Avionët e Guardia di Finanza dhe dronët e policisë shqiptare në luftë kundër kanabisit, asgjësohen mbi 116 mijë bimë narkotike gjatë vitit 2022

Avionët e Guardia di Finanzia, por jo vetëm, edhe dronët e policisë shqiptare, në bashkëpunim, kanë asgjësuar gjatë vitit 2022 mbi 116 212 bimë narkotike nga të cilat 40921 të konstatuara nga monitorimi ajror i GDF-së, në territorin shqiptar. Ky rezultat i asgjësimit të bimëve narkotike, ka ardhur pas kryerjes së mbi 156 mijë kontrolleve si dhe përdorimit të 53 dronëve, ndërsa për herë të parë gjatë këtij viti nga Guardia di Finanza, monitorimi ajror u krye me përdorimin e një helikopteri, të pajisur me sisteme të teknologjisë së fundit.

Të dhënat u bënë publike gjatë një konference të përbashkët ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj italiane, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të policisë së Shtetit dhe gjeneralë të Guardia di Finanzia. Kontrollet e policisë së Shtetit, në bashkëpunim me atë Italiane, kanë dhënë rezultate krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu gjatë këtij viti janë evidentuar 458 raste të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa në 2021 janë evidentuar 848 raste të kultivimit të bimëve narkotike. Në total gjatë 2022 janë asgjesuar 116 212 bimë narkotike, ndërsa në 2021 janë gjetur dhe asgjësuar 166 212 bimë narkotike dhe 20 997 kubikë narkotikësh.

Në fjalën e tij drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, nëpërmjet statistikave dhe pamjeve filmike, prezantoi punën e bërë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane, në luftën kundër kanabisit.  Ai ka theksoi se gjatë këtij viti, ndërthurja e burimeve njerëzore me ato logjistike ka rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës.

‘Lufta kundër kanabisit ka qenë rezultative falë bashkëpunimit me strukturat homologe të vendeve të tjera, veçanërisht falë bashkëpunimit me  Policinë italiane dhe Guardia di Finanza-n.’- tha Rrumbullaku.

Nga ana tjetër, gjatë fjalëve të tyre, Gjeneral Brigade Gianpiero Ianni dhe Gjeneral Brigade Vincenzo Caci thanë se rezultatet e arrira janë padyshim histori suksesi, fryt i sinergjisë dhe angazhimit nga Italia dhe Shqipëria. Gjeneralët e GDF-së e vlerësuan maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të zhvilluar në muajin gusht.

Në fjalën e tij, Ambasadori Fabrizio Bucci, falënderoi Policinë e Shtetit shqiptar për standartet e larta të arritura në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike, dhe përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer midis policisë italiane dhe asaj shqiptare.

Ambasadori Fabrizio Bucci u shpreh, ndër të tjera, se “nevojitet të vijojmë rrugën e bashkëpunimit duke çuar më tej luftën ndaj çdo forme të krimit pasi bashkëpunimi i ndërsjelltë mbetet e vetmja rrugë. Jemi dhe do të jemi gjithmonë e më të vendosur për të punuar së bashku me Autoritetet shqiptare. Në luftën ndaj paligjshmërisë, krimit dhe korrupsionit, Italia është dhe do të jetë gjithmonë.”

Të dhënat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me GDF-në për luftën kundër kanabisit në 2022: 
- ka kryer gjithsej 156 124 kontrolle dhe 345 010 orë shërbimi, duke përdorur edhe 53 dronë;
- ka marrë dhe trajtuar 7358 informacione policore për kultivimin e bimëve narkotike, ose 335 informacione më shumë se një vit më parë;
- nga rritja e bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë ndjekur 162 informacione, ose 97 informacione më shumë se një vit më parë;
- ka referuar dhe ndjekur 186 procedime proaktive, me metoda speciale të hetimit, kundër kultivimit të bimëve narkotike, ose 40 procedime më shumë se një vit më parë;
- ka evidentuar 30 raste të sekuestrimit të farave të kanabisit, si rezultat i të cilave janë sekuestruar rreth 3.5 kilogramë fara të kësaj bime. 
- U goditën 24 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave. Për këto raste u proceduan penalisht 56 shtetas të implikuar dhe u asgjësuan 3633 bimë narkotike dhe 2318 kubikë me bimë narkotike

Krahasimi i të dhënave në luftën kundër kanabisit me një vit më parë
-Gjatë vitit 2022 janë evidentuar 548 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 362 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura, dhe 186 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 352 shtetas, nga të cilët 157 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 116 212 bimë narkotike nga të cilat 40921 të konstatuara nga monitorimi ajror i GDF-së. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Shtetit janë evidentuar  dhe asgjësuar edhe 5139 kubikë narkotikësh.
Ndërsa gjatë vitit 2021 janë evidentuar 848 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura dhe 112 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 166 212 bimë narkotike dhe 20 997 kubikë narkotikësh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Report Tv siguron dokumentin, çfarë ka zbuluar GDF nga qielli në tokën shqiptare: Në 2016 rekord asgjësimi të bimëve narkotike, këtë vit gati 20 herë më pak

1670619889_WhatsAppImage20221209at10.04.04PM.jpg

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane kanë bëjë një bilanc në luftën e përbashkët kundër kultivimit të lëndëve narkotike në vendin tonë. Report Tv ka siguruar raportet e operacioneve ajrore të të dhënave të mëparshëme të Guardia Di Finanzia të kryera në vendin tonë në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në raport vihet re një shtim i misioneve ajore ndër vite, kjo pasi në vitin 2016 janë kryer 42 misione ajrore, ndërsa viti me më shumë misione ajrore ka qenë 2019. Sa i takon monitorimit të territorit me helikopter për zona të dyshuara me plantacione kanabisi, sipas raportit në vitin 2016 është monitoruar mbi 213 ha.

