Presidenti i SHBA-ve Donald Trump thotë se Irani ka 48 orë për të “bërë një marrëveshje” ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit, përndryshe “ferri do të bjerë mbi ta”. Paralajmërimi i kreut të Shtëpisë së Bardh vjen në ditën e 36-të të luftës mes SHBA-Izrael dhe Iranit.

Irani duket se i është përgjigjur kërcënimeve me fjalët: “Mos harroni se nëse agresioni zgjerohet, i gjithë rajoni do të kthehet në ferr për ju. Iluzioni për të mposhtur Republikën Islamike të Iranit është kthyer në një moçal ku do të fundoseni.”

Pavarësisht se presidenti amerikan shpesh ka përsëritur se luftës po i vjen fundi dhe se objektivat kryesor të sulmit amerikano-izraelit janë arritur, disa e sotme shënon një tjetër përshkallëzim.

Një tjetër goditje direkte ndaj infrastrukturës strategjike në territorin iranian u krye. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar një uzinë petrokimike në Zonën Ekonomike Speciale të Mahshahr-it, në provincën Khuzestan. Sipas mediave iraniane, raportohet për të paktën 5 të plagosur, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që të ketë viktima. Një tjetër goditje është raportuar pranë centralit bërthamor të Bushehrit, ku si pasojë ka humbur jetën një punonjës i sigurisë. Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se strukturat kryesore të centralit nuk janë dëmtuar.

Irani ka goditur me raketa balistike jugun e Izraelit, duke shkaktuar shpërthime në një zonë industriale, pa raportime për viktima. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, lëshoi ​​sot një kërcënim kundër një tjetër pike bllokimi të transportit detar në Lindjen e Mesme, Ngushticës së Bab el-Mandeb, midis Jemenit në Gadishullin Arabik dhe Bririt të Afrikës, portës jugore për në Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit.

Ndërkohë, Irani ka arritur të rrëzojë dje për herë të parë dy avionë luftarakë amerikanë. Njëri prej pilotëve u shpëtua dhe ndodhet në gjendje të mirë, ndërsa dyshohet se piloti i dytë është kapur nga forcat iraniane. Teherani ndërkohë mori përgjegjësinë për rrëzimin e dy avionëve amerikanë.

Për mediat, presidenti Donald Trump nuk dha asnjë koment për masat që do të ndërmerrte nëse piloti amerikan është kapur nga iranianët. "Shpresojmë që kjo të mos ndodhë", tha presidenti i SHBA-së, duke shtuar se rrëzimi i avionëve nuk do të ndikonte në negociata. Kërkimet për gjetjen e pilotit po vijojnë ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike kanë rrethuar një zonë në provincat jugperëndimore të Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, ku besohet se është rrëzuar avioni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:07
Irani i kthen paralajmërimin Trumpit: I gjithë rajoni do të kthehet në ferr për ju, do të fundoseni!

1773729633_raketa.jpg

Irani duket se i është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trump se “ferri” do të bjerë mbi vendin nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet deri të hënën.

Në deklarata të transmetuara nga mediat shtetërore iraniane, një zëdhënës iranian tha: “Mos harroni se nëse agresioni zgjerohet, i gjithë rajoni do të kthehet në ferr për ju. Iluzioni për të mposhtur Republikën Islamike të Iranit është kthyer në një moçal ku do të fundoseni.”

Ora 21:58
‘Nuk ka lidhje me familjen tonë’, vajza e gjeneralit iranian Soleimani mohon deklaratat e SHBA-ve për arrestimin

Zeinab Soleimani, vajza e gjeneralit iranian të vrarë Qasem Soleimani, ka mohuar çdo lidhje midis familjes së saj dhe dy grave, nënë e bijë, të arrestuara në SHBA, të cilat sipas Departamentit Amerikan të Shtetit janë përkatësisht mbesa dhe stërmbesa e komandantit të Pasdaranëve të vrarë në vitin 2020 në Bagdad gjatë një sulmi amerikan.

