Irani “aktualisht nuk ka plane për të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve” me SHBA. Kështu ka deklaruar transmetuesi kryesor shtetëror i vendit, IRIB.

Në orët e fundit, media të tjera shtetërore ose pranë shtetit kanë raportuar se Irani nuk ka ndërmend të marrë pjesë në negociata, të cilat sipas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump pritet të nisin nesër në Islamabad, për sa kohë që Shtetet e Bashkuara nuk heq bllokadën detare të vendosur ndaj anijeve iraniane.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara goditën një anije mallrash me flamur iranian që u ndalua në Gjirin e Omanit dhe morën kontrollin e plotë të anijes, deklaroi Donald Trump në llogarinë e tij në mediat sociale, Truth. Anija, Touska, raportoi Trump, u përpoq të anashkalonte bllokadën dhe u paralajmërua, por "refuzoi të dëgjonte, kështu që Marina e ndaloi atë duke goditur dhomën e motorit të saj. Tani ajo është nën kujdesin e SHBA-së".

Më herët, Trump njoftoi se negociatorët amerikanë, Steve Wittkof dhe Jared Kushner, janë nisur drejt kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad, për të zhvilluar bisedimet e paqes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump kërcënoi Iranin për pranimin e një marrëveshjeje përfundimtare, pasi në të kundërt sipas Presidentit amerikan, vendi do të përballej me sulme masive ndaj centraleve dhe urave.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur 21 prilli po afrohet dhe armëpushimi 2 javor në Lindjen e Mesme për lejimin e zhvillimit të negociatave po përfundon. Negociatat e para mes SHBA-së dhe Iranit dështuan ndërsa Kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Baqer Ghalibaf thotë se një marrëveshje është larg, duke shprehur mosbesim ndaj amerikanëve.

"Ne duam paqe të qëndrueshme në mënyrë që lufta të mos ndodhë më kurrë". Ai theksoi se Republika Islamike dhe Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të ndryshme për disa çështje bërthamore dhe Ngushticën e Hormuzit. Ai shtoi se mbeten dallime në mendime për këto çështje, megjithëse "është bërë përparim", por se një marrëveshje "mbetet e largët".

Nëpërmjet një deklarate të presidentit iranian Masoud Pezeshkian, kuptohet se Irani do të vijojë të këmbëngulë në çështjen bërthamore në negociatat me SHBA-në.

“Trump thotë se Irani nuk mund të ushtrojë të drejtat e tij bërthamore, por nuk thotë pse do të ishte krim. Kush është ai që t’i mohojë të drejtat një kombi?”, ka thënë Pezeshkian.

Prej dje Ngushtica e Hormuzit u mbyll nga Irani që shtoi dhe prezencën në këtë rrugë ujore strategjike. Së fundmi Garda Revolucionare ka lëshuar një tjetër paralajmërim për goditjen e çdo anije që i afrohet Ngushticës.

Më herët, në përplasjet virtuale mes Papa Leone XIV dhe Donald Trump, është përfshirë dhe JD Vance, i cili përshëndeti deklaratën e Atit të Shenjtë, i cili tha se fjalimet e tij nuk duhen interpretuar "sikur po përpiqesha të ridebatoja Presidentin Trump, gjë që nuk është në interesin tim më të mirë".

Zv/presidenti Vance tha se "I jam mirënjohës Papa Leone-s që e tha këtë. Ndërsa narrativa mediatike vazhdimisht nxit konfliktin - dhe po, ka pasur dhe do të ketë mosmarrëveshje të vërteta - realiteti është shpesh shumë më i ndërlikuar."

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:36
SHBA-të qëllojnë një anije mallrash iraniane në Gjirin e Omanit

1776542940_ngushticaehormuzit.JPG

Shtetet e Bashkuara goditën një anije mallrash me flamur iranian që u ndalua në Gjirin e Omanit dhe morën kontrollin e plotë të anijes, deklaroi Donald Trump në llogarinë e tij në mediat sociale, Truth. Anija, Touska, raportoi Trump, u përpoq të anashkalonte bllokadën dhe u paralajmërua, por "refuzoi të dëgjonte, kështu që Marina e ndaloi atë duke goditur dhomën e motorit të saj. Tani ajo është nën kujdesin e SHBA-së".

