ITALI - Përfaqësuesit ligjorë të familjes së Carmine Balzano, i cili figuron në listën e personave të zhdukur nga trageti famëkeq “Norman Atlantic”, që u përfshi nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit, kanë bërë të ditur se ka shpresa të mëdha që ai të jetë gjallë në Shqipëri. 

Sipas avokatit Sergio Pisani, shpresat e familjes së shoferit të një prej kamionëve që ishin në traget, janë shtuar pasi kanë marrë vesh që disa prej varkave të shpëtimit janë gjetur në brigjet shqiptare.

"Fakti që në këto varka nuk është gjetur ujë, tregon se ato nuk janë përmbysur duke shtuar kështu shpresat e familjarëve të Carmine Balzano, i cili në kontaktin e fundit që ka pasur me familjarët u ka thënë se ndodhej në varkën e shpëtimit dhe se ka parë drita, e për rrjedhojë tokë."- thotë  avokati Sergio Pisani.

Familjarët e  Balzano kërkojnë që të vijojnë kërkimet, ndërsa i apelojnë kryeministrit italian që të mbajë lidhjet me Shqipërinë dhe Greqinë, pasi janë të bindur që gjithçka që lundron ndodhet në këto brigje.

Bashkëshortja: Burri im ndodhet në Shqipëri, ju lutem kërkojeni
Prej mesditës së 31 dhjetorit, bashkëshortja e italianit Carmine Balzano, ka bërë thirrje se bashkëshorti i saj ndodhej në Shqipëri.

"Bashkëshorti im është në Shqipëri, kërkojeni atje ju lutem kërkojeni atje." Ky është apeli i Marias, bashkëshortja e Carmine Balzano, e cila ishte në tragetin “Norman Atlantic”, i përfshirë nga flakët gjatë së dielës së shkuar. Ajo shprehet se për të fundit ka kontaktuar me burrin e saj kur ai ishte në varkën e shpëtimit, dhe se prej atë kohë nuk ka dëgjuar më për të.

"Ishte në varkën e shpëtimit dhe më ka telefonuar prej andej atë natë. Është në Shqipëri në gjendje konfuze, ju lutem mos i ndaloni kërkimet."-shprehet Maria.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)