Në një mesazh të raportuar nga Fars Neës Agency, Zeinab Soleimani e ka quajtur “të rremë” atë që pretendon Uashingtoni, sipas së cilës personat e ndaluar do të ishin të lidhur me familjen e saj.

“Personat e arrestuar në Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me familjen e dëshmorit Soleimani dhe deklarata e Departamentit të Shtetit është një gënjeshtër”, tha Zeinab, vajza më e vogël e gjeneralit të ndjerë dhe e vetmja që shfaqet publikisht. “Ata janë bërë kaq të dobët dhe të pafuqishëm saqë, duke shpikur gënjeshtra kundër një figure të madhe si Haxhi Qassem, përpiqen të largojnë vëmendjen e opinionit publik botëror nga humbja e tyre përballë kombit iranian”.

Deklaratat vijnë pas lajmit për arrestimin në SHBA të Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzës së saj, me heqjen e statusit të rezidentëve të përhershëm dhe vendosjen e tyre në kujdestarinë e ICE.

Sipas Uashingtonit, të dyja do të kishin zhvilluar aktivitete mbështetjeje dhe propagande në favor të regjimit iranian edhe përmes rrjeteve sociale, ndërsa bashkëshortit të gruas i është ndaluar hyrja në vend.

Ora 21:09
Protestuan kundër luftës ndaj Iranit, të paktën 10 të arrestuar në Tel Aviv

Policia izraelite ka njoftuar se ka arrestuar 10 persona, me akuzën për prishje të rendit publik, nga mbi një mijë që sot protestuan në Tel Aviv kundër luftës me Iranin dhe Hezbollahun. Sipas organizatorëve të protestës, janë 16 të arrestuar.

Më herët, Gjykata e Lartë e vendit kishte nxjerrë një urdhër që lejonte zhvillimin e një proteste me 600 persona në Tel Aviv. Të shtunën në mbrëmje, policia i tha turmës se numri i tyre ishte më i madh se 600 pasi po afroheshin drejt 1 mijë.

Ora 20:38
Për herë të parë në 7 vjet, India blen naftë nga Irani

1774335250_nafte.jpg

India ka blerë naftë nga Irani për herë të parë pas disa vitesh, konfirmoi Ministria e saj e naftës dhe gazit natyror, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon të trazojë tregjet globale të energjisë.

Deklarata shënon një moment përcaktues se India po importon sërish naftë nga Irani, pas 7 vitesh shmangie për shkak të sanksioneve të SHBA-së, raporton Reuters.

India ka blerë gjithashtu 44,000 tonë gaz të lëngshëm nga Irani, shtoi ministria, i cili po shkarkohet në portin e Mangalores.

Meqenëse India importon një pjesë të madhe të karburanteve të saj, përfshirë rreth 85% të gazit të lëngshëm nga Lindja e Mesme, ajo është prekur rëndë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani si përgjigje ndaj sulmeve SHBA-Izrael.

Ky njoftim pasi administrata Trump dha muajin e kaluar një licencë të përkohshme për Iranin që të shesë 140 milionë fuçi naftë të papërpunuar që ndodhej në det, në një përpjekje për të ulur presionin mbi tregjet.

Ora 18:45
‘Jetonin në luks në SHBA’, Rubio njofton dëbimin e mbesave të gjeneralit iranian

“Deri pak kohë më parë, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj ishin mbajtëse të një karte të gjelbër dhe jetonin në luks në Shtetet e Bashkuara”, ndërsa tani janë nën kujdestarinë e agjentëve të anti-emigracionit (ICE) dhe “do të dëbohen”, shkruan në X Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, pasi Departamenti i Shtetit njoftoi arrestimin e mbesës dhe stërmbesës së gjeneralit iranian Qasem Soleimani, kreut të Forcës Quds të Pasdaranëve, i vrarë në një sulm në Bagdad gjashtë vjet më parë.

“Afshar është mbesa e gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani. Ajo është gjithashtu një mbështetëse e zjarrtë e regjimit iranian, e cila ka festuar sulmet kundër amerikanëve dhe i është referuar vendit tonë si ‘Satanai i Madh’”, thotë Rubio.

