TIRANË – Vetëm një orë para fillimit të seancës së parë të Kuvendit të ri të Shqipërisë, Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi grupin e saj parlamentar prej 16 deputetësh ku zgjodhi Petrit Vasilin si kryetar të grupit parlamentar.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta,që hapi mbledhjen tha  se "është kënaqësi që të takohemi të gjithë bashkë përpara fillimit të legjislaturës së re.  Me këtë rast i uroj Klajdës, Edmond Panaritit, Edmond Haxhinastos, Nasipit dhe Lefterit suksese në angazhimin e tyre por edhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ne shkojmë në Kuvendin e ri për herë të parë pas nëntë vitesh, me këtë rast gëzuar duke pasur një Grup të konsiderueshëm Parlamentar, që është thjesht kompensim i mandateve që kemi humbur padrejtësisht në vitin 2005 dhe në vitin 2009.  Megjithatë në radhë të parë unë nuk besoj tek numri ynë dhe as  mazhorancës tonë, “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, por besoj tek cilësia e përfaqësimit, tek integriteti i të gjithë juve dhe mbi të gjitha tek qëllimi ynë mjaft pozitiv për të ecur më shpejt duke respektuar parimet demokratike dhe në radhë të parë atë të gjithëpërfshirjes”, vijoi ai.

Meta tha në vijim se “kjo është vetëm mbledhja e parë, takimi ynë i parë, për të vijuar më pas me mbledhjet e rregullta javore të këtij grupi Parlamentar, në mënyrë që ne të përmbushim programin tonë dhe njëkohësisht edhe të respektojmë axhendën e Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re që është mjaft ambicioze. Besoj shumë tek angazhimi juaj, tek përkushtimi juaj dhe ju uroj të gjithëve suksese dhe mbarësi!

BRAHO, DEPUTET I PS DHE ANETAR I KRYESISE SE LSI
 
Për sa i përket z. Braho, meqenëse dikush më pyeti se pse nuk ka ardhur z. Braho, mendoj që për sa i takon mbledhjeve të grupit ai do të vazhdojë të shkojë tek Grupi Parlamentar i PS-së dhe sa i takon mbledhjeve të Kryesisë do të vazhdojë të vijë tek Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i faktit që jemi dy forca politike por jemi një mazhorancë e bashkuar dhe që funksion”, përfundoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)