Për të kuptuar se deri në ç’masë po depërtonte lufta kundër fesë në botkuptimin dhe jetën e shqiptarëve, në fundin e verës së 1967, në Sektorin e Edukimit në Komitetin Qëndror, mblidheshin çdo ditë informacione të shumta nga më të pazakontat deri tek ato fare të rëndomta. Gjithçka vinte nga të dërguarit e partisë në terren kishte rëndësi, çdo sinjal, çdo lajm.
Braktisja e një ideologjie siç ishte feja dhe përqafimi e forcimi i besimit në një ideologjie të re siç ishte komunizmi, për regjimin ishte një sfidë. Njerëzit e partisë dhe vetë Enver Hoxha e dinin këtë. Por ata njihnin mrekullisht, nga ana tjetër, çdo instrument për të ndëhyrë me sukses.
Pjesa e dytë e raportit (pjesa e parë u botua dje) ku jepen rezultatet e para të luftës kundër fesë, përpiluar nga Sektori i Edukimit në Komitetin Qëndror me 30 gusht 1967, sjell informcacione me mjaft interes.
Raporti bën me dije se gjatë marrjes në dorëzim të kishave, janë mbledhur shumë materiale “propagandistike, literaturë fetare e politike me përmbajtje armiqësore”. Në raport njoftohet se në kishën e Dardhës së rrethit të Pukës ishte gjetur një ditar, në të cilin ruhej si dokument falja e kishës së Dardhës në vitin 1939 me autorizimin e peshkopit të Shkodrës dhe leximi i letrës së Papës për bekimin e ushtrive të Viktor Emanuelit.
Po ashtu shkruhet se priftit të Kaçinarit në Rrëshen i ishte gjetur fotografia e Zogut si dhe një ditar me përmbajtje politike. Grotesk është rasti i rrëfyer për një xhami në një fshat të Matit. Në raport shkruhet se “në xhaminë e Planit Bardhë të rrethit të Burrelit në vendin ku falej hoxha u gjet një flamur turk mbi të cilin ai kryente ceremonitë fetare duke e quajtur këtë si një gjë të shenjtë”. Më tej njoftohet se edhe në disa kisha e xhami të tjera ishin gjetur fotografi e fjalime të Hrushovit, por nuk shpjegohet se pse këto fjalime e fotografi ishin ruajtur nëpër kisha e xhami.
Disa pjesë të këtij raporti dëshmojnë se me sa zeriozitet ishte ndërmarrë ky sulm ndaj besimeve fetare dhe se sa e rëndësishme ishte kjo fushatë për shtetin komunist.
Regjimi kishte format e tij për të testuar në popull se deri në ç’masë ishte ndërhyrë për ti bindur shqiptarët të hiqnin dorë nga besimi dhe ritet fetare.
Të dërguarit në terren inspektonin dyqanet, për të vërtetuar nëse ishin bërë më shumë embëlsira për Bajram, pra a ishte shitur më shumë sheqer se në ditët e zakonshme. Po ashtu vërejnë se deri në ç’masë është konsumuar qumështi apo kosi në ditët e kreshmave. Por veç këtyre inspektimeve ata kishin sinjalizime edhe për audiencën në qytete të ndryshme të Shqipërisë që ndiqte emisione fetare në Radio Rama apo shfaqje të tjera me karakter fetar.
“...gjatë javës së kreshmëve të këtij viti në Fier, Durrës, Lushnjë, Q. të Tiranës konsumi i qumështit dhe i kosit ra në sasi të ndjeshme. Në mjaft fshatra të rrethit të Beratit, Pogradecit, Peshkopisë, gjatë ditëve të Bajramit dyqanet shitën më shumë sheqer nga ditët e tjera. Pati edhe mungesa në punë. Në rrethin e Durrësit, Sarandës e Gjirokastrës tek-tuk u skuqën edhe vezë. Kohët e fundit në Sarandë, Gjirokastër, Durrës është vërtetuar se besimtarë të krishterë dëgjojnë herë pas here emisionet fetare që transmeton Radio Roma, Athina, Korfuzi etj. Këtu nuk përjashtohet edhe shikimi i shfaqjeve televizive të karakterit fetar...”
Leximi i këtij raporti, veç të tjerash zbulon dhe ilustron me shumë shembuj se si regjimi e manipulonte ndërgjegjen e masave, duke e kthyer këtë proces në çelësin që siguronte jetëgjatësinë e tij.
(Vijon nga dje...)
Raportit i 30 gushtit 1967
...të kihet kujdes që të mos lejohen raste që të ngatërrohet roli reaksionar i fesë me pjesën më të madhe të klerikëve, të cilët janë të lidhur me Partinë dhe pushtetin popullor. Të bëhet pra diferencimi ashtu siç është i diferencuar vetëqëndrimi i tyre. Për këtë pjesë klerikësh të mbahet parasysh porosia që jep shoku Enver në letrën e vet, që të tregohet kujdes e të trajtohen drejt e ngrohtë.
Disa rrethe kanë përdorur klerikë për të demaskuar ata vetë në sytë e masave rolin reaksionar të fesë dhe kotësitë e besimeve riteve fetare, mendojmë se ky është veprim i drejtë por do trajtuar me kujdes. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoren si propagandistë e agjitatorë për të shpjeguar politikën e Partisë me masat e popullit.
3) Bashkë me mbylljen e institucioneve fetare dhe likuidimin e shërbimit të klerikëve u zbuluan dhe u shkatërruan mjaft veprime me karakter politik e shoqëror të njohura e të panjohura të fesë. Shpërndarja e këshillave të kishave e xhamive ku qenë grumbulluar përgjithësisht njerëz të deklasuar prishi një çerdhe jo vetëm fetare por dhe armiqësore. Po kështu shpërndarja e disa formave të tjera të organizuara pranë institucioneve fetare si korret e këngëve fetare pranë kishave katolike e ortodokse, e shërbimeve të ndryshme në teqetë e vende të tjera “të shenjta” është një sukses tjetër me rëndësi.
Gjatë marrjes në dorëzim të kishave, sidomos të atyre katolike, u gjendën mjaft materiale propagandistike, literaturë fetare e politike me përmbajtje armiqësore. Kështu në kishën e Dardhës së rrethit të Pukës u gjet një ditar, në të cilin ruhej si dokument falja e kishës së Dardhës në vitin 1939 me autorizimin e peshkopit të Shkodrës dhe leximi i letrës së Papës për bekimin e ushtrive të Viktor Emanuelit. Priftit të Kaçinarit në Rrëshen iu gjet fotografia e Zogut. Kur iu komunikua vendimi i popullit për marrjen e kishës ai mbi çdo gjë u interesua që të fshihej veçanërisht kjo fotografi dhe një ditar me përmbajtje politike. Kurse në xhaminë e Planit Bardhë të rrethit të Burrelit në vendin ku falej hoxha u gjet një flamur turk mbi të cilin ai kryente ceremonitë fetare duke e quajtur këtë si një gjë të shenjtë. Në kisha e xhami të tjera janë gjetur fotografi e fjalime të Hrushovit, si dhe mjaft materiale të tjera me karakter propagandistik.
Disa kisha mbanin regjistra mbi pasurinë që kanë pasur çifligarët, bejlerët e bajraktarët, ikona me mbishkrimin e të arratisurve si në Sarandë e Gjirokastër. Bile në disa besimtarë të Lazaratit akoma deri kohët e fundit ruhej besimi te dervish Rexhepi (i teqesë së “madhe”), armik i popullit e i Partisë që është arratisur jashtë shtetit dhe që drejton teqenë bektashiane në Amerikë.
Duke qenë se marrja e institucioneve fetare nuk qe e menjëhershme, gjë që kondicionohej me bindjen e popullit të çdo fshati e krahine, kjo solli që klerikët të fshehin dhe të zhdukin dokumente të ndryshme të tyre në këto lokale e sidomos në kishat. Ata zhdukën regjistrat, përgjithësisht ditarët e kishave dhe morën e shpërndanë me kohë në disa besimtarë fanatikë një pjesë të literaturës fetare.
Megjithatë faktet që përmendëm dhe shumë fakte të tjera mbi veprimtarinë armiqësore të fesë, organizatat e Partisë dhe ato të masave, i kanë përdorur gjerësisht për të demaskuar rolin reaksionar të fesë në terrenin politik, gjë që ka dhënë rezultate të mira.
Demaskimi i fesë në aspektin politik si vegël në duar të armiqve të popullit brenda dhe jashtë vendit është më i kapshëm për masat e popullit, i largon ato më shpejt nga feja, prandaj ashtu siç porozit shoku Enver në letrën e 27 shkurtit mbi luftën kundër fesë, duhet përdorur gjerësisht në propagandën tonë. Për këtë, veç fakteve lokale mendojmë se ka nevojë për një material të posaçëm që ta trajtojë problemin edhe historikisht.
“Këtë anë të shpjegimit historik të praktikave të fesë, - porosit shoku Enver, - ne nuk duhet ta harrojmë, por ta përdorim dhe tok me të të ngjallim dhe të vemë në luftë me këto praktika fetare patriotizmin e madh të masave. T’u shpjegojmë masave historikisht dhe materialisht ç’vuajtje, ç’mjerime, gjakderdhje e shtypje ka pësuar populli ynë, veçanërisht nga feja, se si ajo na përçante, vinte në luftë vëllanë kundër vëllait për të na shtypur më mirë, për të na robëruar më lehtë dhe për të na pirë gjakun në emrin e fesë”.
4) Lufta për marrjen e kishave dhe xhamive u zhvillua në të njëjtën kohë edhe kundër dogmave, riteve e besimeve fetare që përbën thelbin e luftës kundër fesë. Kjo e çoi luftën kundër fesë brenda në çdo familje dhe kjo është lufta më e mprehtë, më e gjerë e më e thellë se sa marrja e kishave e xhamive. Ajo prek e trondit direkt rritet fetare si botëkuptim, festat e zakonet që janë futur e shkrirë në jetën e përditshme të njerëzve.
