Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë reale për shoqërinë shqiptare.

Kjo u nënvizua sot gjatë punimeve të konferencës mbi "Luftën ndaj korrupsionit", të organizuar nga Qendra George C. Marshall, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori gjerman Helmut Hoffmann, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli si dhe George Kent, koordinator i veçantë për luftën ndaj korrupsionit për Europën në Departamentin e Shtetit, të cilët nënvizuan përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri dhe në tërësi në Ballkan.

Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se modernizimi i shtetit është kusht themelor për të luftuar korrupsionin. "Duhet theksuar se modernizimi është element bazë i luftës kundër korrupsionit, ndaj ne jemi duke këmbëngulur me forcë gjatë gjithë kësaj periudhe në gjithë veprimet dhe masat modernizuese dhe që e bëjnë të qëndrueshëm shtetin në përballje me korrupsionin", tha Rama.

Sipas tij, "korrupsioni është një alternativë, nuk është një zgjedhje dhe korrupsioni mbizotëron në shtete ku nuk funksionon sistemi".

Ndërsa ambasadori Arvizu theksoi se "lufta kundër korrupsionit kërkon përkushtim". "Ligjet dhe reformat duhet të jenë të mirëpeshuara dhe të konsultuara me grupet e interesit. Ndonëse ka pasur hapa që janë ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit duhet të dallojmë edhe nevojën. Miqtë e Shqipërisë kanë forcuar rëndësinë si duhet adresuar kjo luftë ndaj korrupsionit. Duhet të largohen të gjitha pengesat. SHBA mirëpresin mundësinë për të punuar me të gjithë ju në këtë sipërmarrje", u shpreh Arvizu.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli shprehu vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet dhe reformat antikorrupsion. Sipas saj, "një nga drejtimet kryesore ka qenë lufta kundër korrupsionit në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes". "Jemi fokusuar shumë në ngritjen e disa grupeve kontrolli për të evidentuar rastet e përdorimit të FA-së jashtë misionit të tyre, si dhe për shpërdorimin e fondeve publike. Të gjitha të dhënat i kanë kaluar institucioneve kompetente", tha Kodheli.