Irani ka sulmuar me raketa rafinerinë më të madhe të gazit në Katar, Ras Laffan. Autoritetet vendase kanë deklaruar se i kanë vënë zjarrët nën kontroll, megjithëse dëmet përllogariten të mëdha.

Më herët Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar në rrjetet sociale pas vrasjes nga Izraeli të shefit të Sigurisë së Iranit, Ali Larijani. Teksa shprehu keqardhjen për Larijanin dhe familjarët e tij, Khamenei tha se çdo pikë gjaku e derdhur do të paguhet shtrenjtë nga SHBA-të dhe Izraeli.

Ndërkohë mbyllja e Ngushticës së Hormuzit prej 19 ditësh, korridori kryesor që mundëson transportin e naftës nga Lindja e Mesme drejt vendeve të tjera, ka kontribuar në rritjen globale të çmimit të karburantit. Pas refuzimit nga Evropa për të marrë pjesë në operacione ushtarake për të mundësuar kalimin e sigurtë të cisternave të naftës në Hormuz, SHBA kanë sulmuar sot me superbomba bazat e raketave të pozicionuara përgjatë Ngushticës.

"Kjo do t'u jepte një shtysë disa prej 'Aleatëve' tanë të pandjeshëm, dhe shpejt!!!" shkroi Trump në Truth Social. 

Zëvendësuesit e raketave ishin disa bomba me kapacitetin për të depërtuar dhe objektet e fortifikuara iraniane. Ato janë të mbështjella me çelik të rëndë dhe të fortifikuar dhe janë krijuar për të depërtuar thellë në tokë para se të shpërthejnë.

Po sot, ministri i Inteligjencës iraniane Esmaeil Khatib është vrarë si pasojë e sulmeve izraelite gjatë natës në Teheran. Vrasja e ministrit iranian vjen në një moment që Irani paralajmëroi një hakmarrje vendimtare dhe të dhimbshme pas eliminimit të shefit të sigurisë dhe krahut të djathtë të Khameneit, Ali Larijani.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz në një prononcim ditën e sotme, tha “Politika e Izraelit është e qartë dhe e paekuivokueshme: askush në Iran nuk gëzon imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër.” Më pas lajmin e konfirmoi edhe Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili e cilësoi sulmin për vrasjen e Ali Larijanit si një 'veprim frikacak'.

Nga ana tjetër, është sulmuar edhe kompleksi petrokimik i Iranit South Pars. South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit. Si kundërpërgjigje, Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar një paralajmërim për evakuim nga uzinat petrokimike në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Lidhur me sulmet reagoi edhe Presidenti iranian, i cili deklaroi se do të ketë pasoja të pallogaritshme pas goditjes në South Pars.

Industria petrokimike është thelbësore për ekonominë globale, pasi furnizon lëndët bazë për energjinë, prodhimin industrial dhe një pjesë të madhe të produkteve që përdoren çdo ditë.

Sakaq, 2 persona mbetën të vrarë në Tel Aviv nga sulmet iraniane, të cilat u cilësuan si sulme hakmarrëse pas vrasjes së Larijanit. Nga ana tjetër, mëngjesin e sotëm Izraeli ka sulmuar Bejrutin. Shënjestër kanë qenë zonat e populluara me civilë ndërsa një paralajmërim u lëshua më pas për banorët e Libanit jugor për evakuim të banorëve drejt veriut të lumit Zahrani.

“Sulmet ajrore janë duke vazhduar, pasi IDF po vepron me forcë të madhe në zonë. Prandaj, për sigurinë tuaj, ju bëjmë përsëri thirrje që të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të zhvendoseni menjëherë në veri të lumit Zahrani. Çdo lëvizje drejt jugut mund t’ju ​​vërë në rrezik jetën”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite kolonel Avichay Adraee.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:36
Irani sulmon me raketa rafinerinë më të madhe të gazit në Katar, uzina shpërthen në flakë

1773862606_gchykikl.JPG

Irani ka sulmuar me raketa rafinerinë më të madhe të gazit në Katar.

Sipas mediave të huaja, Katari siguron se zjarri në uzinën e gazit Ras Laffan, është "nën kontroll" pas sulmit iranian.

