Luçi: Kemi paguar eurobondin

/ATSH/- Ministria e Financave ka paguar eurobondin e marrë në vitin 2010. Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi në një prononcim për ATSH-në tha të mërkurën se eurobondi pesëvjeçar është paguar. Luçi tha se pagesa është kryer nga likuiditeti i brendshëm dhe kredia nga Deutsche Bank. Ndërsa lidhur me eurobondin Luçi tha se po monitorohen tregjet.
Në prill 2015, financat morën hua të mbështetur në instrumentin financiar të Bankës Botërore, garancia e bazuar në politika ( PBG), në shumën 250 milionë euro, ku fitues ishte Deutsche Bank, me normë interesi rreth 2% dhe maturitet final 10 vjet.
Republika e Shqipërisë emetoi Eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare në 4 nëntor 2010, pas një përgatitjeje disa mujore. Eurobondi me vlerë 300 mln euro kishte afat maturimi 5- vjeçar dhe interes 7.5%.
Në prill 2014, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani njoftoi se Shqipëria do të dilte në tregjet ndërkombëtare në 2015-n, kur eurobondi pesëvjeçar të maturohej.
Në maj 2015, Ministria e Financave shpalli fituese propozimet e paraqitura nga Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase, duke i përzgjedhur ato si bashkë-udhëheqës kryesorë (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit të eurobondit 300 milionë euro nga ana e qeverisë shqiptare. Planifikohej që emetimi të kryhej në qershor, por kriza greke vonoi planet e qeverisë. Eurobondi është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë.
Ky instrument financiar është i ngjashëm përsa i përket strukturës, me obligacionet që qeveria shqiptare nxjerr në tregun vendas përmes ankandeve të letrave me vlerë, por dallimi kryesor qëndron sepse tregtohet ekskluzivisht në tregjet ndërkombëtare financiare, dhe jo në tregun vendas është emetuar në monedhë të huaj, në euro dhe jo në lekë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Bleu karburant, me kartëmonedhë 100 euroshe false, arrestohet 35-vjeçari