TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka konfirmuar anulimin e vizitës së ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo në Beograd, duke theksuar se ishte një kundërpërgjigje të institucionit që Tavo drejton ndaj sjelljes së Serbisë në Luginën e Preshevës.

Në një konferencë për shtyp, Rama shpjegoi se Tavo do të gjejë momentin për ta bërë këtë vizitë, pasi qëllimi i saj është nënshkrimi i një marrëveshje për realizimin e një investimi në maternitetin e Preshevës, që sipas tij do t’u vijë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë atje.

“Vizita e programuar e ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo në Beograd nuk u realizua si reagim i ministrit dhe institucionit që ai përfaqëson pas situatës së krijuar për shkak të sjelljes arbitrare të autoriteteve të Beogradit. Tavo duhet të shkonte për të realizuar një marrëveshje që vjen si përmbushje e detyrimit të qeverisë shqiptare për të realizuar një investim në maternitetin e Preshevës me të gjithë strukturën e nevojshme, për të ardhur në ndihmë për të gjithë komunitetin e Preshevës. LSI do të bëj detyrën ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi, por dhe Qeveria duhet të përkujdeset për të gjithë qytetarët kudo që ata jetojnë dhe punojnë”, -u shpreh Rama.

Redaksia Online
(eç/Shqiptarja.com)