Ora 20:14
Media iraniane: Teherani ka refuzuar raundin e dytë të bisedimeve

1776263899_iran.jpeg

Irani ka refuzuar mundësinë e një raundi të dytë bisedimesh paqeje me Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, e cituar nga Sky News.

Sipas raportimit, mungesa e Teheranit në bisedime lidhet me “kërkesat e tepruara të Uashingtonit, pritshmëritë jorealiste, ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve, kontradiktat e përsëritura dhe bllokadën detare në vazhdim”.

Ora 17:57
Media: Irani nuk do të shkojë në bisedime për sa kohë vazhdon bllokada amerikane

1776273939_shbasulmoniranin.jpg

Irani nuk ka vendosur ende nëse do të dërgojë një delegacion negociator në Islamabad për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe asnjë takim nuk do të zhvillohet për sa kohë mbetet në fuqi bllokada detare amerikane. Kështu raporton agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, duke cituar një burim të informuar. Lajmi është përcjellë edhe nga Iran International.

Tasnim shton se, pas përfundimit të raundit të parë të bisedimeve mes Shtetet e Bashkuara dhe Iran, “ndërmjetësi pakistanez” ka vazhduar të luajë rolin e tij, duke shkëmbyer mesazhe mes dy palëve.

Ora 16:35
Teherani i përgjigjet Trumpit: Bllokada detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit është një shkelje e armëpushimit

1776609582_dtyi8fgyuop.jpg

Teherani e ka cilësuar bllokadën amerikane në portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit si një shkelje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"E ashtuquajtura bllokadë amerikane e porteve ose vijës bregdetare të Iranit nuk është vetëm një shkelje e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Pakistani, por është gjithashtu e paligjshme dhe kriminale"- kështu iu përgjigj zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqei, një postimi në rrjetin social ‘X’ të Presidentit Donald Trump, i cili akuzoi Iranin për shkelje të armëpushimit duke qëlluar anijet në Ngushticën e Hormuzit.

"Për më tepër, duke i shkaktuar qëllimisht ndëshkim kolektiv popullit iranian, bllokada përbën një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit", përfundoi zëdhënësi iranian.

Ora 14:47
‘Negociatorët e SHBA po shkojnë në Islamabad’- Trump paralajmëron Iranin: Nesër bisedimet e paqes, pranoni marrëveshje, ose makina vrasëse juaja do të marrë fund

1776439335_donaldtrump.jpg

Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për një marrëveshje përfundimtare paqeje, pasi në të kundër sipas Presidentit të SHBA-së, do të përballen me pasoja të rënda.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Trump ka thënë se nëse Irani nuk bie dakord për një marrëveshje, SHBA-të do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë atje.

Po ashtu Trump deklaroi se bisedimet e paqes në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, do të zhvillohen nesër. Presidenti Trump shtoi se negociatorët amerikanë janë nisur për në Islamabad, ku do të zhvillohen bisedimet e paqes.

Për Ngushticën e Hormuzit, Trump tha se Irani po del i humbur me bllokadën që i ka vendosur vetes, teksa shtoi se Teherani po humbet 500 milionë dollarë në ditë.

Postimi i Trump:

Irani vendosi të qëllojë dje me plumba në Ngushticën e Hormuzit - Një shkelje totale e Marrëveshjes sonë të Armëpushimit! Shumë prej tyre kishin për qëllim një anije franceze dhe një anije mallrash nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo nuk ishte mirë, apo jo? Përfaqësuesit e mi do të shkojnë në Islamabad, Pakistan - Ata do të jenë atje nesër në mbrëmje, për negociata. Irani njoftoi së fundmi se po e mbyllte Ngushticën, gjë që është e çuditshme, sepse BLLOKADA jonë e ka mbyllur tashmë. Ata po na ndihmojnë pa e ditur, dhe janë ata që humbasin me kalimin e mbyllur, 500 milionë dollarë në ditë! Shtetet e Bashkuara nuk humbasin asgjë. Në fakt, shumë anije po shkojnë, tani, drejt SHBA-së, Teksasit, Luizianës dhe Alaska, për t'u ngarkuar, komplimente të IRGC-së, duke dashur gjithmonë të jenë "djali i fortë!" Ne po ofrojmë një MARRËVESHJE shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë sepse, nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë në Iran. JO MË Z. DJALI I MIRË! Ata do të rrëzohen shpejt, do të rrëzohen lehtë dhe, nëse nuk e pranojnë MARRËVESHJEN, do të jetë nderi im të bëj atë që duhet bërë, të cilën duhet t'ia kishin bërë Iranit presidentët e tjerë, gjatë 47 viteve të fundit. ËSHTË KOHA QË MAKINA VRASËSE E IRANIT TË MARRË FUND! Presidenti DONALD J. TRUMP (TS: 19 Prill 08:10 ET)​ ...

