Lu: Ministra të korruptuar frikë nga
drejtësia, Ristani: E ka me Tahirin

Lu: Ministra të korruptuar frikë nga<br />drejtësia, Ristani: E ka me Tahirin
TIRANË - Prania e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Komisionin parlamentar të Ligjeve edhe këtë të hënë është shoqëruar me debate të forta mes tij dhe deputetëve të Partisë Demokratike anëtarë në këtë komision. Ministri Tahiri raportoi në lidhje me marrëveshjen për shërbimin policor me Kroacinë, por demokratët menjëherë janë hedhur në "sulm" duke akuzuar se nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Tahiri, Shqipëria është kthyer në bahçe të kanabisit. Madje deputeti Ristani, tha se deklarata që ambasadori amerikan Donald Lu bëri pak ditë më parë se "ministra të korruptuar i tremben reformës në drejtësi", adresohet pikërisht ndaj ministrit Saimir Tahiri.
 
Debatet në Komisionin e Ligjeve
Arben Ristani : Tonelata droge kalojnë kufirin dhe kjo bëhet me ndihmën e policisë. Frroku e Shullazi janë lënë të lirë falë këtij.
Bashkim Fino: Bëjmë mbledhje sipas rregullores jo politike.
Saimir Tahiri: Shqiptarët nuk presin prej meje të përgjigjem me të njëjtën gjuhë si deputeti Ristani. Puna ime flet më qartë se ajo që thotë opozita sot.
Sot lufta kundër drogës është sukses i qeverisë dhe policisë. Kjo faktohet edhe në progres raport. Në vitin 2015 treguesit thonë së është mbjellë drogë 8 herë më pak. Të ndalojmë gjuhën e urrejtjes ndaj Policisë së Shtetit . Jam i gatshëm të përgjigjem atje ku të jetë e mundur, por të vërtetat duhet të dalin.
Oerd Bylykbashi: Nuk mund të na vijë ky të na tregojë gishtin. Të ulë kokën para këtij komisioni. Opozita nuk ka hedhur baltë mbi policinë, por do të vazhdojë të ngrejë gishtin e akuzës ndaj kupolës. Nën drejtimin e Tahirit është kthyer Shqipëria në bahçe të kanabisit. Mos të na vij ministri këtu të flasë broçkulla
Eduard Halimi: Faktet flasin vetë. Ky ka qenë një person që shante policinë e Shtetit nga mëngjesi në darkë për një gërvishtje makine.
Saimir Tahiri: Kam respekt për këtë komision, por neveris gjuhën e përdorur. Juve ju rrinte Lazarati nën hundë dhe nuk lëvizte një gisht. Çdo akuzë e juaja është forcë për mua për të luftuar krimin dhe informalitetin.
Arben Ristani: Ky ministër duhet të largohet. Kur ambasadori amerikan thoshte që ministra të korruptuar i tremben drejtësisë e kishte për këtë.

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve më tej kanë vijuar me miratimin e projektligjit të ri të qeverisë për pronat. Demokratët janë shprehur se nuk do ta pranojnë këtë draft, pasi shkelet kushtetuta. Nisma e qeverisë për pronat është kundërshtuar edhe nga shoqatat e ndryshme të pronarëve në seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve. Sipas tyre ky është një ligj vrasës dhe i keqhartuar, arsye për të cilat duhet të tërhiqet.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Komision:
Në kuadër të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Agjencitë partnere dhe homologët kemi sjellë për miratim në Kuvend marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin policor duke besuar që kjo marrëveshje shton nivelin e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet policive dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe duke plotësuar vakuuimin që ka qenë deri më sot, në kuadër të bashkëpunimit policor.

Kjo marrëveshje zëvendëson Marrëveshjen e vitit 1993, që ka përfshirë fusha të caktuara të bashkëpunimit policor në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
Që në atë kohë kanë kaluar thuajse dy dekada ndaj ishte e domosdoshme ndryshimi i kuadrit ligjor të bashkëpunimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe Policisë kroate për të krijuar një identitet tjetër në bashkëpunim dhe duke përfshirë lloje të veçanta të këtij bashkëpunimi në raport me objektivat e përbashkëta që kemi.
Në këtë marrëveshje përfshihen mundësia e shkëmbimit të informacionit spontan, pra bëhet fjalë për informacion në rastet kur ka nevojë të domosdoshme përveç platformës së përhershme të shkëmbimit të informacionit nëpërmjet Agjencive.

Ka gjithashtu objekt parandalimin e korrupsionit dhe e veprave të tjera penale kundrejt zyrtarëve të lartë. Gjithashtu objekt i marrëveshjes është shkëmbimi i përvojës në parandalimin e kriminalitetit, shkëmbimin e informacionit dhe analizimin e shkaqeve të tendencave kriminale.

Në marrëveshje përfshihet mundësia e shkëmbimit të agjentëve në mbulim apo punonjësve të infiltruar për vepra penale të ndryshme duke bërë të mundur që të shkëmbejmë ekspertizë dhe kapacitete njerëzore për të luftuar kriminalitetin në vend, qoftë këtej qoftë andej.

Gjithashtu pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes është edhe mbrojtja e dëshmitarëve. Kjo shton kapacitetin e Shqipërisë, për të patur një diapazon më të madh në rastet kur është e domosdoshme mbrojtja e dëshmitarëve ose personave me nevojë mbrojtje që bashkëpunojnë me drejtësinë.

Këto janë pak a shumë fushat kryesore të bashkëpunimit të përfshira në marrëveshje. Ne besojmë se bashkëpunimi me partnerët  ndërkombëtarë e shton kapacitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë dhe kriminalitetin.

Është mbi trefishuar niveli i informacionit që shkëmbejmë sot nga partnerët këtë vit është mbi trefish numri i  informacioneve që kemi shkëmbyer krahasuar me vitin 2013.
Ju e kuptoni sesa më shumë shkëmbejmë informacion me partneret aq më shumë jemi në gjendje te parandalojmë dhe të luftojmë kriminalitetin përsa kohë është një fenomen që kapërcen mundësitë tona dhe kapacitet qoftë buxhetore dhe infrastrukturore dhe gjithashtu përsa kohë kriminaliteti është një fenomen shumë përtej kufijve dhe kërkohet bashkëpunim ndërmjet agjencive për të pasur rezultate solide dhe të qëndrueshme në kohë.

Në këtë kuadër do t’i kërkoja Komisionit dhe Kuvendit që të miratonte marrëveshjen për t’i dhënë mundësi Policisë shqiptare të adresojë sa më mirë objektivat e saj edhe në raport me partnerët tanë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim