Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar ekstradimin drejt Italisë të financierit të grupit kriminal ‘Habilaj’, Nazer Seiti. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg pa afat’ për Seitin, duke bllokuar ekstradimin e tij deri në përfundim të hetimeve në Shqipëri. 

Pak ditë më parë, gjykata caktoi 20 ditë burg për Seitin dhe më datë 14 nëntor ky afat skadonte dhe ai duhet të ekstradohej drejt Italisë. Prokuroria kërkoi që të zgjatej afati i ekstradimit të financierit të grupit kriminal, që trafikonte drogë drejt Italisë, ndërsa sot gjykata vendosi ‘burg pa afat’, duke shtyrë ekstradimin pas përfundimit të hetimeve.

I pyetur nga Report Tv, pas vendimit të gjykatës avokati i Nazer Seitit tha se prokuroria e Krimeve të Rënda po privatizohet, duke përdorur akte të sjella në rrugë primitive dhe jo në formën e kërkuar nga ligji. Avokati Detar Hysi sulmoi Prokurorinë, teksa tha se ka tejkaluar kompetencat.

“Privatizohet Prokuroria e Krimeve të Rënda duke përdorur akte të sjella në rrugë primitive dhe jo në formën e kërkuar nga ligji! Nuk i është dhënë rrugë letërporosisë konform kodit të procedurës penale. Po aktet janë sjellë dorazi dhe të vulosura nga drejtoria e marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, jo nga Ministria e Drejtësisë. Prokuroria ka tejkaluar kompetencat!”, tha Hysi.

“Seiti me Habilajt kanë udhëtuar drejt Italisë, kanë takuar avokatin e Sabaudin Çelës dhe i kanë dhënë para. Janë përgjuar për vendet ku do të shkarkohej droga”, tha Prokuroria.

VIDEO/ Gjykata e Krimeve të Rënda vendos arrest me burg për Nazer Seitin

Ndërkohë, sipas Prokurorisë për herë të parë emri i Moisi Habilajt, person nën hetim, del në vitin 2012, kur është arrestuar në operacion Odesa Erson Zhuka, dhe që nga ajo kohë janë bërë hetime dhe nuk është mbajtur në vëzhgim grupi i Moisi Habilajt. Akoma nuk ka një vendim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nëse do të shtyjë masën për financierin e grupit kriminal, për të cilin deri tani ka dy masa në fuqi, njëra për ekstradimin e tij drejt Italisë, që skadon më 14 nëntor. 

d.c./shqiptarja.com