Ora 14:08
Garda Revolucionare e Iranit: Po rimbushim vendet e lëshimit të raketave ndërkohë që është armëpushim

Irani po i rimbush vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve me një ritëm më të shpejtë se para fillimit të luftës. "Ndryshe nga Irani, armiku nuk ishte në gjendje të rimbushte municionet e tij gjatë armëpushimit", tha Majid Mousavi, komandant i Forcave Hapësinore të Gardës Revolucionare Iraniane. "Gjatë armëpushimit, shpejtësia jonë e modernizimit dhe rimbushjes së vendeve të lëshimit të raketave dhe dronëve është edhe më e shpejtë se para luftës. Ne e dimë se armiku nuk është në gjendje t'i krijojë këto kushte vetë dhe është i detyruar të rimbushë municionet e tij nga ana tjetër e botës, hap pas hapi", shtoi Mousavi. "Ata e kanë humbur këtë fazë të luftës. Ata e kanë humbur Ngushticën [e Hormuzit], Libanin dhe rajonin", shtoi ai, raporton Al Jazeera.

Ora 13:28
Shefi i ushtrisë iraniane: Do ta luftojmë armikun deri në frymën e fundit

Shefi i Ushtrisë Iraniane, Amir Hatami, është zotuar të vazhdojë të mbrojë "pavarësinë, integritetin territorial dhe sigurinë e vendit nga toka, ajri dhe deti". Hatami deklaroi se ushtria, së bashku me degët e tjera të forcave të armatosura, mbetet e gatshme të përballet "me armiqtë me vendosmëri, duke forcuar njëkohësisht aftësitë e tyre ushtarake". Forcat iraniane drejtohen nga një shpirt sakrifice dhe "xhihadi" dhe janë zotuar për "angazhim të palëkundur ndaj misionit të tyre". "Forcat tona do të përballen me armikun deri në frymën e fundit, me gishtin në këmbëz, të gatshme për betejë dhe sakrificë", deklaroi Hatami, raporton Al Jazeera.

Ora 12:55
Mediat: Negociatat SHBA-Iran mund të rifillojnë deri të premten

Dy burime sigurie pakistaneze i thanë Al Jazeera-s se negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka të ngjarë të zhvillohen deri të premten. "Dy avionë amerikanë të transportit të rëndë C-17 Globemaster zbarkuan në Bazën Ajrore Noor Khan në Rawalpindi", pranë kryeqytetit pakistanez, Islamabad.

Burimet shtuan se "rrugët nga aeroporti për në Zonën e Kuqe të Islamabadit janë mbyllur përkohësisht, duke treguar masa të shtuara sigurie". Së fundmi, burimet deklaruan se "hotelet Serena dhe Marriott në Islamabad janë evakuuar dhe nuk lejohen rezervime të reja deri të premten". Hoteli Serena ishte vendi i raundit të parë të negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit më 11 prill.

Ora 11:39
Paralajmërimi i Gardës Revolucionare të Iranit: Çdo anije që i afrohet Hormuzit është në shënjestër

1776259258_xxdrytii.jpg

Çdo anije që i afrohet Ngushticës së Hormuzit tani do të jetë "në shënjestër". Ky është paralajmërimi i lëshuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, ushtria ideologjike e Iranit. Pas më shumë se një muaji lufte që ka marrë mijëra jetë, kryesisht në Iran dhe Liban, njoftimi i Teheranit të premten se Ngushtica e Hormuzit u rihap nxiti tregjet financiare dhe shkaktoi rënien e çmimeve të naftës bruto, duke pasur parasysh se 20 përqind e naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm në botë zakonisht kalojnë nëpër Ngushticë. Ndërsa disa anije arritën të kalonin nëpër ngushticë të shtunën gjatë rihapjes së saj të përkohshme, të tjerat u përballën me të shtëna me armë zjarri dhe kërcënime nga ushtria e Teheranit.

Ora 11:39
Vance: Mirënjohës ndaj Papës që tha se nuk dëshiron të debatojë me Trumpin

"I jam mirënjohës Papa Leone-s që e tha këtë. Ndërsa narrativa mediatike vazhdimisht nxit konfliktin - dhe po, ka pasur dhe do të ketë mosmarrëveshje të vërteta - realiteti është shpesh shumë më i ndërlikuar."

Kështu komentoi zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance fjalët e Papa Leone në X, duke shpjeguar se fjalimet e tij nuk duhen interpretuar "sikur po përpiqesha të ridebatoja Presidentin Trump, gjë që nuk është në interesin tim më të mirë". Vance shtoi se meqenëse Papa "predikon ungjillin, siç duhet", kjo "në mënyrë të pashmangshme do të thotë që ai ofron mendimet e tij mbi çështjet morale të momentit".

"Presidenti dhe e gjithë administrata e tij po punojnë për të zbatuar këto parime morale në një botë kaotike. Ai do të jetë në lutjet tona", përfundoi Vance, duke iu referuar Papa Leos, "dhe shpresoj se ne do të jemi në lutjet e tij".

Ora 11:36
Presidenti iranian: Trump nuk mund të na mohojë të drejtën për energji bërthamore

“Trump thotë se Irani nuk mund të ushtrojë të drejtat e tij bërthamore, por nuk thotë pse do të ishte krim. Kush është ai që t’i mohojë të drejtat një kombi?” Kjo është ajo që tha presidenti iranian Masoud Pezeshkian, sipas agjencisë së lajmeve ISNA, duke treguar kështu se si Teherani vazhdon të këmbëngulë në çështjen bërthamore në negociatat me SHBA-në, ndërsa afati i fundit i 21 prillit për armëpushimin dyjavor për të lejuar negociatat po afron.

Ora 07:56
49 ditë luftë/ Kronologjia e bisedimeve SHBA-Iran që nga nisja e sulmeve më 28 shkurt

Ja një përmbledhje e negociatave midis SHBA-së dhe Iranit deri më tani:

28 shkurt: Shpërthen konflikti pasi SHBA-të dhe Izraeli nisin sulme ndaj Iranit, ndërsa bisedimet diplomatike dështojnë.

6 Mars: Donald Trump thotë se nuk do të ketë marrëveshje "përveç dorëzimit të pakushtëzuar" të Iranit.

21 Mars: Trump vendos një afat kohor, duke kërcënuar se do të shënjestrojë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse ky i fundit nuk pranon të hapë Ngushticën e Hormuzit.

23 Mars: Trump shtyn afatin e tij, duke përmendur "biseda produktive" - ​​kjo pasohet nga një sërë shtyrjesh të mëtejshme.

7 prill: Trump paralajmëron se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse ngushtica nuk hapet para një afati tjetër.

8 prill: Pakistani, duke vepruar si ndërmjetës, njofton një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit për bisedime të mëtejshme.

11 prill: Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi, takohen në Pakistan. Pas 21 orësh debatesh, Uashingtoni dhe Teherani mbeten larg njëri-tjetrit për sa i përket pikave kyçe të ngërçit.

12 prill: Trump njofton bllokimin e porteve iraniane.

17 prill: Araghchi i Iranit thotë se ngushtica do të mbetet e hapur për pjesën tjetër të armëpushimit. Trump thotë se bllokada amerikane do të vazhdojë.

18 prill: Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thotë se do ta bllokojë përsëri ngushticën. Trump thotë se po zhvillohen "biseda shumë të mira", por SHBA-të nuk do të "shantazhohen" për rrugën ujore.