TIRANË- Zgjedhja e Presidentit të ri të Unionit Ndër-Parlamentar (UIP) do të jetë një nga pikat kryesore të sesionit të 131-të të këtij organizmi që ka nisur punimet të hënën në Gjenevë. Mbi 120 parlamente, anëtare të UIP-së dhe rreth 650 parlamentarë po ndjekin sesionin e radhës së këtij takimi, mes tyre 75 kryetarë dhe nënkryetarë parlamentesh nga e gjithë bota, ku një përqindje e konsiderueshme janë gra dhe parlamentarëve të rinj.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka në përbërjen e tij kryetaren e komisionit të jashtëm parlamentar, Arta Dade dhe ambasadoren shqiptare në OKB, Filloreta Kodra, njofton agjencia e lajmeve "Presheva Jonë" nga Zvicra.
Tema e takimit të këtij viti ështe "Krijimi i barabartë mes burrave dhe grave dhe lufta kundër dhunës ndaj grave". Anëtarët e UIP pritet të miratojnë një rezolutë për një artikull emergjente në bazë të propozimeve të ndryshme për diskutim si: të drejtat e popullit palestinez; roli i parlamentarëve në UIP dhe lufta kundër terrorizmit e ekstremizmit.
Rendi i ditës i sesionit të 131-të përfshin gjithashtu diskutime mbi qeverisjen e ujit, ndryshimin e klimës, bashkëpunimin në përgjigje të problemit të drogës, rolin e parlamenteve në kërkim të një ekuilibri në mes të sigurisë kombëtare, sigurisë njerëzore dhe lirive individuale, si dhe ndikimi i investimeve private të biznesit në zhvillimin e qëndrueshëm./ATSH/