Ka hyrë në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Pas dy muajve luftime midis dy ushtrive, në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm (me orën shqiptare) organizata Hezbollah dhe ushtria Izraelite kanë ndërprerë luftime në kuadër të armëpushimit.
Kjo u njoftua fillimisht nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas propozimit të SHBA që dhanë dritën jeshile.
Megjithatë në orët e para të armëpushimit të shpallur, Izraeli bombardoi disa zona të Bejrutit, ndërsa Hezbollahu lëshoi dronë në Tel Aviv.
Menjëherë pas armëpushimit ka pasur festë në rrugët e kryeqytetit të Libanit, Bejrut.
Shumë njerëz dolën në rrugë duke festuar dhe duke qëlluar në ajër, ndërsa nga ana tjetër shumë njerëz janë rikthyer në shtëpitë e tyre në jug të Libanit, në qytetin bregdetar të Tirës, pasi ishin evakuuar për shkak të luftimeve.
Foto: Liban
Qeveria spanjolle ka 'mirëpritur' njoftimin e një armëpushimi në Liban, duke theksuar se një armëpushim në Gaza mbetet "thelbësor" për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
“Qeveria mirëpret marrëveshjen e një armëpushimi 60-ditor, një kusht i domosdoshëm për adresimin e situatës humanitare në Liban dhe vazhdimin e zbatimit të plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", thuhet në një shënim të lëshuar nga Ministria e Jashtme.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Spanja "mbetet e angazhuar për stabilitetin rajonal përmes kontributit të saj në UNIFIL dhe do të mbështesë përpjekjet e de-përshkallëzimit për të mundësuar kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre në të dyja anët e vijës blu dhe për të ecur drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit."
Ushtria libaneze u ka kërkuar njerëzve që janë kthyer në Libanin jugor të shmangin fshatrat dhe qytetet kufitare ku ushtria izraelite (IDF) është ende e pranishme deri në tërheqjen e tyre.
Mijëra banorë janë kthyer në zona të tjera të evakuuara më parë në Libanin jugor, në kundërshtim me paralajmërimin e Izraelit për të shmangur të gjitha zonat e evakuuara më parë.
Shumë prej këtyre zonave u sulmuan vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Një zyrtar i lartë i Hamas përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit të Izraelit dhe Hezbollahut në Liban dhe shtoi se lëvizja palestineze është gjithashtu gati për një armëpushim me ushtrinë izraelite në Rripin e Gazës.
'Shpallja e armëpushimit në Liban është një fitore dhe një sukses i madh i rezistencës’, tha për AFP-në ky zyrtar i zyrës politike të Hamasit.
‘Hamasi është gati për një marrëveshje armëpushimi dhe një marrëveshje serioze për shkëmbimin e të burgosurve’, shtoi ai.