Mbrojtja civile e Katarit vuri nën kontroll zjarrin e shkaktuar nga sulmi iranian në uzinën kryesore të gazit të vendit, tha Ministria e Brendshme, duke raportuar se nuk ka viktima.

"Mbrojtja civile fillimisht shuajti zjarrin në Ras Laffan, pa u raportuar për të lënduar", tha Ministria e Brendshme në një postim në rrjetet sociale.

Ora 20:14
Sulmet ku u vranë disa nga liderët kryesorë të Iranit, hakmerret Hezbollahu, lëshon breshëri raketash drejt Izraelit

1773861449_gfuoofooos.JPG

Hezbollahu ka lëshuar pasditen e sotme breshëri raketash drejt Izraelit, pas sulmeve që vranë disa prej drejtuesve të lartë në Iran gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas mediave të huaja, Komanda e Frontit të Brendshëm të Izraelit tha se sirenat janë aktivizuar në rajonet e Galilesë së Epërme dhe Tel Avivit, dhe mediat izraelite po raportojnë mbi shpërthimet pranë Tel Avivit.

Ora 18:53
‘Vrasje frikacake’- Presidenti i Iranit konfirmon eliminimin e ministrit të Inteligjencës Esmaeil Khatib nga Izraeli

1773856664_gfxgfjk.JPG

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka konfirmuar se Ministri i Inteligjencës së vendit, Esmaeil Khatib është vrarë.

Konfirmimi i Pezeshkian vjen disa orë pasi Izraeli deklaroi se e kishte vrarë ministrin Khatib.

Pezeshkian tha më tej në një deklaratë në rrjetin social ‘X’ se vrasja e tij ishte një "vrasje frikacake".

Ora 18:33
Lufta me Iranin, shpërthime të forta mbi kryeqytetin e Arabisë Saudite

1773855296_xyios.JPG

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan mbi kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, sipas gazetarëve të AFP në qytet.

Që nga fillimi i konfliktit, petromonarkia është shënjestruar rregullisht nga sulmet iraniane me dronë dhe raketa, disa prej të cilave kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendit dhe lagjen diplomatike të kryeqytetit.

Ndërkohë ende nuk ka raportime mbi dëmet e shkaktuara, apo për viktima nga sulmet.

Ora 18:31
Vance: Nuk ka rrezik për konflikt të zgjatur në Iran! Trump s'është i interesuar të na fusë në atë moçal që kemi parë vitet e fundit

1771514844_jdvance.jpg

Foto:J.D. Vance

Nuk ka rrezik që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në një konflikt të zgjatur në Iran, tha zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance gjatë një fjalimi në Auburn Hills.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk është i interesuar të na fusë në atë moçal që kemi parë vitet e fundit. E njoh Trump dhe e di se me të nuk ka absolutisht asnjë rrezik", deklaroi Vance.

Ora 18:05
Vrasja e shefit të Sigurisë së Iranit, reagon lideri Suprem Mojtaba Khamenei: Gjaku i derdhur vetëm sa po e forcon sistemin islamik! Kriminelët do e paguajnë shtrenjtë

1773248109_mojtabakhamenei.jpg

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, reagoi me  ​​një mesazh ngushëllimi duke shprehur "pikëllim të thellë" për vrasjen e Ali Larijani, Sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, i cili u vra në një sulm ajror izraelit.

"Ai ishte një njeri i mençur, inteligjent dhe i përkushtuar, me përvojë të gjerë në fusha të ndryshme", tha Khamenei, duke theksuar "janë gati 50 vjet punë e Larijanit në nivele të ndryshme të sistemit islamik, të cilat kontribuan në bërjen e tij një figurë të shquar".

"Nuk ka dyshim se vrasja e tij tregon rëndësinë e tij dhe urrejtjen që armiqtë e Islamit kishin ndaj tij. Armiqtë e Islamit duhet ta dinë se derdhja e këtij gjaku në rrënjët e sistemit islamik vetëm sa e forcon atë. Sigurisht, çdo pikë gjaku do të ketë një çmim, të cilin vrasësit kriminelë të martirëve do ta paguajnë herët a vonë", shtoi Udhëheqësi i ri Suprem, i cili gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për gruan dhe fëmijët e Larijanit.

Ora 17:25
Moska: SHBA-të përdorën Bordin e Paqes për të mbuluar planet kundër Iranit

1771418770_mariazakharova.avif

Foto: Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në një konferencë për shtyp se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë vënë në rrezik vendet arabe duke përdorur Këshillin e Paqes në Gaza për të mbuluar planet e tyre anti-iraniane.

"Sigurisht, është e rëndësishme të theksohet se 10 ditë para sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, një takim i Këshillit të Paqes, krijimi i të cilit parashikohet edhe nga Rezoluta 2803, u mbajt në Uashington. Tani, mendoj se është e qartë për të gjithë se amerikanët dhe izraelitët as nuk kishin ndërmend të diskutonin veprimet e tyre me partnerët e tyre arabë, të cilët në fakt i vunë në rrezik duke përdorur çështjen e Gazës, përfshirë edhe për të mbuluar veprimet e tyre agresive kundër Iranit", deklaroi  Zakharova.

Ora 17:14
Sulmet izraelite në Liban, shkon në rreth 1 mijë numri i të vdekurve

1773688001_liban.JPG

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sulmet izraelite në Liban është rreth një mijë persona. Lajmin e bën të ditur sot autoritetet e Bejrutit, të cilat njoftuan sot se 968 persona janë vrarë që nga rifillimi i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut. Po ashtu nga sulmet izraelite në Liban raportohet për disa qindra të plagosur.

Ora 16:58
Emiratet e Bashkuara Arabe: Sulmi izraelit në kompleksin petrokimik kërcënon sigurinë globale

Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan bombardimin e izraelitëve në kompleksin petrokimik në fushën e gazit South Pars, Iran.

Sulmi "përfaqëson një përshkallëzim serioz", sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

"Sulmi ndaj infrastrukturës së sektorit të energjisë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale të energjisë dhe sigurinë e stabilitetin e rajonit dhe popujve të tij. Veprimi, ka gjithashtu pasoja serioze mjedisore dhe i ekspozon civilët, sigurinë e lundrimit dhe objektet jetësore civile dhe industriale ndaj rrezikut të menjëhershëm. Prandaj, është thelbësore të shmanget shënjestrimi i objekteve jetësore në të gjitha rrethanat, të respektohet ligji ndërkombëtar dhe të ruhet siguria dhe stabiliteti në rajon”, paralajmërojnë Emiratet.

Ora 16:26
Inteligjenca Amerikane: Regjimi iranian i paprekur! Nëse mbijeton, do ta rindërtojë arsenalin e tij të armëve

1773847684_zdryhoio.JPG

Regjimi iranian ka pësuar goditje të rënda nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, por mbetet "i paprekur" dhe do të jetë në gjendje të rindërtojë arsenalin e tij ushtarak nëse mbijeton.

Ky është vlerësimi i bërë nga Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare amerikane, Tulsi Gabbard, në një seancë dëgjimore në Senat.

Ajo tha se komuniteti i inteligjencës amerikane "beson se regjimi në Iran është i paprekur, por kryesisht i degraduar për shkak të sulmeve ndaj udhëheqjes dhe aftësive të tij ushtarake".

"Aftësitë e tij konvencionale të projektimit të fuqisë ushtarake janë shkatërruar kryesisht, duke lënë mundësi të kufizuara. Pozicioni strategjik i Iranit është degraduar ndjeshëm", deklaroi Gabbard.

Ajo paralajmëroi më tej: "Megjithatë, Irani dhe përfaqësuesit e tij mbeten të aftë dhe vazhdojnë të sulmojnë interesat e SHBA-së dhe aleatëve në Lindjen e Mesme. Komuniteti i inteligjencës beson se nëse një regjim armiqësor mbijeton, ai do të kërkojë të nisë një përpjekje shumëvjeçare për të rindërtuar forcat e tij të raketave dhe dronëve".

Ora 15:31
Prag katastrofe atomike? Teherani dhe Moska ngrenë alarmin: Sulm pranë centralit bërthamor Bushehr të Iranit

1773844376_xzfuhyjk.jpg

Teherani dhe Moska deklaruan se një sulm u krye në një zonë pranë termocentralit bërthamor të Bushehrit të Iranit në Gjirin Persik dje, duke mos shkaktuar asnjë çlirim materiali bërthamor apo lëndime.

