SHBA - Presidenti Amerikan Barack Obama ka autorizuar rritjen e numrit të trupave ushtarake që do të dërgohen në Irak në 1,500 luftëtarë, këshilltarë dhe trajnues. Lajmi u bë me dije nga sekretari i Pentagonit, admirali John Kirby i cili në një deklaratë për shtyp sqaroi zgjerimin e fushatës trajnuese për forcat ushtarake të Irakut që luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Pentagoni sqaroi se trupat amerikane do të vendosen në veri, në perëndim dhe jug të Irakut dhe do të trajnojnë 9 brigada ushtarake të irakut dhe 3 brigada të luftëtarëve kurdë peshmerga, por nuk do të kenë funksion luftarak.

Të alarmuar nga avancimi i militantëve të Shtetit Islamik në Irak, Obama nisi dërgimin e trupave ushtarake jo-luftuese gjatë verës, për herë të parë që prej vitit 2011. Njoftimi për dërgimin e trupave erdhi në të njëjtën ditë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama takoi anëtarët e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë, për t’i informuar ata për luftimet kundër ISIS në Irak dhe Siri.

Sipas admiralit Kirby, Shtëpia e Bardhë do t’i kërkojë Kongresit 5,6 miliardë dollarë për operacionin në Irak dhe Siri ku 1,6 miliardë janë parashikuar për trupat e reja trajnuese dhe fonde armatimesh. Sipas të dhënave diplomatike dhe mjekësore në Irak gjatë luftimeve nga korriku janë vrarë rreth 6000 trupa ushtarake Irakiene dhe dyfishi i tyre kanë dezertuar. Militantët e ISIS vazhdojnë të kontrollojnë një zonë të gjerë në Irak e Siri, ndonëse janë targetuar vazhdimisht nga qindra sulme ajrore të koalicionit ndërkombëtar Amerikan që nga muaji gusht.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)