Çmimi referencë i naftës ka kaluar 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon.

Rritja ka gjasa të rrisë edhe më tej çmimet e karburantit. “Një çmim i vogël për t’u paguar. Do të bjerë së shpejti”, ka thënë Trump.

Mojtaba Khamenei, djali i Ajatollah Ali Khameneit, i cili u vra nëntë ditë më parë nga sulmet amerikao-izraelite në Iran, është emëruar udhëheqësi i ri suprem i vendit. Trump ishte shprehur më herët se Mojtaba do të ishte zgjedhje “e papranueshme”, kurse Izraeli u përbetua se do të shënjestronte çdo pasardhës të Ali Khameneit.

“Edhe shanset më të vogla për një ndryshim nuk ekzistojnë më”, thuhet midis banorëve të Teheranit.

Ndërkohë në Bahrein, 32 persona janë plagosur pas një sulmi me dron nga Irani, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve. Katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, mes të cilëve një 17-vjeçare e plagosur në kokë e sy, dy fëmijë 7 dhe 8 vjeç janë lënduar në këmbë, ndërsa është plagosur edhe një foshnje 2-muajshe.

Beteja vazhdon pa pushim në të gjitha frontet e përfshira. Hezbollahu thotë: “Kemi rrëzuar një helikopter të shtetit hebre”, ndërkohë mediat libaneze raportojnë për “luftime të ashpra në kufirin me Sirinë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:42
Emërimi i Mojtaba Khameneit si lider, Irani sulmon Izraelin me predhën e mbishkruar me emrin e tij

Irani ka nisur valën e parë të sulmeve me raketa drejt Izraelit, pasi Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqësi i ri suprem i vendit, sipas një postimi në kanalin Telegram të transmetuesit shtetëror IRIB.

Në postim u publikua një fotografi që duket se tregon një predhë me mbishkrimin “Në shërbimin tuaj, Sejjid Mojtaba”, një referencë fetare shiite që shfaqet edhe në materialet zyrtare.

Ora 08:55
32 të plagosur në Bahrein nga droni iranian, 4 fëmijë të lënduar! Mes tyre një foshnje 2-muajshe

Një sulm me dron iranian ka plagosur 32 persona, katër prej tyre rëndë, në Sitra të Bahreinit, sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe njoftimit të Agjencisë së Lajmeve të Bahreinit.

“Mes tyre ka katër raste të rënda, përfshirë fëmijë që kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale,” shkroi Ministria.

Një vajzë 17-vjeçare ka marrë plagë serioze në kokë dhe sy, ndërsa dy fëmijë 7 dhe 8 vjeç kanë pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme, thotë njoftimi ku theksohet se mes të lënduarve është edhe një foshnje 2-muajshe.

Rafineria e vetme e naftës në vend është goditur  dhe ka detyruar kompaninë shtetërore të naftës të shpallë forcë madhore për dërgesat e saj të naftës. Shpallja e forcës madhore nënkupton një pengesë absolute që e bën të pamundur përmbushjen e një kontrate ose detyrimi; është një mënyrë për t’u liruar nga përgjegjësia për mosrespektim ose vonesë dhe për të përjashtuar pagesën e penaliteteve.

Ora 08:48
Sulmet ndaj Iranit, Trump: Vendimi për përfundimin e luftës do të merret së bashku me Netanyahun

Vendimi se kur do t’i jepet fund luftës me Iranin “do të ndahet” me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Kështu deklaroi Donald Trump në një intervistë për The Times of Israel, duke theksuar se Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin nëse nuk do të ishin ai dhe Izraeli.

“Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin dhe gjithçka që ndodhej përreth. Ne kemi punuar së bashku dhe kemi shkatërruar një vend që donte të shkatërronte Izraelin”, theksoi ai.

Ora 08:32
Luftime në Libanin lindor, Hezbollahu: Është rrëzuar një helikopter izraelit! Izraeli kundërpërgjigjet me sulme në Bejrut

Luftime të ashpra janë zhvilluar në Libanin lindor, pranë kufirit me Sirinë, ku trupat izraelite kanë zbarkuar me helikopterë. Kështu shkruan Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit duke sqaruar se përplasjet kanë ndodhur pranë fshatit Nabi Chit.

Zona ishte vënë në shënjestër edhe 24 orë më parë nga një komandë izraelite që, pa sukses, po përpiqej të rikuperonte trupin e një aviatori izraelit të kapur në vitin 1986.

Një burim i Hezbollahut tha se lëvizja shiite libaneze ka rrëzuar një helikopter izraelit në atë zonë.

Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur zonën e Bejrutit të hënën në mëngjes, duke marrë në shënjestër grupin militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani.

Njëkohësisht, në Doha të Katarit raportohen shpërthime të forta.

Ora 08:17
Nafta kalon 100 dollarë fuçia, Trump: Çmim i vogël për t’u paguar, do të bjerë shpejt

Çmimet e naftës “do të bien shpejt me përfundimin e shkatërrimit të kërcënimit bërthamor të Iranit”. Kështu deklaroi Donald Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Rritja e çmimeve është “një çmim i vogël për t’u paguar për paqen dhe sigurinë e SHBA-së dhe të botës. Vetëm të çmendurit mendojnë ndryshe”, theksoi Trump.