Alexey Likhachev, drejtor ekzekutiv i kompanisë ruse të energjisë bërthamore Rosatom, i cituar nga agjencia e lajmeve Tass, tha se "një sulm goditi zonën ngjitur me ndërtesën e shërbimit të meteorologjisë që ndodhet në vendin e termocentralit bërthamor të Bushehrit, pranë njësisë së energjisë operative. Nuk pati viktima midis personelit të Rosatom. Situata e rrezatimit në vend është normale".

Sulme të tilla pranë termocentraleve bërthamore janë një rrezik shumë i madh për të gjithë rajonin, pasi rrezatimi bërthamor që mund të përhapet, mund të jetë shkatërrues për miliona jetë njerëzish.

Ora 15:25
Irani kërcënon vendet petrokimike në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar një paralajmërim për evakuim nga uzinat petrokimike në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raportoi të mërkurën media shtetërore, duke cituar Iran International.

  • Rafineria Samref në Arabinë Saudite
  • Kompleksi petrokimik al -Jubail dhe Kompania Holding Masaiid në Arabinë Saudite
  • Fusha e gazit al-Hosn në Emiratet e Bashkuara Arabe
  • Rafineria Ras Laffan në Katar

Paralajmërimi erdhi pasi sulmet ajrore izraelite shënjestruan pjesë të uzinave të gazit në Parsin Jugor, Iran. Industria petrokimike është thelbësore për ekonominë globale, pasi furnizon lëndët bazë për energjinë, prodhimin industrial dhe një pjesë të madhe të produkteve që përdoren çdo ditë.

Ora 15:09
Shtëpia e Bardhë: Rihapja e Hormuzit ndihmon vendet e NATO-s më shumë sesa SHBA-në

1772826971_1200630screenshot1662653448.png

Rihapja e Ngushticës së Hormuzit u sjell më shumë dobi vendeve të NATO-s sesa Shteteve të Bashkuara, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një intervistë me Fox. Për ditë të tëra, Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët e tij evropianë dhe të NATO-s për refuzimin e pjesëmarrjes në misionin amerikan për të siguruar Ngushticën.

Ora 13:50
Irani sulmon me raketa bazën ushtarake në Emiratet e Bashkuara

1773838406_raketa.jpg

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se një sulm iranian gjatë natës goditi Bazën Ajrore Al Minhad, rreth 20 kilometra në jug të Dubait, ku janë të stacionuar mbi 100 ushtarë australianë, së bashku me një numër më të vogël të personelit britanik dhe amerikan.

"Një bllok banesash dhe një strukturë mjekësore pësuan dëme të vogla për shkak të një zjarri të që shpërtheu pas goditjes me raketë", tha Albanese, duke shtuar se nuk pati viktima.

Kjo është hera e dytë që baza është goditur, pasi më parë ishte shënjestruar nga një dron iranian.

Ora 13:31
NATO do të vendosë sistemin Patriot në Turqi

Turqia ka njoftuar se raketat e reja Patriot do të vendosen në bazën ushtarake të Incirlik në juglindje të vendit, në provincën Adana, pasi javën e kaluar sistemi mbrojtës i NATO-s shkatërroi një raketë të tretë nga Irani, e drejtuar drejt hapësirës ajrore turke.

“Përveç masave kombëtare të marra për të garantuar sigurinë e hapësirës sonë ajrore dhe të qytetarëve tanë, një sistem shtesë Patriot, i caktuar nga Komanda Ajrore Aleate e Ramsteinit në Gjermani, është në proces vendosjeje në Adana, përveç sistemit Patriot spanjoll që tashmë ndodhet në bazë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ora 13:01
Ndodhet në fushën më të madhe të gazit natyror në botë, goditet kompleksi petrokimik i Iranit

Sipas raportimeve të mediave iraniane, kompleksi petrokimik i Iranit në fushën e gazit South Pars është goditur nga sulme ajrore, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit.

Tasnim raporton se sulmi ndodhi më herët gjatë ditës së mërkurë.

