TIRANE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim bën thirrje për gjetjen e një dialogu dhe kremtimin nga gjitha partitë së bashku të 100 vjetorit të pavarësisë më 28 Nëntor.

Deklarata bëhet në një kohë kur PS deklaroi dje se do të festonte 28 nëntorin në Vlorë, ndërsa qeveria ka deklaruar se festimet do të jenë në Tiranë ndërsa në Vlorë do të zhvillohen më 27 nëntor.

“Kremtimi i 100- Vjetorit duhet të shihet si moment bashkimi, nuk mund të kryhen festa paralele. Duhet dialog dhe bashkëpunim sepse këtu nuk do të jenë vetëm shqitarë të gjithë Shqipërisë por nga e gjithë bota do të vijnë për të nderuar kombin tonë dhe jo thjeshtë qeverinë prandaj kërkon një bashkërendim dhe ndërgjegjësim të momentit që kalojmë dhe që na teston dhe që e rrit më tej rolin e Shqipërisë apo e dëmton këtë rol në të ardhmen.”- tha Meta sot paradite në mbledhjen e Komitetin Drejtues Kombëtar që po zhvillohet në hotel Tirana.

KDK, në mënyrë elektronike do votojë për zgjedhjen e Kryetarit të KDK-së dhe Kryesinë e LSI. Kreu I LSI-së Ilir Meta e quajti votimin elektronik transparent dhe të pastër. “Votimi elektronik është 100 herë më i mirë se nga ato që u mësuam me kutitë që vendosen nga komisionerët. Votimi elektronik është më transparent dhe më i pastër”- tha Meta.

Njëherësh mbrëmë, për herë të parë në Shqipëri, një parti politike organizoi një takim Live në Facebook, me pyetje përgjigje në kohë reale. Drejtuesit e LRI, Endrit Braimllari e Kejdi Mehmetaj drejtuan një debat live vetëm në Facebook, për të gjithë shqiptarët kudo që të ndodhen. Është hera e parë që një debat shoqëror e politik nuk organizohet në platformat e ekraneve të televizioneve, por vetëm në internet.Të rinjtë iu përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve live për tematika të ndryshme si: mundësitë për punësimin e të rinjve, arsimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në politikë. Pyetjet janë dërguar me tekst, apo me video. Mbrëmë mbi 300 të rinj kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë debat, i cili filloi në orën 20:00, në faqen e Facebook-ut të LSI-së. Ky event live, vjen 2 ditë pas përfundimit të Konventës të LSI që u zhvillua në Pallatin e Sportit në Tiranë.
shqiptarja.com)