Rusia ka raportuar se dy ndërtesa janë goditur në Moskë. Agjencia ruse Tass shkruan se si pasojë e sulmit një person ka mbetur i plagosur, ndërsa nuk raportohet për viktima.
"Një roje sigurie u plagos në një ndërtesë Oko-2 si pasojë e shpërthimit. Dritaret në katin e parë deri në të katërt u shkatërruan pas një sulmi me dron", shkruan agjencia ruse.
Rusia ka fajësuar Ukrainën për sulmin me dron, ndërsa Kievi nuk ka bërë asnjë deklaratë për sulmin. Si pasojë e goditjes, fasadat e dy ndërtesave në Moskë u dëmtuan lehtë. Moska ka publikuar edhe pamjet nga ndërtesat e dëmtuara.
Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të Moskës, u mbyll për një kohë të shkurtër për shkak të incidentit, por më pas u rihap sërish.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk e kundërshton idenë e bisedimeve të paqes për Ukrainën. Duke folur pas takimit me udhëheqësit afrikanë në Shën Petersburg, ai tha se një nismë afrikane dhe kineze mund të shërbejë si bazë për gjetjen e paqes. Presidenti Putin tha gjithashtu se ishte e vështirë të zbatohej një armëpushim kur ushtria ukrainase ishte në ofensivë.
Putin tha në konferencën për shtyp të shtunën vonë natën se nuk kishte plane për të intensifikuar luftimet në frontin ukrainas për momentin. Ai mbrojti gjithashtu arrestimin e zërave kritikë në Kremlin, duke pretenduar se disa njerëz po dëmtonin Rusinë nga brenda.
Ukraina dhe Rusia kanë thënë më parë se nuk do të vijnë në tryezën e bisedimeve pa parakushte të caktuara. Ukraina dëshiron që kufijtë e saj siç ishin në vitin 1991 të rivendosen, diçka që Kremlini është thellësisht kundër. Moska argumenton në vend të kësaj se që të zhvillohen negociatat, Kievit duhet të pranojë "realitetin e ri territorial" të vendit të tij.