhe peshën e duhur politike brenda forcës sonë, themi se kemi indegrientët e duhur dhe askush më mirë se LRI nuk mund ta bënin të tyren e ta çonin përpara një nismë të tillë. Merita për këtë megjithatë mbetet tërësisht e juaja”, u shpreh Petrit Vasili.
Sipas tij LSI u vu në lëvizje pikërisht prej këtyre.
“Ju na vutë në lëvizje e mobilizuat ta vemë përpara. Mes nesh ka një deputet të veçantë, Ilir Meta që e mbështet këtë nismë. Unë jam këtu dhe edhe në parlament atje që të mështes këtë nismë.
 
KRYETARI I LRI: KËRKOJMË BARAZI, MERITOKRACI, TRANSPARENCË
Kryetari i LRI, Endri Braimllari nga ana e tij falenderoi “Vasilin, Malajn dhe Rrokajn për suportin e jashtëzakonshëm, por dhe mësuesit që janë prezentë këtu për të qenë pjesë e debatit tonë”.

“Kur flasim për çështje të arsimit është komplekse se arsimi fillon që në shkollën fillore, tetëvjeçare e universistet. Por LRI ka qenë gjithmonë zë i fortë i mbrojtjes së interesave të të rinjve, kryesisht i maturantëve. E them me keqardhje që jam brezi i dytë i maturës shtetërore, maturë-preferencë dhe nuk është se kemi ndonjë rezultat të lartë të veprimtarisë së maturantëve, jo se nuk kemi maturantë që nuk studiojnë, por i tillë është sistemi i matures. Ne jemi për t’u hapur në tregun e punës e më pas për të shërbyer. Bagazhi i njohurive vjen në gjimnaz. Barazi, meritokraci dhe transparencë. Kjo është ajo që kërkojmë”, u shpreh Braimllari.
Sipas tij, “Çdo maturant duhet të ketë rregulla të barabarta. Diferencën e bën meritokracia me aftësitë dhe njohuritë që keni. Duhet të kemi sistem transparence që i shërben maturës shtetërore dhe ne".
"Shpesh themi të përshtatasim maturën shtetërore në sistem të maturës evropiane, për arsye se një nxënës që ka përfunduar maturën shtetërore duhet të jetë i aftë dhe jo të na orientojë fati. Duhet të jeni profesionistë. Këtë vit kemi fatin tonë që në grupin parlamentar të LSI-së bën pjesë dhe nënkryetarja e LRI-së, një deputete e re. Interesat tona do të mbrohen shumë. Kjo nuk është kauza e LRI-së por e rinisë shqiptare. Matura shtetërore i shërben rinisë dhe vendit. ‘Na është bërë matura shtetërore si copë me arna’ më tha një maturant. Kanë suportin tonë që kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, përfundoi Braimllari.
 
MALAJ: PROBLEME TË RËNDËSISHME, CILËSIA E TEZËS E STANDARDI I MATURËS
Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, foli për disa nga masat emergjente që janë marrë nga ministria. “Dy janë probleme më të rëndësishme: Cilësia e tezës dhe standardi e menaxhimi i maturës. Për sa i përket tezës unë mund të them që fondi i pyetjeve që juve do t’ju jepet do të bëhet mbi bazën e programit që juve do t’ju ofrohet dhe jo në bazë të teksteve. Unifikimi i standardit vjen mbi bazën e programit. Këtë vit nuk do të jetë më teksti i përzgjedhur nga profesorati por do të jetë elektronikisht por do të jetë një listë programesh që në bazë të kompjuterit do të zgjidhen pyetjet. Kjo do të çojë edhe që vitin e ardhshëm Matura Shtetërore të bëhet online. E dyta, do ta bëjmë esenë një test të veçantë dhe jo test të përbashkët, në mënyrë që të kemi një vlerësim të merituar. Këtë vit do të kemi një sistem për të pasur një vlerësim më të drejtë dhe gjithkush të marrë atë që i takon. Këtë vit do të ketë një ndryshim shumë të madh në këtë drejtim”, u shpreh Malaj.
 
MEHMETAJ: TRE VITE NUK MUND TË BARAZOHEN ME NJË PROVIM
Nënkryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, në fjalën e saj foli për problemet më madhore që has Matura Shtetërore sot. “Ndër problemet kryesore që ngrihen për maturën shtetërore, janë pikërisht fakti sesi tre vite barazohen me një provim të dhënë në një ditë, ku gjendja jonë emocionale mund të jetë jo fort e mirë, ku kemi presion dhe trysni nga koordinatorët nëpër shkolla dhe nga prindërit. Pra, vlera e notës mesatare të tre viteve është 25% ndërsa provimet që ne japim në fund të vitit të tretë zënë 75% të pikëve që ne mbledhim për të aplikuar në fakultet. Kjo bën çdo gjimnazist që nga formimi i përgjithshëm që duhet të marrin, të përqendrohen në katër a pesë lëndë”, tha ndër të tjera Mehmetaj.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)