Me një këngë kushtuar Luan Omarit nga “Thesaret labe” në 101-vjetorin e tij të lindjes u çel veprimtaria nder të tij në Akademinë e Shkencave. Personalitete të botës akademike, juristë, veteranë dhe ish-studentë u mblodhën për të vlerësuar figurën dhe kontributin e një prej emrave më të spikatur të shkencës juridike shqiptare. Gjatë ceremonisë, Omarit iu akordua titulli i lartë “Ylli i Artë i Veteranit të LANÇ-it”, si vlerësim për pjesëmarrjen e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës dhe arsimit.
“Profesor Luan Omari është një personalitet i rrallë i jetës akademike shqiptare. Ai ka qenë dekan, pedagog, themelues i Akademisë së Shkencave dhe një ndër hartuesit kryesorë të kushtetutave të Shqipërisë. Breza të tërë juristësh janë formuar nga dija dhe shembulli i tij.”, tha avokati Idajet Beqiri, organizator i aktivitetit.
Për dekada me radhë Profesor Omari drejtoi Fakultetin e Drejtësisë, dha mësim në Universitetin e Tiranës dhe përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës. Dekoratën e akorduar nga Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it e mori në emër të tij e bija, Anila Omari.
“Babai im ka qenë gjatë gjithë jetës një antifashist i bindur dhe gjithmonë është shprehur krenar për pjesëmarrjen e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në emër të tij falënderoj organizatorët për këtë vlerësim dhe për respektin e treguar ndaj figurës së tij.”, tha e bija e Luan Omarit, Anila Omari.
Të pranishmit e cilësuan akademikun Omari si një model të integritetit profesional dhe qytetar.
“Profesor Luan Omari është një figurë që mishëron vlerat më të mira shqiptare. Ai ka edukuar breza të tërë studentësh dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën akademike, juridike dhe shoqërore të vendit tonë.”, tha Vera Tarifa, kryetare e Shoqatës së Veteranëve.
Akademik Luan Omari është një nga figurat më të respektuara të mendimit juridik dhe akademik në Shqipëri. I lindur në Gjirokastër, arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u bërë një nga juristët më të përgatitur të brezit të tij. Ai është ndër të paktët akademikë shqiptarë që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet gjallë, që prej vitit 1972 kur u ngrit ky institucion. Për kontributin e tij, Akademia e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e Karrierës Akademike në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 Presidenti i Republikës i dha Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Komente