Po ashtu në vitin 2016 është shifra më e lartë e numrit të bimëve të kanabisit të asgjesuara, ku sipas raportit thuhet se janë asgjësuar mbi 753 mijë bimë narkotike, gati 20 herë më pak se këtë vit. Në total për vitin 2022, nga monitorimi ajror, janë konstatuar dhe asgjësuar 40 921 bimë narkotike, krahasuar me 92 428 bimë narkotike kanabis sativa, të konstatuara dhe të asgjësuara gjatë vitit 2021. Shifër e lartë e asgjësimit të bimëve narkotike raportohet edhe në vitin 2019, por shumë më e vogël krahasuar me 2016. Sipas raportit janë asgjësuar mbi 92 mijë bimë narkotike. Më pak bimë narkotike janë asgjësuar në 2018 me vetëm 675 bimë.

1670619889_WhatsAppImage20221209at10.04.04PM.jpg

 

Ora 21:22
Zv.ministri i Brendshëm: Stigma e së shkuarës të gomoneve të ngarkuara me drogë, i kanë lënë vendin sot Shqipërisë anëtare në Këshillin e Sigurimit

Në mbyllje të konferencës, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, në emër të Ministrit të Brendshëm, iu ka shprehur mirënjohje Policisë italiane, ekipit të GDF-së dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët bashkërisht, gjatë këtij viti, bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

‘Stigma e së shkuarës, e ushqyer nga imazhe të fortesave të paligjshmërisë, që bënin xhiron e botës përmes raporteve apo lajmeve të zjarrit të hapur, nga toka dhe nga ajri ndaj forcave të Policisë apo gomoneve të ngarkuara me lëndë narkotike dhe armë, i ka lënë vendin sot Shqipërisë anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryesuese në vitin 2020, e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, si dhe mikpritëse për herë të parë, jashtë kufijve të Bashkimit Europian të Samitit BE – Ballkani Perëndimor. Faktet flasin vetë për një Shqipëri shumë herë më të sigurtë sot, dhe rezultatet e prezantuara gjatë kësaj Konference të Përbashkët, si produkt i një pune intensive në terren dhe monitorimesh objektive dhe profesionale nga ajri, dëshmojnë pikërisht këtë ’- tha Lamallari.

 

Ora 21:16
Lufta kundër kanabisit, gjeneral Vincenzo Caci: Të dhënat numerike nxitje për veprime të përbashkëta Itali-Shqipëri për zbatimin e ligjit

 

Në konferencën e përbashkët mes policisë shqiptare dhe italiane, gjeneral Brigade Vincenzo Caci u shpreh se të dhënat numerike duhet të konsiderohen si shenjë e nxitjes së mëtejshme për veprimet e përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë, për zbatimin e ligjit. 

‘40 921 bimët e asgjësuara, sipas raporteve tona, në ndryshim nga misionet e mëparshme, duhet të konsiderohen si një shenjë e prekshme e një kapaciteti gjithnjë e më të lartë ndërhyrjeje të zbatuar në terren nga Policia e Shteti shqiptar. Prandaj, këto të dhëna numerike duhet të konsiderohen si shenjë e nxitjes së mëtejshme për veprimet e përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë, për zbatimin e ligjit. ‘- tha Caci.

Ora 21:09
Lufta e përbashkët kundër kanabisit mes policisë shqiptare dhe italiane, Gjenerali italian Ianni: Monitorimi ajror u krye me sisteme të teknologjisë së fundit

Gjatë fjalës në konferencën e përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, gjenerali i Brigadës Gianpiero Ianni falënderoi policinë e Shtetit shqiptar, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të çmuar që i kanë ofruar shërbimeve të Policisë italiane.

“Për herë të parë, gjatë këtij viti, nga Guardia di Finanza, aktiviteti i monitorimit ajror u krye me përdorimin e një helikopteri, të pajisur me sisteme të teknologjisë së fundit. Në maj 2022, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer 63 misione ajrore, 182 orë fluturimi dhe 55 raporte monitorimi. Në total për vitin 2022, nga monitorimi ajror, janë konstatuar dhe asgjësuar 40 921 bimë narkotike, krahasuar me 92 428 bimë narkotike kanabis sativa, të konstatuara dhe të asgjësuara gjatë vitit 2021”.- tha gjeneral Ianni.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alfons: 10/12/2022 09:13

    E ceco ,ta paskan kapur hashashin qe te ka lene ish drejtori (perlat cullaj&co erjon ismaili,elton shahini tj) ne trashegimi,legena qe vetem per droge e pislliqe e keni mendjen.

    Përgjigju
  • A. N.: 09/12/2022 23:22

    Shqiptari e filloi me shfrytezimin e prostitucionit duke kaluar edhe ne ate te kultivimit e tregtimit te kanabisit. Pasi u fuqizua me leke e filloi me tregtimin e mallit me fitimprures qe eshte kokaina. Pra eshte normale qe kultivimi i kanabisit apo i prostitucionit ka rene pasi leket xhirojne tek droga e rende.

    Përgjigju
  • flora: 09/12/2022 21:27

    ca nuk degjojm, i shkreti popull qe i drejtojne ket mshtrues ordiner

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë