Lu: Ka politikanë që fituan nga
lidhjet me trafikantët e drogës

Lu: Ka politikanë që fituan nga<br />lidhjet me trafikantët e drogës
Politikanë shqiptarë jo vetëm janë të lidhur me trafikantët e drogës, por kanë përfituar nga këto lidhje. Kjo është deklarata e radhës e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili ka artikuluar një tjetër mesazh të fortë në adresë të politikës shqiptare. Ambasadori solli në kujtesë se një numër deputetësh dhe kryebashkiakësh kanë pasur dënime për trafik droge. I pyetur për drogën, ambasadori Lu tha se gjendja vijon të mbetet problematike për të gjitha qeveritë.

Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE”, tha Lu. Këtë deklaratë, Lu e artikuloi gjatë një diskutimi me studentë të gazetarisë, ku prezantoi projektin e Kursit të Gazetarisë Investigative.

Për drogën
Ambasadori amerikan theksoi se Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nxitur qeverinë e Shqipërisë dhe Policinë e Shtetit që të bëjë më shumë në luftën kundër trafikut të narkotikëve. “Agjencia për Luftën Kundër Drogës e SHBA (DEA) punon ngushtë me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të posaçëm tek trafikimi i heroinës dhe kokainës. Programi ynë ICITAP i asistencës për policinë për disa vite ka zhvilluar një kamp veror që ndihmon të rinjtë t’i thonë jo drogës. Ne, qeveria e SHBA përgëzojmë përpjekjet e Guardia di Finanza të Italisë për përpjekjet e tyre për të eliminuar prodhimin e kanabisit. Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë më shumë për këtë problem të përbashkët që kemi bashkë me Shqipërinë, sepse e dimë që ky problem ndihmon për të krijuar probleme të tjera me korrupsionin, krimin e organizuar dhe varësinë nga droga”, tha ambasadori.

Për Dibrën
Ambasadori amerikan i ka konsideruar të zakonshme akuzat e Partisë Demokratike për zgjedhjet në Dibër. “Shqetësimet kryesore që kam dëgjuar nga opozita dhe të tjerë për Dibrën janë përfshirja e grupeve kriminale dhe blerja e votave. Tani është shumë e zakonshme në Shqipëri që ta dëgjojmë këtë ankesë. Ambasada e SHBA dërgoi katër persona në Dibër për të vëzhguar zgjedhjet. Shtetet anëtare të BE dërguan një ekip me nëntë persona në Dibër dhe OSBE dërgoi edhe vëzhgues ndërkombëtarë. Diçka tjetër që di është që Shqipëria po bëhet një demokraci më e zhvilluar për sa i përket zgjedhjeve. Këta vëzhgues të huaj janë një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e madh të vëzhguesve shqiptarë. Prandaj, lidhur me nëse këto akuza janë apo jo të vërteta, unë do të shqetësohesha më pak se ç’mendojnë të huajt dhe do të isha më i interesuar të dija se çfarë kanë raportuar vëzhguesit vendas”, tha Lu.

PD kundër reformës
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar dje se Partia Demokratike është në të drejtën e saj të ankimojë Vetingun në Kushtetuese apo të braktisë komisionin, por ambasadori ka paralajmëruar PD se po krijon besimin se është kundër Reformës në Drejtësi dhe se po mbron prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e Vetingu në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik. Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e ligjit të Vetingut, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”, tha Lu.

Për reformën
Ambasadori ka deklaruar para të rinjve se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme.
“A mund të them diçka për aty ku filluat, për të rinjtë dhe atë që po mendojnë ata në Shqipëri? Nuk jam i ri kështuqë nuk mund të flas në emër të të rinjve por mund të flas për veten time dhe nëse më pyesje gjashtë muaj më parë se në çfarë drejtimi po shkon vendi, nuk jam i sigurt cila do të kishte qenë përgjigja. Sot, ndihem shumë më optimist për të ardhmen e vendit dhe për të ardhmen e të rinjve si ju. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Do të sjellë më shumë investime dhe tregti në vend, më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë si ju. Do t’ju shtyjë më tej në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian; dolët shumë mirë në kampionatin europian të futbollit. Është një kohë e shkëlqyer për të qenë në Shqipëri dhe mendoj se që të gjithë duhet të jeni krenarë për atë që vendi juaj ka arritur në muajt e fundit”, shtoi Lu.

Arsimi
Ambasadori Lu është ndalur edhe tek çështjet e arsimit. “Pyetja edhe më e vështirë është se çfarë ndodh me të gjithë të diplomuarit nga universitetet, se si do të krijohen vende pune për të gjithë ju. Mendoj se ne në ambasadë dhe partnerët tuaj të huaj janë shumë të përqendruar tek kjo pyetje sepse siç sapo tha kolegu im këtu, nuk duam që ju të largoheni nga vendi. Ju jeni shpresa për Shqipërinë dhe duhet të ketë mundësi të mjaftueshme që njerëzit të konkurojnë ndershmërisht për vende pune të mira që do t’ju joshnin të qëndronit këtu”, pohoi Lu.
 
 
Mesazhi për PD
“I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”.
 
Për drogën
“Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës”. 


dy.b/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?