Edhe në këtë drejtim ka rezultatet të mira. Diskutimi i gjerë mbi këto probleme në kuvende e mbledhje të ndryshme të popullit, zotimet që u morën dhe lufta që po bëhet për t’i vënë ato në jetë, është një shkollë e madhe revolucionare për masat. Si pasojë e kësaj pune një pjesë e ikonave, kandilave, librave fetare, mbishkrimeve etj., që ishin simbole të perëndisë në shtëpitë e besimtarëve dhe që çdo ditë i faleshin, u likuiduan dhe u dorëzuan.
Ceremonitë e festat fetare u kufizuan dhe po zëvendësohen në një pjesë të mirë me festat tona kombëtare, lokalet etj. Kështu Bajrami i vogël, më 22 mars u festua shumë më pak se çdo vit tjetër. Kjo jo vetëm në qytete dhe në shumicën e fshatrave të zonës fushore e kodrinore, por edhe në mjaft fshatra të zonës së malësisë. Në ditën e Bajramit në përgjithësi nuk pati mungesa në punë, siç ndodhte vitet e tjera, po ashtu në shkolla nuk pati mungesa të fëmijëve siç ndodhi p.sh. vjet ku në disa fshatra të rretheve të Krujës, Tiranës, Peshkopisë etj., ditën e Bajramit mungonin shumica e nxënësve.
Po kështu ndodhi edhe me Pashkët që ishin në fund të prillit. Karakteristike ishte se shumë organizata partie, duke aktivizuar organizatat e masave, arsimtarët, institucionet kulturore-artistike, morën masa më të mira se vitet e tjera duke organizuar pasdite argëtimi, shfaqje artistike publike jashtë qytetit etj. Një kthesë u duk në këtë drejtim edhe në kooperativat bujqësore, ku zakonisht kjo bëhet më e dobët. Rezulton se shumica e popullit është angazhuar në problemet e ditës, të punës etj., dhe vijnë duke u pakësuar radhët e atyre që ngrenë çështje për fenë, si do të bëjnë pa fe, pa kreshmë e ramazan, si do të lenë fëmijët pa bërë synet etj. Kjo është një gjë e mirë që tregon se gjithnjë e më shumë rriten radhët e atyre që heshtin poshtë besimet e besëtytnitë fetare.
Në qoftë se do të bënim ndarjen në shtresa sipas moshave të popullsisë, mund të themi se në rini nuk ndihet asnjë shqetësim për fenë; moshat 30-50 vjeç paraqesin më pak shqetësim se në të moshuarit për faktin e njohur se tek ata ka ndikuar mjaft puna e madhe e partisë dhe angazhimi i tyre në punë. Kurse më të moshuarit, në një pjesë të madhe, janë më të shqetësuar dhe bëjnë pyetje ose mendojnë në heshtje se si do të bëhet pa fenë dhe zakonet e ritet e saj.
Prandaj ndodh që me gjithë sukseset e arritura, përsëri ka mjaft shenja të vazhdimit nga një pjesë e njerëzve të besimeve, festave e riteve fetare. Kështu gjatë javës së kreshmëve të këtij viti në Fier, Durrës, Lushnjë, Q. të Tiranës konsumi i qumështit dhe i kosit ra në sasi të ndjeshme. Në mjaft fshatra të rrethit të Beratit, Pogradecit, Peshkopisë, gjatë ditëve të Bajramit dyqanet shitën më shumë sheqer nga ditët e tjera. Pati edhe mungesa në punë. Në rrethin e Durrësit, Sarandës e Gjirokastrës tek-tuk u skuqën edhe vezë. Kohët e fundit në Sarandë, Gjirokastër, Durrës është vërtetuar se besimtarë të krishterë dëgjojnë herë pas here emisionet fetare që transmeton Radio Roma, Athina, Korfuzi etj. Këtu nuk përjashtohet edhe shikimi i shfaqjeve televizive të karakterit fetar. Nëpërmjet doganës është konstatuar se herë pas here nga persona të riatdhesuar vijnë materiale fetare të shkruara, kryqe etj.
Të gjitha këto flasin qartë se e vjetra ka rrënjë të thella dhe bën përpjekjet e saj të dëshpëruara për të rezistuar, duke u ushqyer nga forma, rrugë e mjete të reja.
Në këtë drejtim mbetet shumë për t’u bërë. Ky është terren që do shkelur mirë, që do spastruar vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike, sepse siç na mëson shoku Enver – feja dhe klerikët kanë mundur që për shekuj me radhë të fusin në popull helmin e fesë dhe këtë ta përziejnë me gëzimet, hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut. Për këtë arsye këtë luftë nuk duhet as ta nënvleftësojmë, as na neglizhojmë, sepse ajo na dëmton shumë në zhvillimin dhe paparimin e vendit. Kjo nuk është një pune e lehtë por as edhe e pamundur.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)