Luan Rama sulmon Xhafajn:
Trafikantët në punë,shteti në gjumë

Luan Rama sulmon Xhafajn:<br />Trafikantët në punë,shteti në gjumë
Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, ka sulmuar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, teksa është ndalur te sistemi i radarëve të vëzhgimit të hapësirës tonë detare.

Në faqen e tij në Facebook, Luan Rama shkruan se sistemi i radarëve nuk funksionon dhe trafikantët vijojnë punën. Më tej, ai i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimet menjëherë, pasi sipas tij, ministri Xhafaj nuk mund të nisë hetimin e kësaj çështjeje, sepse nuk ka tagër ligjor.

Duke e cilësuar mosfunksionimin e radarëve një skandal me pasoja kriminale, zv.kryetari i LSI i kërkon Xhafajt të zgjojë Prokurorinë, në mënyrë që çështja të denoncohet zyrtarisht në organin e akuzës.

Postimi i plotë:
Radarët të fikur, trafikantët në punë, shteti fle gjumë!...
Megjithëse po bëhet një muaj që prej denoncimit publik të faktit se sistemi i radarëve të vëzhgimit të hapësirës tonë detare nuk funksionon, ç'ka ka çuar, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako në dështimin e operacioneve të Policisë së Shtetit për bllokimin e trafikimit të drogës përmes detit, ende nuk ka një reagim zyrtar e të përgjegjshëm nga Prokuroria në lidhje me këtë çështje!
Radarët të fikur, trafikantë në punë, shteti fle gjumë! 
E në përpjekje për ta "prishur" këtë trinitet kriminal, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh para disa ditësh: "garantoj se do të nisë një proces investigimi për këtë çështje!"
Pa e vënë në dyshim as vullnetin dhe as vendosmërinë e zotit ministër, deklarata e tij ka një nonsens, sepse nuk mund ta nisë ai hetimin e kësaj çështjeje, pasi nuk ka asnjë tagër ligjor! Përveç kësaj, për sa kohë dimë që pas shqetësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pati një reagim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes që hidhte poshtë pretendimet e tij, presupozohet që edhe vetë Policia e Shtetit të jetë subjekt nën hetim po aq sa QNOD-ja dhe vetë Ministria e Mbrojtjes.
Organi i vetëm që mund të investigojë e të hetojë sipas ligjit është Prokuroria, jo Ministria e Brendshme, aq më tepër po të kemi parasysh që QNOD-ja ku është Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare është nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes!
Një gjë është e qartë: ka mungesë të bashkëveprimit ndëroperacional midis dy ministrive, gjë që ka çuar në krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e veprimtarisë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike! 
Këtu duhet të investohet Prokuroria! 
Në fakt duhej të ishte investuar që në çastin kur u bë publik shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit! Por, meqenëse nuk ka asnjë lajm nga Prokuroria se ka nisur qoftë edhe kryesisht hetimin e këtij skandali me pasoja kriminale, Ministri i Brendshëm mund ta zgjojë Prokurorinë, duke e denoncuar çështjen zyrtarisht në organin e akuzës!

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!