Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje ka ndaluar dhe pezulluar nga detyra katër gardianë në burgun e Peqinit.
 
Kjo masë ndaj tyre ka ardhur pas denoncimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit se rojet e burgut kishin dhunuar mëngjesin e 30 shtatorit të dënuarin me iniciale G.V. Sipas komitetit G.V është dhunuar brutalisht nga gardianët pa shkak e për këtë ata kërkuan që të hetohej ngjarja.
 
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaruan për ReportTv se pas hetimeve ka rezultuar se katër gardianët e ndaluar dhe pezulluar nga detyra janë të përfshirë në dhunimin e të dënuarit. Materialet hetimore për këtë rast i janë përcjell prokurorisë së Elbasanit dhe pritet që gjykata të caktojë ndaj gardianëve masën e sigurisë.
 
Denoncimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bazë të një sinjalizimi se, në IEVP Peqin është ushtruar dhunë ndaj një të dënuari, në dt. 04.10.2017 kreu një verifikim nga ku rezultoi se, në dt. 30.09.2017, rreth orës 22.30, në Sektorin e Sigurisë së Lartë të IEVP Peqin, Grupi i gatshëm i Policisë së Burgjeve ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara. Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara.

Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve. Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.



dy.b/shqiptarja.com