Luan Rama mesazh Nishanit:
Jo qoka me dekoratat

Luan Rama mesazh Nishanit:<br />Jo qoka me dekoratat
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka thyer heshtjen sa i takon polemikave për dekorimin e 67 ballistëve, disa ditë më parë, nga Presidenti Bujar Nishani, në Divjakë të Lushnjes, me titullin “Martirë të Demokracisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, u shpreh se dekoratat nuk janë për të bërë qoka, por janë për të bërë vlerësime në raport më kontributin e dhënë në të mirë të vendit. Edhe pse Rama deklaroi se nuk dëshironte të bëhej pjesë e një debati të tillë, duke e konsideruar të pavend, deputeti theksoi se, për dhënien dhe mosdhënien e dekoratave ka kritere ligjore, të cilat autoritetet përkatëse duhet t’i zbatojnë me rigorozitetet.

I pyetur për dy nismat ligjore të depozituara në Kuvend, për rishikimin e dekoratave, deputeti Rama u shpreh kundër nismave të tilla, duke pohuar se, energjitë duket të fokusohen tek reformat dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike.
 
-Z. Rama, dekorimi nga Presidenti i Republikës i 67 ballistëve, në Divjakë të Lushnjes, me titullin “Martirë të Demokracisë”, ka prodhuar një debat të pazakontë. Cili është qëndrimi juaj rreth këtij debati dhe konkretisht ndaj aktit të Presidentit?
 
Refuzoj të bëhem pjesë e këtij debati që në vlerësimin tim është një debat i pavend dhe shterpë, pasi vlerësimin, përkatësisht edhe ndëshkimin, për të gjithë ata që luftuan për çlirimin e atdheut apo që u bënë pjesë e koalicionit të pushtuesve, e ka bërë historia. Dhe mbi gjykimin e historisë nuk mund të ketë vlerë asnjë gjykim apo vlerësim tjetër.
 
-A duhet të ketë një filtër apo rishikim i dekoratave të akorduara?
 
Edhe një herë e përsëris; Refuzoj të bëhem pjesë e këtij debati, pasi për dhënien dhe mosdhënien e dekoratave ka kritere ligjore, të cilat autoritetet përkatëse duhet t’i zbatojnë me rigorozitetet. Dekoratat nuk janë për të bërë qoka, por janë për të bërë vlerësime në raport më kontributin e dhënë në të mirë të vendit dhe në të mirë të popullit.
 
-Z. Rama, në Kuvend janë depozituar dy nisma ligjore, të cilat parashikojnë rishikimin dhe heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për Enver Hoxhën, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe disa antifashistë të parë, por që më pas kanë mbajtur funksione të rëndësishme në pushtetin komunist. Do t’i mbështesni këto dy nisma?
 

Personalisht jam kundër nismave të tilla. Ajo çka është e rëndësishme, në vlerësim tim, duhet që energjitë politike, energjitë pozitive, investimi njerëzor i Kuvendit dhe i të gjitha institucioneve, duhet fokusuar tek përballimi i situatave aktuale, tek përmirësimi i gjendjes ekonomike, tek realizimi i reformave, që sjellin produkt dhe jo investim për gjëra të cilat, në vlerësimin tim, e kanë tejkaluar kohën.
 
-Vitin e kaluar, Lëvizja Socialiste për Integrim, artikuloi disa kërkesa ndaj qeverisë, ku kryesoja ishte ndërhyrja në Varrezat e Dëshmorëve dhe monumentet e luftës, për të qenë të denja për heroizmin që kanë demonstruar ata që nuk jetojnë më. Sa janë reflektuar këto kërkesa?
 
Nderimi, mirënjohja dhe respekti për të gjitha ata që kanë sakrifikuar dhe janë flijuar për atdheun është detyrim permanent i shoqërisë, është detyrim permanent i çdo qeverie. Në raport me sakrificën e tyre, asnjëherë nuk është bërë ajo që ata meritojnë. 
(er.nu/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social