FIER - Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon t’u dërgojë partive politike në vend mesazhe dhe thirrje për bashkëpunim, në shërbim të integrimit të vendit dhe marrjes së statusit kandidat. Në këtë pikë është vënë theksi edhe ditën e sotme nga kjo forcë politike.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta nga Fieri duke iu referuar vizitës që do të realizojë ditën e hënë Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, ftoi të gjithë forcat politike që të respektojnë aspiratën e qytetarëve shqiptarë përtej bindjeve të tyre politike në mënyrë që Shqipëria të përftojë statusin e vendit kandidat. Sipas Metës i duhet thënë jo politikës konfliktuale dhe duhet që të gjitha energjitë të përqendrohen në zhvillimin ekonomik të vendit.

“LSI-ja ka bërë thirrje dhe unë përsëri sot këtu duke pasur në konsideratë se ditën e hënë vjen në Tiranë komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Europian, i ftojmë të gjitha forcat politike që të dëgjojnë dhe të respektojnë aspiratën e qytetarëve shqiptarë përtej bindjeve politike që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat që reputacioni dhe besueshmëria e vendit të rritet kudo, por edhe për Shqipërinë dhe Fierin. Të hapen mundësi më të shpejta dhe më të mira për të përmirësuar jetën tuaj dhe njëkohësisht për të shtuar vendet e reja të punës. Le ti themi jo politikës konfliktuale, le ti themi jo sherreve të së kaluarës, le ti themi jo betejës së monumenteve, le të kujdesemi për të rinjtë, le të kujdesemi më shumë për të moshuarit, të përqendrohemi tek zhvillimi i ekonomisë, tek hapja e vendeve të reja të punës”, theksoi Meta.

Ndërkohë që në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, nënkryetari i kësaj forcë, Petrit Vasili bëri apelin drejtuar dy forcave të mëdha politike në vend duke theksuar se duhet “të rrëzojnë muret e mosbashkëpunimit dhe të ngrenë urat e komunikimit, për të cilat vendi ka aq nevojë”.

“LSI do të investohet, si deri më sot, me gjithë fuqinë e saj politike në drejtim të pozitivitetit e konstruktivitetit të domosdoshëm për të rrëzuar muret që ekzistojnë nga mosbashkëpunimi politik e për ngritur ato ura komunikimi që e çojnë vendin në Europë e për të cilat vendi ka aq nevojë. Ndaj, kjo e hënë dhe kjo vizitë duhet konsideruar si një vizitë dhe një mundësi në ndihmë dhe në favor të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë dhe politika duhet të bëjë me përulësi detyrën e saj, detyrë i të cilës i ka munguar e për të cilën sigurisht përgjegjësitë rriten nëse ajo nuk e përdor si duhet këtë shans të madh që asaj i jepet”, u shpreh Vasili.

Ndërsa i pyetur mbi përmbylljen e procesit të ndarjes së mandateve, nënkryetari i LSI-së shprehu kënaqësinë për përfundimin e një procesi të gjatë, të ngarkuar me debate e konflikte të panevojshme.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)