Lufta/ Izraeli: Pengjet e vrara nga ushtria në Gazë kanë mbajtur flamuj të bardhë! Netanyahu: Jam krenar që kam penguar krijimin e shtetit palestinez

Tre pengjet izraelite që janë vrarë gabimisht në Gazë prej ushtrisë së Izraelit, kanë qenë duke mbajtur një flamur të bardhë, sipas një hetimi fillestar për incidentin. Incidenti ka ndodhur në një zonë të luftimeve intensive, ku operojnë militantë të Hamasit, kanë thënë zyrtarë të ushtrisë izraelite.

David Barnea, kreu i Mossad-it të Izraelit, pritet të takohet me kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman al-Thani në Evropë këtë fundjavë për të diskutuar rifillimin e negociatave mbi një marrëveshje që do të parashikonte lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza.

Nëse zhvillohet, ky do jetë takimi i parë mes zyrtarëve të lartë izraelitë dhe katar që prej rënies së armëpushimit të përkohshëm muajin e kaluar. Sipas mediave të huaja, ndërmjetësit e Katarit kontaktuan zyrtarët izraelitë fundjavën e kaluar për të parë nëse kishte interes për të ringjallur bisedimet indirekte me Hamasin për një marrëveshje të re.

Ndërkohë, protestat po rriten në Tel Aviv pasi Izraeli raportoi se kishte vrarë gabimisht tre pengje në Gaza. Qindra demonstrues arritën në kryqëzimin e rrugës Kaplan, një nga arteriet kryesore të qytetit, duke bllokuar rrugën dhe duke kërkuar një marrëveshje për kthimin e menjëhershëm në shtëpi të pengjeve.

Mediat palestineze shkruajnë "bombardime intensive" nga Izraeli janë duke u zhvilluar në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë qytetin jugor të Khan Younis dhe zonat në veri të enklavës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Netanyahu: Jam krenar që kam penguar krijimin e shtetit palestinez

1702762392_F231216NRF80e1702758574999.jpg

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në një konferencë për gazetarët, tha se është krenar "që ka penguar krijimin e shtetit palestinez".

“Për 13 vjet më fajësoni mua se jam personi që kam frenuar marrëveshjet e Oslos, që kam penguar krijimin e shtetit palestinez”, tha ai.

“Po është e vërtetë që kam thënë që kur u zgjodha kryeministër, në fushatën time elektorale, duhet të ketë lidhje reciproke. Nëse ata japin, ne rregull do të japim, ata do të marrin, por ata nuk dhanë asgjë, kështu që unë jam shumë krenar që pengova krijimin e një shteti palestinez sepse ne e dimë se si do të dukej. Pasi e pamë të voglin në Gaza, mund të imagjinojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse, me gjithë mbështetjen e saj ndërkombëtare, a mund ta imagjinoni nëse ata do të kishin qenë rreth Jerusalemit dhe kudo tjetër dhe çfarë do të kishin bërë më 7 tetor”, përfundoi udhëheqësi izraelit.

Ora 21:25
Izraeli: 3 pengjet e Hamasit u vranë gabimisht teksa valëvisnin flamurin e bardhë

1702758447_wwwww.PNG

Gaza

Sipas një hetimi paraprak të ushtrisë izraelite, tre pengjet që u vranë nga ushtarët dje në Gaza, kishin ngritur një shkop me një copë leckë të bardhë.

Sipas të njëjtit hetim, trupat nuk "ndoqën instruksionet e ushtarëve për shpëtimin e tyre”.

Ora 12:45
Ushtria e Izraelit vrau gabimisht 3 pengje izraelitë në Gaza, protesta në Tel Aviv

1702727352_telaviv.PNG

Qindra protestues janë mbledhur natën e mbrëmshme në Tel Aviv, pas lajmit se ushtria izraelite ka vrarë gabimisht tre burra që janë mbajtur peng në Gazë.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe kanë ndezur qirinj, teksa kanë marshuar drejt bazës ushtarak në Tel Aviv dhe i kanë kërkuar Qeverisë izraelite të negociojë marrëveshje për lirim të pengjeve të mbetura.

Vdekjet janë bërë të ditura të premten teksa një zyrtar i lartë amerikan ka tentuar t’i bindë izraelitët që ta ulin intensitetin sa më shpejt në luftën kundër Hamasit.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pas sulmeve të grupit në tokën izraelite, më 7 tetor, duke lënë të vdekur mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Pengjet besohet se janë vrarë të premten në qytetin e Gazës, ku ushtarët izraelitë janë përballur me luftë të ashpër të militantëve të Hamasit.

Ushtarët i kanë identifikuar gabimisht tre izraelitët si kërcënim dhe kanë gjuajtur kundër tyre, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Ai ka thënë se besohet që të tre burrat, ose kanë ikur prej pengmarrësve, ose janë braktisur.

“Ndonëse në ditët e fundit, ose ditën e fundit, ende nuk i dimë të gjitha detajet, ata kanë arritur në atë zonë”, ka thënë Hagari.

Ai ka thënë se ushtria shpreh “pikëllim të thellë” dhe se situata po hetohet. Prej marrjes së pengjeve nga Hamasi, kjo temë e ka dominuar diskursin publik në Izrael.

Familjarët kanë bërë fushata të fuqishme duke bërë thirrje që Qeveria të negociojë kthimin e tyre. Protesta në solidaritet me pengjet dhe familjet e tyre mbahen gati çdo ditë në Izrael.

Liderët politikë dhe ata ushtarakë të Izraelit janë deklaruar shpesh se lirimi i të gjitha pengjeve është qëllimi kryesor i luftës, bashkë me shkatërrimin e Hamasit.

Ora 11:45
Egjipti rrëzon në Detin e Kuq një objekt fluturues, dyshohet se u përket izraelitëve

1702724928_egjipt.PNG

Një objekt fluturues është rrëzuar në Detin e Kuq nga ana e mbrojtjes ajrore egjiptiane. Mediat e huaja bëjnë me dije se ndaj objektit është hapur zjar pasi shkeli hapësirën ajrore të Egjiptit.

Për pasojë u rrëzua rreth 1 kilometër e gjysmë larg brigjeve të qytetit Dahab. Dyshohet se objekti i përket Izraelit. 

Ora 09:50
Media palestineze: 14 të vdekur dhe të plagosur nga bombardimet izraelite në Gaza! Mes tyre gra dhe fëmijë

1702674592_gaza.PNG

Dhjetëra palestinezë u vranë dhe u plagosën në bombardimet izraelite që goditën Gazën. Agjencia palestineze Wafa raporton të paktën 14 të vdekur në sulmet ajrore që goditën dy shtëpi në Rripin verior të Gazës dhe dhjetëra viktima të tjera për shkak të bombardimeve të një shtëpie tjetër. në Jabali. Sipas Wafa ka gjithashtu dhjetëra njerëz të bllokuar nën rrënoja dhe në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë

B.V/B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen