Duke komentuar këtë rast, Manjani shkruan në ‘Facebook’ se tani është kryeprokurorja Arta Marku, e cila duhet të sqarojë lidhur me këtë shtetas të ekstraduar një ditë më parë drejt Italisë.
Sipas ish-ministrit të LSI, Seiti nuk mund të ekstradohej në Itali pa përfunduar hetimi dhe gjykimi në vendin tonë.
STATUSI I MANJANIT
Ende presim një sqarim nga Prokuroria e Përgjithshme mbi lejimin e ekstradimit të N.S! Lajmi që u përhap dje që Ministria e Drejtësisë e kishte bërë ekstradimin pa pyetur drejtësinë, nuk rezultoi i vërtetë. Tani topi është në fushën e zonjës Arta Marku. Ajo duhet të na sqarojë:
1. Kishte apo jo çështje penale në ngarkim të N.S, në proces nga prokuroria shqiptare?
2. A u arrestua ky person nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pronar i drogës së kapur në Vlorë në shtatorin e vitit të shkuar?
3. Nëse po, pse e lejoi ekstradimin duke mos njoftuar Ministrinë e Drejtësisë?
Një sqarim ligjor për ata që nuk merren me këtë gjë: personi ndaj të cilit po heton prokuroria shqiptare, nuk mund të ekstradohet pa përfunduar hetimi dhe gjykimi. Ky është standard ligjor i yni dhe çdo shteti.
Gjithashtu Ministri i Drejtësisë kur vendos ekstradimin ose jo i referohet ekskluzivisht materialeve që vijnë nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria është institucioni që zbaton vendimet penale dhe që ngre akuze e bën hetime për çdo shtetas.
Dyshimi se e vunë në krye të Prokurorisë për të mbyllur dosjet e mëdha, të paktën deri tani, është i provuar! Përgjegjësia ligjore për largimin e N.S është direkt mbi Arta Markun!
Qeveria për momentin mbrohet nën petkun e saj! E bën atë përgjegjëse. Ndonëse shpejtësia me të cilën e vendosën dhe e ekstraduan, provon nevojën që vetë qeveria kishte për ta larguar atë “siklet”… Presim zonjën Marku të sqarojë pozicionin e saj dhe të Prokurorisë. Shpresoj të mos ketë vënë në dispozicion të “hallit” të qeverisë ndonjë numër bosh të lënë në protokoll… Sidoqoftë Heshtja e bën me faj!
d.c./shqiptarja.com