Raportime të tjera të fundit mbi luftën tregojnë se infrastruktura energjetike iraniane, përfshirë fushën South Pars, është bërë objektiv i sulmeve gjatë përshkallëzimit të luftës në rajon.

Ora 12:17
Izraeli konfirmon vrasjen e ministrit të Inteligjencës iraninae: Askush në Iran nuk gëzon imunitet, janë në shënjestër

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka konfirmuar vrasjen e Ismail Khatib, ministër i Inteligjencës iraniane.

Gjatë ditës priten surpriza të rëndësishme në të gjitha frontet, të cilat do të intensifikojnë luftën që po zhvillojmë kundër Iranit dhe Hezbollahut”, tha Katz, duke njoftuar shkatërrimin e të gjitha urave mbi lumin Litani në jug të Libanit.

Jemi në mes të një faze vendimtare. Politika e Izraelit është e qartë dhe e paekuivokueshme: askush në Iran nuk gëzon imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër.”

Ora 11:22
Ministri i Jashtëm i Iranit: Sulmet tona drejt vendeve të gjirit, faji i SHBA! I vendosën bazat ushtarake në hotele e qytete

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se sulmet iraniane në zonat urbane në vendet fqinje "nuk janë faji ynë", sepse Shtetet e Bashkuara i zhvendosën forcat e tyre nga bazat ushtarake në hotele në ato qytete.

“Disa nga këto vende mund të jenë pranë zonave urbane, ky nuk është faji ynë, është faji i Amerikës. Ata i zhvendosën forcat e tyre nga bazat ushtarake në hotele në qytete; në përgjithësi, është sjellja e Shteteve të Bashkuara që e ka sjellë rajonin në këtë situatë”, tha Araghchi.

Ministri i jashtëm shtoi se Irani nuk kërkon një armëpushim me SHBA-në dhe Izraelin, por përkundrazi "një fund" të luftës tërësisht dhe "në të gjitha frontet".

Ora 10:45
Teherani ekzekuton me vdekje spiunin e Mossadit

Mediat iraniane raportojnë se sot është ekzekutuar një “spiun izraelit”.

Personi, i identifikuar si Koroush Keyvani, u arrestua gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor 2025, i akuzuar për transmetimin e imazheve dhe informacionit mbi “vendet e ndjeshme” të vendit te agjencia e inteligjencës izraelite, Mossad.

Raporti thekson se Keyvani u identifikua fillimisht nga shërbimi izraelit i sigurisë në Suedi në 2023, pasi klikoi mbi një reklamë online për udhëtime në grup.

Më pas thuhet se ai u rekrutua nga një zyrtar i Mossad, dhe, pas dy vjetësh trajnimi në gjashtë vende europiane dhe në Tel Aviv, u dërgua në Iran për të kryer operacione.

Ora 10:38
Vrasja e liderëve iranianë, sot ceremonia mortore në Teheran

Një ceremoni mortore për shefin e sigurisë iraniane, Ali Larijani dhe Gholamreza Soleimani, kreun e forcës paramilitare Basij, do të mbahet sot në Teheran, raporton agjencia e lajmeve Tasnim.

Ceremonia, që pritet të fillojë në orën 13:30 sipas orës lokale në sheshin Enghelab të Teheranit, do të mbahet gjithashtu për 84 marinarët që u vranë kur SHBA-te fundosën anijen luftarake iraniane Iris Dena më 4 mars.

Irani njoftoi të martën se si Larijani ashtu edhe Soleimani u vranë në sulmet izraelite, ndërsa kreu i ushtrisë iraniane, Amir Hatami, kërcënoi me hakmarrje “përfundimtare” pas këtyre vdekjeve.

Ora 10:14
Shërbimet sekrete izraelite: Ministri i inteligjencës iraniane, Esmaeil Khatib u vra në një sulm

Sipas një burimi nga shërbimet sekrete izraelite, ministri i inteligjencës iraniane, Esmaeil Khatib, dyshohet se është vrarë gjatë një sulmi të kryer nga IDF gjatë natës në Teheran. Aktualisht, vrasja e tij nuk është konfirmuar, por Iran International, një media iraniane opozitare me seli jashtë vendit, kishte raportuar se Khatib ishte objektivi i synuar i sulmeve izraelite të natës së kaluar në Teheran.

