"Në fjalën e tij, ambasadori Donald Lu përcolli mesazhe të forta për një drejtësi të pakorruptuar, ndërsa duke iu drejtuar magjistratëve të rinj apeloi që të japin drejtësi pa para si dhe të udhëhiqen nga profesionalizmi dhe depolitizimi. Sipas tij, koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar dhe për këtë kërkoi që brezi i ri duhet të lerë gjurmë në zbatimin e reformës në drejktësi.
"Koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar, sot, është dita juaj. Është momenti që gjykatësit dhe prokurorët e rinj të lënë gjurmë. Shqiptarët duhet të mbushen me shpresë se brezi juaj do të rikthejë shpresën dhe besimin se do të ketë drejtësi për të gjithë.
Kam qenë fajtor për shumë gjëra në jetën time, por këto 2 vitet e fundit kam qenë fajtor për kritikat për integritetin dhe profesionalizimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri.
Duhet t'i tregoni botës se mund të bëni më shumë. Pa para korruptimi, pa ndikim nga politika dhe pa u frikësuar nga kriminelë të rrezikshëm. Duhet të përballeni me sfidën për t'u bërë brezi që ndërton besimin e njerëzve, t'u tregoni atyre që mund të bëni më shumë, më mirë, t'u tregoni atyre që jeni profesionistë të drejtë dhe të mençur. Keni për të ngjitur një mal të madh, por me kurajë të madhe e vendosmëri të gjithë ne kemi besim se do t'ia dilni. Ta kujtojmë këtë ditë si ditën e parë të brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë në Shqipëri", u shpreh ambasadori Lu.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u shpreh në fjalën e tij se magjistratët të cilët u diplomuan sot, janë të parët që do të zbatojnë reformën në drejtësi.
"Drejtësia ka nevojë për reformim radikal dhe të menjëhershëm. E dimë që mendimi për gjyqtarët e prokurorët s’është më i miri. Ju jeni të parët që do zbatoni reformën në sistemin e drejtësisë", u shpreh Llalla.