"Përkthimi i politikës në realitetin që qytetarët shohin çdo ditë" –.Kjo është ajo që bën administrata publike. Ndikimi i saj është i madh.

Qytetarët në të gjithë botën janë më shumë në kontakt me nënpunësit e tyre publikë se sa janë me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Ne të gjithë kemi të bëjmë më shumë me të pazgjedhurit se sa me të zgjedhurit, me ata që ne nuk i zgjedhim se sa me ata që ne i zjedhim.

Kjo është arsyeja përse çdo qeveri demokratike që do t'ju shërbejë qytetarëve të saj, mendon me kujdes në lidhje me zgjedhjen e nëpunësve të saj publik – qeveritë e sukseshme mbështeten në një burokraci të aftë dhe profesionale.

Meqënëse qytetarët nuk munden të ushtrojnë kontroll demokratik mbi burokracinë përmes zgjedhjeve, janë themeluar forma të tjera kontrolli, për të mirën e sundimtarëve dhe të të sunduarve.

Nëpërmjet legjislacionit primar dhe sekondar, nëpërmjet trajnimeve dhe praktikave të punës, nëpërmjet jurisprudencës, nëpërmjet kulturës etike të punës, është krijuar një sistem për të siguruar që shërbimi publik, edhe pse i pazgjedhur, të jetë i bazuar në merita, transparent, i përgjegjshëm dhe efikas. Meritokracia, transparenca, llogaridhënia, dhe efikasiteti janë parakushte të padiskutueshme për një burokraci të aftë dhe të motivuar për të hartuar dhe zbatuar politika.

Bashkëfajtor me krimin e korrupsionit është shpesh indiferenca jonë.

Kjo është arsyeja përse Bashkimi Evropian siguron një mbështetje mjaft të rëndësishme financiare dhe i kushton vëmendje të madhe zbatimit efektiv të reformave anti-korrupsion dhe administrative në Shqipëri, në përputhje me standartet e BE-së dhe praktikat më të mira Evropiane.

Gjatë pesë viteve të fundit ne kemi dedikuar gati 30 milionë Euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së për të ndihmuar përmirësimin e administratës publike në Shqipëri dhe 5 milionë Euro për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në vend.

Arsyeja jeni ju – shtetasit shqiptarë. Ne duam që ju të jeni në gjendje të gëzoni të njëjtën cilësi të shërbimeve publike si homologët tuaj në vendet e BE-së.

Në të vërtetë, trajtimi i luftës kundër korrupsionit dhe reformës administrative, në mënyrë të vendosur dhe në fillimin e procesit të para-anëtarësimit, ka një rëndësi thelbësore për reputacionin e vendit.

Kjo është esenciale për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, dhe për popullin e ketij vendi dhe cilësinë e qeverisjes së tyre, për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë.

Është e rëndësishme të shohim përparim të plotë dhe bindës në këtë fushë për të përmbushur kërkesat për t'u bërë vend kandidat dhe për të treguar se vendi ka institucione në gjendje të ushtrojnë qeverisje demokratike.

Siç e dini, Komisioni Evropian vlerëson çdo vit hapat e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të siguruar së qytetarët shqiptarë mund të gëzojnë gjithashtu vlerat themeluese dhe përfitimet e Bashkimit Evropian.

Për këtë arsye unë jam veçanërisht i kënaqur që menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit, në kemi një shans këtu për t'u përqendruar përsëri në disa nga konstatimet e tij kryesore.

Raporti i Progresit 2011 për Shqipërinë në menyrë të qartë thekson se: ka nevojë për progres në fushën e politikave anti-korrupsion, i cili është një prioritet kyç i Opinionit.

Detyrat për Shqipërinë janë të qarta:

• Nevoja për të përdorur kritere objektive dhe të bazuara në merita për rekrutimet dhe promovimet.
• Nevoja për të forcuar pozitën institucionale të Departamentit të Administratës Publike, aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
• Nevojën për të qartësuar se si do të zhvillohet pozicioni i Komisionit të Shërbimit Civil në dritën e reformave të planifikuara, të tilla si krijimi i gjykatave administartive.
• Nevoja për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin në menaxhimin e shërbimit civil nëpërmjet Sistemit të Burimeve Njerëzore dhe Menaxhimit të Informacionit.

BE-ja po jep ndihmë të bollshme financiare dhe teknike për të trajtuar pikërisht këto sfida.

Përpjekjet për të themeluar shërbimin publik në Shqipëri mbi meritokraci, transparencë, llogaridhënie, dhe efikacitet do të jenë të dobishme pasi ato do të përmirësojnë drejtpërdrejtë cilesinë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë në sherbimet publike të ofruara.

Për të përfunduar, unë do të doja gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për Ambasadorin e Republikës së Polonisë në Tiranë dhe Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim për kontributin e tyre në këtë fushë të rëndësishme të reformës në procesin e integrimit në BE.

Evropa është ketu për të ndihmuar. Ne kemi besim në angazhimin tuaj të fuqishëm dhe në përkushtimin tuaj solid në këtë sfidë të rëndësishme.
_________________
Fjala e Ambasadorit Ettore Sequi, Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në Seminarin: "Lufta kundër korrupsionit në administratën publike – mësimet e Polonisë, sfidat për Shqipërinë", mbajtur në Tiranë, më 14 dhjetor 2011.