“Këtë javë kam revokuar statusin ligjor si për Afshar ashtu edhe për vajzën e saj, të cilat tani janë nën kujdestarinë e ICE, në pritje për t’u dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”, vijon ai. “Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet një strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime terroriste anti-amerikane”, përfundon kreu i diplomacisë së Uashingtonit.

Ora 16:38
Trump i jep 48 orë kohë Iranit: Bëni marrëveshjen për hapjen e Hormuzit ose ferri do të bjerë mbi ju!

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump thotë se Irani ka 48 orë për të “bërë një marrëveshje” ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit, përndryshe “ferri do të bjerë mbi ta”.

Në një postim në Truth Social, ai shkruan: “Mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të bërë një marrëveshje ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Koha po mbaron.

"48 orë para se i gjithë ferri të bjerë mbi ta. Lavdi Zotit! Presidenti Donald J. Trump.”

Më 27 mars, Trump njoftoi se po pezullonte çdo sulm ndaj impianteve energjetike iraniane për 10 ditë nga ai moment.

Në një postim tjetër pak më herët, ku fliste kryesisht për përfitimet që tarifat i kanë sjellë ekonomisë amerikane, ai e mbylli me: “E gjithë kjo dhe, njëkohësisht, duke hequr qafe një Iran bërthamor. MAGA!!!”

 

Ora 12:16
Teherani: Mund ta bllokojmë Ngushticën e Hormuzit për vite me radhë

1775134823_ngushticaehormuzit.jpg

“Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një avantazh strategjik për Iranin në kushtet e reja të sigurisë dhe nuk do të rikthehet më në statusin që kishte më parë”, pas nisjes së operacioneve ushtarake të SHBA dhe Izraelit kundër Republikës Islamike. Kështu deklaroi zëdhënësi i presidencës së Parlamentit iranian, Abbas Goudarzi.

Ai ka bërë të ditur se është nisur një procedurë për vendosjen e pagesave për tranzitin në këtë ngushticë strategjike. Në deklaratat e cituara nga agjencia iraniane Tasnim, Goudarzi thekson se “menaxhimi i kësaj rruge të rëndësishme është në duart e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit” dhe se “asnjë vend nuk do të ketë të drejtë të kalojë pa lejen e Iranit”.

Sipas tij, Irani do ta mbrojë këtë pozicion strategjik “me të gjithë fuqinë e tij ushtarake”.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian i sigurisë tha se Teherani mund ta bllokojë Ngushticën e Hormuzit për vite me radhë."

“Teherani do të jetë në gjendje të mbajë një bllokadë të Ngushticës së Hormuzit kundër anijeve amerikane dhe aleate për një periudhë të zgjatur, "madje edhe për shumë vite", tha një zyrtar i lartë iranian i sigurisë, sipas disa raporteve të medias.

Ora 12:08
Teherani ka refuzuar propozimin e SHBA për një armëpushim 48-orësh

1774847629_iran.jpeg

Agjencia gjysmë-zyrtare iraniane Fars raporton se Irani ka hedhur poshtë ofertën amerikane për një armëpushim dyditor. “Një burim i informuar ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara propozuan një armëpushim 48-orësh më 4 prill, përmes një prej vendeve mike. Përgjigjja e Iranit ndaj këtij propozimi nuk ka qenë me shkrim, por është dhënë në terren, përmes vazhdimit të sulmeve të rënda”, shkruan Fars.

Ndërkohë, Wall Street Journal raportoi se Irani u ka komunikuar zyrtarisht ndërmjetësve se nuk është i gatshëm të zhvillojë takime me zyrtarët amerikanë në Islamabad në ditët në vijim.

Ora 12:04
Raketat e SHBA dhe Izraelit godasin pranë centralit bërthamor Bushehr, 1 viktimë

Një raketë ra pranë centralit bërthamor në Bushehr, në Iranin perëndimor, ku si pasojë humbi jetën një punonjës i sigurisë së impiantit. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia ruse Tass, e cila citon Agjencinë iraniane për energjinë atomike. Sipas kësaj të fundit, “strukturat kryesore të centralit nuk janë dëmtuar”.