Ish-boksieri dhe legjenda e sportit shqiptar, Luan Krasniqi, nëpërmjet një postimi në facebook, shprehet krenar për sjelljen e djemve të kombëtares shqiptare. Gjithashtu Krasniqi theksoi se ajo që pa në fushën e stadiumit të Partizanit është turp për nivelin e sportit serb.

Për ish-boksierin Krasniqi, futbollistët e kombtares së De Biasit spikatën me qëndrimin e tyre sportiv, fisnik e paqësor. Ndërsa për palën serbe u shpreh se dhuna e treguar në stadiumin e Partizanit të Beogradit është dëshmi e gjendjes së mjerë të sportit në vend.

Më poshtë postimi i plotë në facebook i Luan Krasniqit.

"Ajo që pamë mbrëmë në Beograd, nuk ka të bëjë fare me sportin. Ishin pamje të tmerrueshme, provokime nga më të ultat, sjellje banale që flasin për një nivel nën zero të nikoqirëve. Për fat të keq, në këtë situatë u gjetën, madje tejet të rrezikuar, futbollistët e kombëtares shqiptare, të cilët, spikatën kurdoherë me qëndrimin e tyre sportiv, fisnik e paqësor.

Këta djelmosha, mëse të dinjitetshëm ishin mbrëmë dhe me rezultatin sportiv dhe qëndrimin e tyre, na bënë të krenohemi gjithësesi. Kjo dhe shumë foto të ngjajshme janë dëshmi më e mirë e gjendjes së mjerë të sportit te fqinjët. A kështu vallë priten mysafirët? Dhe kush nuk i gjykon vallë këto sjellje?!”
 
luan krasniqi2

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)