“Jemi në pritje të rezultateve, por premisat janë të mira”, ka deklaruar një burim për transmetuesin izraelit Channel 12.

Ora 09:19
Ofensiva tokësore drejt Libanit, ushtria izraelite përsërit thirrjen për evakuim në veri: Çdo lëvizje në jug, ju rrezikon jetën

IDF përsërit paralajmërimin e saj për evakuim në shkallë të gjerë nga Libani jugor, duke u thënë civilëve se duhet të evakuohen në veri të lumit Zahrani.

Paralajmërimi u lëshua për herë të parë të enjten dhe u përsërit përsëri dje.

Aktivitetet terroriste të Hezbollahut po e detyrojnë IDF-në të veprojë me forcë kundër saj në atë zonë dhe ajo nuk ka ndërmend t’ju ​​dëmtojë”, thotë zëdhënësi i ushtrisë, kolonel Avichay Adraee.

Sulmet ajrore janë duke vazhduar, pasi IDF po vepron me forcë të madhe në zonë. Prandaj, për sigurinë tuaj, ju bëjmë përsëri thirrje që të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të zhvendoseni menjëherë në veri të lumit Zahrani”, thotë ai.

Çdo lëvizje drejt jugut mund t’ju ​​vërë në rrezik jetën”, shton Adraee.

Ora 09:03
Mediat iraniane: 7 të vdekur nga sulmet amerikano-izraelite në Dorud, 4 të tjerë në zonat rurale

Një sulm amerikano-izraelit ka goditur zonat rezidenciale, civile dhe me popullsi të dendur të qytetit Dorud, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 56 të tjerë, sipas zëvendësguvernatorit të provincës për sigurinë, të cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.

Më parë, Tasnim raportoi se katër persona u vranë nga një sulm amerikano-izraelit në zonat rurale në rajonin Chegeni, gjithashtu në provincën Lorestan.

Ora 08:43
Vijojnë sulmet në zonat me civilë në Bejrut, Izraeli nuk lëshon paralajmërime për evakuim

Një sulm i ri izraelit ka goditur lagjen Zuqaq al-Blat në Bejrutin qendror, sipas mediave shtetërore.

Ky është sulmi i dytë në zonën me popullsi të dendur që nga mëngjesi i sotëm, pa paralajmërim. Një shpërthim u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe re tymi u ngritën nga zona.

Një ndërtesë në Bashoura, gjithashtu në Bejrutin qendror, ishte goditur më parë.

Ora 07:28
Bomba që shkatërrojnë bunkerët, SHBA-të zbrazin artilerinë e rëndë në Hormuz

1773815575_1772540858ngushticaehormuzit.jpg

Ushtria amerikane thotë se ka goditur bazat e raketave iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit me bomba të fuqishme që janë të afta të depërtojnë bunkerët.

Në një postim në X, Komanda Qendrore e SHBA-ve tha se forcat amerikane kanë “përdorur me sukses disa municione ‘penetruese’ paundësh kundër objektivave të fortifikuara raketore iraniane” përgjatë vijës bregdetare të Iranit në ngushticë.

“Raketat lundruese iraniane në këto objekte përbënin rrezik për transportin ndërkombëtar detar në ngushticë,” thotë ushtria amerikane.

Mbyllja efektive e kësaj rruge ujore nga Irani, përmes së cilës kalon rreth 20% e dërgesave të naftës në botë, ka ndërprerë ndjeshëm trafikun detar dhe ka kontribuar në rritjen e çmimeve globale të naftës.

Bombat e mëdha, të quajtura “shkatërruese bunkerësh”, të cilat thuhet se kushtojnë rreth 288,000 dollarë secila janë më pak të fuqishme se bombat prej 13,600 kilogramësh që SHBA-të përdorën vitin e kaluar kur sulmoi tre objekte bërthamore nëntokësore në Iran.

Ndryshe nga bombat konvencionale, ato nuk janë të krijuar të shpërthejnë në ajër, në tokë apo në sipërfaqe të objektivit. Ato janë të mbështjella me çelik të rëndë dhe të fortifikuar dhe janë krijuar për të depërtuar thellë në tokë para se të shpërthejnë.