"Ne jemi në këtë komunikim së bashku për të shprehur vlerësimin maksimal, pse jo edhe kënaqësinë tonë qoftë në planin politik dhe më gjerë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me një standard të tillë kaq të lartë bazuar edhe në vlerësimet tepër pozitive që OSBE-ja ka bërë për procesin zgjedhor", u shpreh Vasili.
Sipas Vasilit, ky ishte një proces, i cili shënoi fitues të gjithë popullin e Kosovës. Shënoi fitues edhe standardet më të larta të zgjedhjeve, të cilat përbëjnë njëkohësisht edhe një standard të lartë të zhvillimit të demokracisë dhe evropianizimin e jetës politiko-shoqërore në Kosovë. Kënaqësia sigurisht është dyfishe nga Tirana dhe nga Prishtina; në Tiranë u pa më 23 qershor, por edhe në Prishtinë dje në mbylljen e procesit, konstatohet pra konsolidimi i një standardi thelbësor për funksionimin e demokracisë, ai i mbajtjes së zgjedhjeve në standardet më të larta dhe me një demokraci të plotë e me kushtet e një zhvillimit të tyre të sigurisë maksimale.
"Mund të thuhet pa e tepruar që shënojnë ndarjen një herë e përgjithmonë nga sëmundja e vjetër e zgjedhjeve problematike dhe hymë në një rrugë të re qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë të realizmit të projekteve të mëdha, që kanë të bëjnë me evropianizimin e jetës politike, infrastrukture dhe ekonomike të vendeve tona, por njëkohësisht projektohemi për objektiva të kësaj natyre duke lënë pas me realizimin e suksesshëm problematikën tashmë të diskutuar dhe bashkëshoqëruese të zgjedhjeve me vështirë e probleme dhe të kontestuar".
Vasili ka analizuar më tej se me këtë hap është e qartë, që edhe në rrugën e integrimit, Kosova ka hedhur edhe një tjetër hap të sigurt e ku sigurisht e presin sfida të tjera, që janë sfidat e normalitetit të rrugës së gjatë të integrimit, por ama kemi sot në momentin e realizimit të një kryedetyrë, që është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar, pra shqiptarët në të gjithë këtë hapësirë të madhe ku jetojnë kanë të drejtë të thonë që janë evropianë të mirë, sepse realizojnë ato zgjedhje të ngjashme me zgjedhjet e zhvilluara evropiane dhe të ndara me standardin e vjetër të zgjedhjeve problematike.
"Kështu që në këtë proces të mbajtjes së zgjedhjeve në këto nivele dhe drejt perfeksionimit sigurisht të vazhdueshëm të tyre, sepse gjithmonë ka vend për perfeksionim, mendojmë që ky vlerësim maksimal shkon për gjithë organizatorët e këtyre zgjedhjeve, për forcat politike, për qytetarët e Kosovës, të cilët ditën të realizojnë të gjithë së bashku këtë standard të ri dhe të shumëpritur", përfundoi komentin Vasili. Më tej Vasili u pyet nga gazetarët.
PËr 2 PR/LIGJET DO MIRËPRESIM ÇDO SUGJERIM DHE KËSHILL NGA OPDAT E GRUPET E INTERESIT
Z. Vasili, cili është komenti juaj në lidhje me letrën e SHBA-ve, e cila është bërë publike sot në Komisioni i Ligjeve lidhur me dy nismat e fundit të Ministrisë së Drejtësisë?
Nisma të cilat nuk kanë filluar ende të shqyrtohen, por janë futur në kalendarin e shqyrtimit të tyre në Parlament janë nisma që kanë të bëjnë me një problematikë tepër delikate, që kanë të bëjnë me një nga prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian për të ardhmen e rrugës së integrimit, siç është lufta ndaj korrupsionit, i cili vazhdon të mbetet dhe do të jetë edhe për një kohë të gjatë një prioritet madhor i qeverisë së re të dalë pas 23 qershorit, e cila ka pasur dhe do ta ketë si një nga themelet e aksionit të saj politik luftën ndaj korrupsionit.
Edhe nismat janë pikërisht zhvillime në këtë fushë. Ky diskutim, sikurse ju thashë, nuk ka filluar ende, ku është futur në kalendarin e Parlamentit, ku sigurisht të gjitha sugjerimet që do të vijnë, dhe ku “OPDAT” është një nga sugjerimet e çmuara dhe dëgjimi i të cilave do të jetë shumë i vëmendshëm, do të jetë patjetër pjesë e procesit të diskutimit të gjerë që do të ndërmerret në Parlament lidhur me këto nisma.
Unë e kam shprehur edhe në Komisionin e Ligjeve si anëtar i tij në mbledhjen e sotme ku u miratua kalendari dhe ku nuk ka filluar ende diskutimi, që të ketë një gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve institucionalë, pra jo vetëm të ekspertëve amerikanë, ndihma dhe mbështetja e të cilëve është e pazëvendësueshme dhe e çmuar, por edhe e përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të realizuar atë dimension që shumica e re e dalë pas 23 qershorit e ka dimension të sajin për t’u konsultuar me të gjithë grupet e interesit dhe me agjencitë qeveritare, dhe jo vetëm, që operojnë në fushën e drejtësisë për të marrë më të mirën dhe për ta reflektuar gjatë procesit të diskutimit të këtyre dy projektligjeve në të gjithë ecurinë parlamentare të tyre, pra ecurinë në komisione e më tej në seancë plenare, për të ecur në rrugën e një perfeksionimi gjithmonë e më të plotë të tyre, e cila do të ndihmonte për një veprim të drejtpërdrejtë të vendosur të ligjit ndaj këtij problemi tepër shqetësues siç është lufta ndaj korrupsionit dhe ku çdo përmirësim e ku çdo dëgjim i vëmendshëm i kontributeve dhe të mbështetjes, jo vetëm të partnerëve amerikanë, të cilët janë mbështetës me një prioritet të pazëvendësueshëm, por edhe të gjithë aktorëve të tjerë dhe grupeve të interesit, të cilat do të bënin në fund të fundit pasurimin dhe perfeksionimin gjithnjë e më të mëtejshëm të legjislacionit për ta efektiv e të drejtpërdrejtë ashtu sikurse janë edhe qëllimet për të cilat këto nisma janë këtu.
Pra, jemi përpara një procesi, i cili do të mundësojë dëgjimin e vëmendshëm të çdo sugjerimi, thashë që nga sugjerimet dhe këshillimi nga OPDAT dhe të të gjithë grupeve të tjera të interesit. Kështu që, mendoj që jemi në kohën e duhur pikërisht tashmë që ky proces sa po fillon për të realizuar një proces shembullor dhe që ezauron të gjitha mundësitë, qofshin këshillimore, qofshin politike për të realizuar një legjislacion edhe të parametrave ndërkombëtarë evropianë, por edhe një legjislacion i cili jep një përgjigje direkte, të qartë, pa ekuivoke luftës ndaj korrupsionit, ashtu sikurse edhe prioriteti i vendosur nga BE në rrugën tonë për integrimin.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)