LSI kërkon më shumë transparencë për planin e ri urbanistik të Tiranës. Prof. As. Eltjon Halimi, këshilltar i LSI-së dhe Kryetar i Komisionit të Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, i drejtoi administratës bashkiake sot disa pyetje gjatë mbledhjes së këshillit.
 
Fjala e Halimit 
Duke e studiuar Planin e paraqitur, duke dëgjuar përfaqësuesit e bashkisë në komision, natyrshëm na kanë lindur pyetje të cilat kërkojnë sqarim dhe transparencë në mënyrë që, qoftë si përfaqësues të qytetarëve, qoftë si ekspertë, të jemi të bindur që kur të votojmë këtë plan që përfaqëson vizionin e zhvillimit të Tiranës së bashku me ish komunat, ta bëjmë me besimin që kemi bërë më të mirën dhe mos kemi nesër efekte me impakt negativ.
Duke u fokusuar vetëm në fushën e komisionit që drejtoj, do doja sqarime për tre pika që i mendoj tepër të rëndësishme dhe që i adreson ky plan.

1. Plani parashikon, të mos lejojë më urbanizim në ish komunat, por vetëm në atë zonë që tashmë është urbanizuar. A parashikon kjo masë zhvillimin dhe zgjerimin urban të këtyre komunave në 30 vitet e ardhshme? Pasi shumë prej tyre që sot kanë një zhvillim të konsiderueshëm urban. Si ky plan do harmonizojë kërkesat për urbanizim në këto komuna me kujdesin për të mbrojtur ekosistem natyrore dhe habitatet floristike?

2. Pylli Orbital, që parashikohet të krijohet përreth qytetit të Tiranës, ashtu siç është paraqitur në hartën e planit gjurma e tij, shikohet qartë që do realizohet edhe në tokë bujqësore! Si është menduar kjo gjë? Pasi duke qenë dakord për krijimin e kësaj mushkrie të re për qytetin, a po pakësojmë tokën bujqësore? Sepse ndodh shpeshherë që me idenë për të krijuar një efekt pozitiv të munguar, të shkatërrojmë një efekt pozitiv që kemi. Do të ishte pozitive që ky pyll në ato vende që mbillet në tokë bujqësore të jetë me dru frutorë të klimës së Tiranës.

3. Plani parashikon krijimin e tre Korridoreve Bujqësore. Do doja të dija në cilat komuna do kalojnë këto korridore? A janë marrë parasysh hortikultura e veçante e çdo ferme të komunave, të citat ndryshojnë në varësi të mikroklimës, strukturës se tokave, lagështirës, etj. A janë marrë parasysh në përcaktimin e këtyre korridoreve mundësia e prodhimeve BIO, tregtimi i tyre në qytetin tonë? A janë parashikuar ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse bujqësore dhe blegtorale në zonat ku do kalojnë këto korridore bujqësore ose edhe lidhja e tyre me tregjet e qytetit?
Besoj se transparenca për këto vizione të planit do e bëjë më të kuptueshme për çdo qytetar, por edhe për ne që do e votojmë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com