Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka kërkuar ndjesë në emër të forcës së tij politike, presidentit Ilir Meta, për largimin nga kuvendi dhe djegien e mandateve duke mos e dëgjuar atë.

Kjo është hera e parë që Luan Rama e ka cilësuar si të gabuar vendimin e opozitës për të lënë parlamentin.

“Kërkoj ndjesë që nuk e dëgjuam presidentin që na tha: Mos ikni nga parlamenti. Ne gabuam që nuk e dëgjuam kur tha se opozita është institucion në demokraci dhe nuk braktistet institucioni. Kërkoj ndjesë në emër të LSI, unë jam nëkryetar i LSI”, tha Rama në Opinion.

Më 17 shkurt u shënuan 2 vite kur kreu i PD, Lulzim Basha, shpalli djegien e mandateve të opozitës, duke bërë që deputetët e saj por dhe të LSI si dhe të aleatëve të tjerë, të dalin nga parlamenti duke nisur një cikël protestash, që si synim kishin krijimin e një qeverie provizore dhe zgjedhjet e reja të parakohshme.